Kastrioti i Ferizajt është fitues i Kupës së Kosovës në hendboll.
Ferizajasit shënuan fitore në finalen e madhe me rezultat 28:27 (15:16) ndaj Besa Famgas nga Peja.
Kastrioti e mbrojti trofeun e Kupës, duke e fituar atë për herë të tretë rresht, dhe duke dëshmuar edhe një herë se është skuadra më e mirë në vend.

Ky është trofeu i nëntë për Kastriotin që nga pavarësimi i sportit të Kosovës nga ai i ish-Jugosllavisë në vitin 1991.
Një atmosferë që moti nuk ishte parë në hendbollin e Kosovës u krijua në palestrën e Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj, ku mbi 3500 shikues panë një finale të fortë, të luftuar dhe me shumë kthesa në rezultat.

Kastrioti dhe Besa Famgas dhuruan lojë jashtëzakonisht cilësore, duke kënaqur tifozët në një palestër të mbushur plot, ku shumë shikues mbetën edhe jashtë.
Organizimi ishte shembullor, me kulturë të lartë sportive dhe një finale për historinë e hendbollit tonë.

Pjesa e parë u karakterizua nga rivalitet i madh, me rezultat të barabartë 9:9 dhe 10:10, ndërsa pejanët shkuan në pushim me epërsi minimale 15:16.
Pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë. Rezultati u barazua 17:17 në minutën e 33-të, ndërsa Kastrioti kaloi në epërsi 18:17 në minutën e 34-të.

Loja vazhdoi me barazime të njëpasnjëshme, ndërsa në minutën e 43-të Deniz Terziqi realizoi nga shtatëshi për 21:22 për Besën.
Kastrioti reagoi shpejt, barazoi rezultatin dhe kaloi në epërsi 23:22, falë edhe pritjeve vendimtare të portierit Wadi Chebbi. Drama vazhdoi deri në fund, ku në minutën e 51-të rezultati ishte 24:24, pastaj 26:24, 26:25, 26:26, 26:27 e 27:27 - minuta e 59-të dhe 28:27 - realizotor Alban Haziri .
Nga ana tjetër jehonte kënga e tifozëve besa-besë, Kastrioti, Kastrioti, Kastrioti...
Te Kastrioti, më efikasi ishte Felipe Texeira me 6 gola, i ndihmuar nga Henahen Yassine me 5 gola.
Te Besa Famgas u dallua Deniz Terziqi me 10 gola, i ndjekur nga Ali Omar me 7dhe Oliver Rabek, me 6 gola..
Trajneri i Kastriotit, Vlladimir Gligorov, u shpreh krenar për lojën që treguan djelmoshat e tij ndaj një rivali shumë të fortë si Besa Famgas dhe për trofeun e parë për vitin 2026..