Po zhvillohen përgatitjet e fundit nga klubi i hendbollit Trepça e Mitrovicës për finalen e dytë të play-off-it të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt).
Qyteti i Mitrovicës është në këmbë për finalen e madhe mes dy skuadrave më të mira, Trepçës dhe Besa Famgas e Pejës.
Fituesi i Kupës së Kosovës, Trepça, nesër mbrëma (në orën 20.15) synon hakmarrje për humbjen (30:27) në finalen e parë në Pejë ndaj kampionit në fuqi, Besës.
KH Trepça, fitues i Kupës së Kosovës
Pritet atmosferë madhështore në palestrën e sportit “Minatori” në Mitrovicë.
Kryetrajneri i Trepçës, Taib Kabashi, tha se janë të përgatitur në çdo aspekt me përjashtim që iu mungon një hendbollist i dëshmuar.
“Kushtrim Kastrati është i lënduar, ndër lojtarët kryesorë.
Është mungesë e madhe, lojtarët tjerë janë të përgatitur qind për qindtë.
Krejt ka shkuar në rregull dhe në çdo aspekt.
Është një derbi i vërtetë.
Mitrovica është qytet i sportit, më së miri e dëshmon Kupën e kanë fituar vashat e futbollit Mitrovica, Trepça në basketboll, ne në hendboll e disa tituj tjerë.
Nesër do të jetë derbi i vërtetë”, thotë Kabashi për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Përballje që pritet me kërshëri.
Është një interesim i madh nga tifozët për të pa finalen e dytë, një finale që vështirë është të parashikohet se cila ekip është më afër triumfit.
“Gjasat janë të barabarta.
Them të drejtën, përparësi janë tifozët, tifozët ‘Torcida’ tifozët më të flaktë dhe në trojet shqiptare.
Pritet të thyhet rekordi i shikueshmërisë në 15-20 vitet e fundit në hendboll”, shpreh optimizmin Kabashi.
Kryetrajnerit i ‘xehetarëve’ tha se kanë kontaktuar me tifozët: “Kemi kontaktuar me shikuesit, me tifozët, iu kemi kërkuar të anojnë në mënyrë korrekte ashtu siç iu ka hije në qytetin e sportit.
Shikuesit mitrovicas qe 40-50 vite e përcjellin këtë lojë dhe e njohin hendbollin.
Hendbolli mitrovicas dihet që ka qenë në ligën më të fortë në botë të ish Jugosllavisë”.
Finalja e parë ka përfunduar me rezultat të ngushtë në favor të pejanëve.
“Thënë të drejtën të dy ekipet janë të barabarta, deri me tash kemi luajtur dy finale, të Kupës së Kosovës dhe finalja e parë e play-off-it të Superligës.
Finalet kanë qenë të barabarta deri në fund.
Nuancat kanë vendosur edhe finalen e parë të play-off-it, ku ne nuk i finalizuam katër raste në minutat e fundit.
Finalja e dytë do të jetë ndryshe, siç thonë në pallatin e nxehtë, pritet shikueshmëri e madhe.
Besa është për çdo respekt, ekip e organizuar mirë, ka buxhet të mirë, ne jemi në rritje.
Kemi pas vitet e mëparshme disa probleme por me ardhjen e kryetarit Bujar Istrefi çdo gjë është në rregull.
Jemi ekip shumë e mirë dhe e organizuar, me lojtarë që gjithnjë japin maksimumin në terren, kjo u dëshmuar edhe në ndeshjet e kaluara dhe besoj se do të jetë një derbi shumë i fortë”, ka përfunduar Kabashi.
Besa udhëheq në seri të fitoreve, skuadrame dy të fituar apo një fitore e një barazim do të shpallet kampion i ri i Kosovës.