Çervar për Europianin: Njerëzit kanë frikë të flasin

Hendboll

Çervar për Europianin: Njerëzit kanë frikë të flasin

Nga: K.G. Më: 31 janar 2026 Në ora: 14:10
Lino Çervar dhe Kroacia

Kombëtarja kroate e hendbollit do të luftojë për vendin e tretë në Kampionatin Evropian të këtij viti.

Në qytetin danez Herning, ajo u mposht në gjysmëfinale nga Gjermania me rezultat 31:28.

Kjo ishte humbja e dytë e Kroacisë në tetë ndeshje të zhvilluara në këtë turne të madh.

Ekipi i Dagur Sigurdsson, ashtu si edhe gjysmëfinalisti tjetër Islanda, luajti tri ndeshje brenda vetëm katër ditësh. Humbjen ndaj Gjermanisë e komentoi Lino Çervar, trajneri më i suksesshëm kroat i të gjitha kohërave.

Cili ishte përshtypja juaj e parë pas ndeshjes?

Së pari, duhet t’i përgëzojmë hendbollistët tanë për luftën dhe për arritjen në gjysmëfinale. Të dielën kemi mundësinë të fitojmë medaljen e bronztë. Të gjithë donin finalen, por thjesht nuk funksionoi.

Në pjesën e parë, gjermanët na respektuan shumë.

Ata e patën të vështirë ta çanin mbrojtjen 5-1, por gjithsesi mendoj se pësuam disa gola shumë lehtë.

Në fillim të pjesës së dytë nuk e përballuam presionin në mbrojtje dhe mbetëm prapa ndjeshëm. U përpoqëm të rikthehemi në lojë, por në fund nuk ia dolëm.

Trajneri Sigurdsson tha se portierët e vendosën fituesin.

Gjermanët kishin portierin e tyre kryesor, Wolff, i cili ishte lojtari i ndeshjes. Ai mbrojti shumë mirë.

Për të mposhtur një kundërshtar si Gjermania, portieri yt duhet të jetë në formë të lartë.

Mbrojtja jonë ishte e mirë në pjesën e parë. Përfundimisht, duhet ta përgëzojmë skuadrën për gjysmëfinalen.

Tani është e rëndësishme që ekipi të rikuperohet dhe të japë maksimumin në ndeshjen për bronz.

Kroacia hoqi dorë nga loja 7 kundër 6 në pjesën e dytë. U duk edhe mungesë agresiviteti në mbrojtje, vetëm një përjashtim.

Tani të gjithë mund të jemi të mençur dhe të themi çfarë të duam, por duhet një analizë e mirë. Ende jemi emocionalë pas ndeshjes.

Duhet të nxjerrim gjërat pozitive, si nga kjo ndeshje ashtu edhe nga të mëparshmet. Gjysmëfinalja është sukses, i keni parë të gjitha situatat në të cilat Kroacia ka qenë gjatë turneut.

Si e shihni organizimin e këtij kampionati? Pamë lojtarët duke fjetur në autobus, duke luajtur ndeshje ditë pas dite, ankesa për ushqim dhe udhëtime shumë të gjata.

Të jem i sinqertë, njerëzit kanë frikë të flasin, kanë frikë nga pasojat.

Plaga jonë më e madhe janë rregullat që askush nuk i kupton plotësisht.

Në këtë ndeshje pamë një shfaqje shtesë, me një lojtar që shpjegonte në anglisht nëse e kishte kapur apo jo kundërshtarin për qafe…

Nuk dihet saktësisht çfarë është ndërhyrje dhe çfarë nuk është.

Rregullat duhet të ndryshohen, me këto rregulla nuk mund të shkohet në Lojëra Olimpike.

Një gjë shkruhet në rregullore, e tjetër interpretohet në fushë. Këto janë çështje profesionale dhe shumë të rëndësishme.

Sa u përket kushteve, lojtarët duhet t’i kenë të gjitha të drejtat.

Por logjistika duhet ta bëjë punën e vet. Lojtarët merren me lojë dhe stërvitje, ndërsa të tjerë janë përgjegjës që ata të kenë kushte të mira. Kjo është detyrë e logjistikës.

A është ky maksimumi i kësaj skuadre?

Gjithçka për këtë temë është e shkruar në librin tim, i cili është i shitur dhe ende shumë i kërkuar.

Ne duhet të vazhdojmë të inovojmë. Vetëm kështu mund të jemi më të mirët në botë.

E gjithë bota luante mbrojtje të cekët 6-0, ne gjithmonë luanim 5-1 më të thellë dhe kjo ende na karakterizon sot.

Kjo është e vetmja mënyrë për të fituar kampionate. Hendbolli modern luhet me ritëm të shpejtë, ndërsa rregullat janë përshtatur sipas stilit skandinav. Por ne duhet të punojmë, të stërvitemi dhe të përgatitemi ndryshe nga të tjerët.

Inovacionet gjithmonë kanë ardhur nga kjo pjesë e rajonit, mjafton të kujtojmë çfarë kemi bërë në basketboll. Mënyra e përgatitjes së sportistëve ka ndryshuar rrënjësisht.

Sot gjithçka është përgatitje integrale. Nuk ka kohë, luajmë shumë ndeshje në një periudhë shumë të shkurtër.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat