Besa Famgas luan të shtunën nga ora 19:00 para tifozëve të saj në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Besa do të përballet me skuadrën greke, Ionikos, në ndeshjen e parë të raundit të parë të Kupës Evropiane për hendbollistë. Ndeshja e kthimit është pas një jave në Athinë.
Megjithatë tek ekipi pejan synojnë që në ndeshjen e parë të bëjnë hapin e madh drejt raundit të dytë.
Për këtë u duhet fitore bindëse ndaj Ionikosit.
Besa Famgas ka përvojë shumë të gjatë në skenën evropiane. Prej që ka debutuar në vitin 2005, ka munguar vetëm një herë në garat kontinentale.
Merr pjesë për herë të 21-të. Vjet e kaloi me sukses raundin e parë të Kupës Evropiane, si shumë herë në të kaluarën. Të paktën këtë sukses e kërkon edhe në këtë edicion.