Besa fiton në kryeqytet ndaj Prishtinës! Festim Mustafa shënon 9 gola për ferizajasit

Hendboll

Besa fiton në kryeqytet ndaj Prishtinës! Festim Mustafa shënon 9 gola për ferizajasit

Më: 17 dhjetor 2022 Në ora: 22:39
Besa fiton në kryeqytet ndaj Prishtinës

Pas barazimit mes vete, Besa Famgas e Kastrioti janë kthyer te fitorja në Superligën e Kosovës në hendboll.

Të shtunën mbrëma, Besa fitoi në kryeqytet ndaj Prishtinës me rezultat 32:26. Ishte ky derbi i javës së 13-të. Pejanët e nisën ndeshjen mirë dhe krijuan epërsi prej 5:1. Në vazhdim Prishtina është afruar në shumë raste në një gol, por pa mundur të barazoi. Pjesa e parë përfundoi 18:15 për Besa Famgas. Edhe në pjesën e dytë vendasit u afruan në një gol, por më pas Besa mbajti epërsi konstante deri në fund.

Oltion Beshiri i shënoi 8 gola për Prishtinën. Pesë i kishte Sergio Barreto, kurse nga tri i shënuan Agon Bajqinovci e Enis Kuleta. Nikola Prce ishte më efikasi te Besa me 9 gola. 8 i shënoi Denis Shabanoviq, kurse nga 4 i shtuan Jon Muqolli e Ivan Majiq.

Besa udhëheq në tabelë me 21 pikë nga 11 ndeshje. Prishtina është e dyta me 16 pikë nga 11 ndeshje.

Derbi tjetër u luaj në Ferizaj, ku skuadra vendase, Kastrioti, fitoi ndaj Trepçës me rezultat 26:24. Pjesa e parë ishte e fortë dhe plotësisht e barabartë. Në epërsi prej një goli ishte herë njëra e herë skuadra tjetër.

Në minutën e 39-të, Kastrioti u shkëput në tri gola, 18:15, për herë të parë në ndeshje. Më pas epërsia e skuadrës vendase shkoi deri në katër gola, 24:20, në minutën e 53-të.

“Xehetarët” megjithatë nuk u dorëzuan. Në minutën e 59-të u afruan në një gol, 25:24, por ferizajasit shënuan edhe një gol për rezultatin final, 26:24. Ndeshja ishte e fortë dhe arsyetoi epitetin e derbit.

Festim Mustafa ishte më efikasi te Kastrioti me 9 gola. 5 i shënoi Beni Sula, kurse 4 i kishte Arben Dugolli.

Ermir Smaka, Yassine Henahen dhe Yassine Benjouida i shënuan nga 5 gola për Trepçën. 4 i kishte Sali Maxhera.

Trepça është e treta me 16 pikë, kurse Kastrioti i katërti me 13 pikë. Të dy skuadrat i kanë nga 12 ndeshje të luajtura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat