Trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique, ka konfirmuar se talenti i ri Warren Zaire-Emery do të jetë në formacionin titullar për ndeshjen e së shtunës kundër Lorientit, në kuadër të Ligue 1.
Sipas mediumit “Goal”, mesfushori 20-vjeçar, i dalë nga akademia e klubit parisien, do të regjistrojë paraqitjen e tij të 200-të me fanellën e PSG-së.
Një arritje domethënëse që dëshmon rëndësinë e tij në skuadër, pavarësisht moshës së re.
“Warren është një lojtar ndryshe, një futbollist i veçantë. Ai është një ‘Titi’, një lojtar i formuar në akademinë tonë, me cilësi të mëdha si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. E di që do të dëshironte të luante në çdo ndeshje! Nesër do të jetë në formacionin titullar. Ai është një lojtar i rëndësishëm për ne”, deklaroi Enrique gjatë konferencës për media të premten.
Ndërsa vëmendja mbetet te talentet e reja të skuadrës, trajneri nuk tregoi shumë interes për të diskutuar rreth përforcimeve të mundshme në afatin kalimtar të janarit.
Pavarësisht dominimit të PSG-së në kampionat, Enrique nxitoi t'i paralajmëronte futbollistët e tij që të mos e nënvlerësonin kundërshtarin.
Lorienti është dëshmuar si një skuadër shumë e disiplinuar në aspektin e mbrojtjes, ndërsa ish-trajneri i Barcelonës vuri në pah statistikat e saj mbresëlënëse në mbrojtje.
“Kur fiton shumë, pritshmëritë janë gjithmonë shumë të larta.
Por duhet ta kuptosh se është shumë e vështirë të fitosh çdo ndeshje. Vitin e kaluar nuk fituam asnjërën nga dy ndeshjet kundër Lorientit. Kjo mjafton për të kuptuar se sa e vështirë do të jetë ndeshja”, shpjegoi Enrique.
Ai shtoi: “Ata janë një skuadër që pëson më pak se një gol për ndeshje. Mbrohen shumë mirë dhe nuk do të ketë shumë hapësira apo kohë në dispozicion.
Nga ajo që kam parë deri më tani këtë sezon, janë një skuadër shumë e fortë në aspektin e mbrojtjes.
Janë ndër skuadrat më të mira në Evropë për sa i përket mbrojtjes.
Ndihen mirë kur mbrohen në bllok të ulët dhe tregojnë solidaritet të madh mes vete”.