​Pacolli bën homazhe në Makoc: Kjo ishte zona më e përgjakur e Gollakut

Kosova

​Pacolli bën homazhe në Makoc: Kjo ishte zona më e përgjakur e Gollakut

Më: 18 prill 2021 Në ora: 14:37
Selim Pacolli

Në ditën e Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, nënkryetari i kësaj komune, Selim Pacolli bashkë me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë bërë homazhe tek Kompleksi Memorial i Dëshmorëve në Makoc.

Pacolli tha se dhe pas 22 viteve nuk zbehet kujtimi për dëshmorët e kombit dhe martirëve.

Ai u shpreh se forcat paramilitare serbe mllefin e humbjeve në beteja nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e kthenin mbi popullatën civile, duke shtuar edhe se Makoci ishte vendi më i përgjakshëm i zonës së Gollakut.

Pacolli: Makovci zona më e përgjakur e Gollakut

"Sikur sot e 22 vite më herët asnjëherë nuk zbehet kujtimi për të gjithë dëshmorët e kombit fillimisht, të martirëve dhe të viktimave. Si zakonisht pas çdo beteje forcat serbe paramilitareve që humbshin betejat karshi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mllefin e vet e shfrynin mbi popullatën civile. Ky është një rast i tillë ku me këtë datë të vitit 1999 duke filluar nga fshati Grashticë, Makovc dhe Llukar kjo ishte mund të them vendi me i përgjakshëm i zonës së Gollakut, ose të Komunës së Prishtinës. Në këtë vend janë me qindra civil të cilët nuk u kursyen as fëmijët në moshë minore e as të vjetrit në moshë ndoshta 100 vjeçare, dhe ne jemi këtu për ti i përkujtuar dhe për të nderu gjakun e tyre deri në amshim, deri të ketë shqiptar në këtë tokë këta njerëz do të përkujtohen dhe do të nderohen", tha ai.

Tek Kompleksi Memorial i Dëshmorëve në Makoc sot bëri homazhe edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në ditën e Dëshmoreve të rajonit të Prishtinës, e para e shtetit, Vjosa Osmani e shoqëruar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe i pari i qeverisë Albin Kurti kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Velani të Prishtinës.

Në kujtim të kësaj dite, Osmani bëri homazhe edhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë. 

Ndryshe, ditët e 17,18,19, 20 dhe 21 prillit të vitit 1999, për shumë familje dhe qytetarë të trevave të Llapit e Gollakut që kishin marrë rrugën e shpëtimit përmes fshatrave Koliq, Grashticë, Makoc e Llukar, për shumëkënd u shndërruan në ditë tmerri e krimi të paparë.

Ushtria policia dhe paramilitarët serb në pritën që u kishin bërë, vranë dhe masakruan më se 124 qytetarë, në mesin e tyre fëmijë, vajza, djem, gra e pleq.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat