Skenderaj/ Polaci: 10 qytetarë më COVID-19 kanë shprehur dëshirën të votojnë

Kosova

Skenderaj/ Polaci: 10 qytetarë më COVID-19 kanë shprehur dëshirën të votojnë

Më: 17 tetor 2021 Në ora: 08:47
Ilustrim

Në Skenderaj të gjitha vendvotimet janë hapur në ora 7, qytetarët optimistë

Në Komunën e Skenderajt të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë dhe deri më tash nuk është shënuar ndonjë problem. Në këtë komunë janë gjithsej 33 qendra të votimit ku do të votoj ë 53 mijë e 479 votues.

Të drejtën e tyre për të votuar do ta shfrytëzojnë edhe qytetarët që aktualisht janë të infektuar me COVID-19. Nga 15 persona që janë me COVID-19, 10 prej tyre kanë shprehur dëshirën për të votuar dhe kjo do t'iu mundësohet përmes ekipeve mobile.

Fisnik Polaci, zyrtar i Lartë Komunal Zgjedhor në Komunën e Skenderajt ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.

Polaci: Në orën 7 të gjitha vendvotimet kanë qenë të hapura

"Në orën 6 të mëngjesit veç është shpërndarë materiali sensitiv dhe në ora 7 kanë raportuar të gjithë menaxherët e qendrave të vendvotimit dhe të gjitha vendvotimet kanë qenë të hapura. Nuk ka pasur asnjë problem, asnjë mungesë", tha ai.

Ai bëri të ditur se ekipet mobile do të mundësojnë votimin e qytetarëve që aktualisht janë të infektuar me COVID-19.

Polaci: 10 qytetarë më COVID-19 kanë shprehur dëshirën të votojnë

"Kanë qenë 15 persona të cilët e kemi marrë listën e fundit me COVID-19, dhe kanë shprehur dëshirën 10 prej tyre që të votojnë me ekip mobil", tha ai.

Qytetarët që kanë votuar në qendrën më të madhe në Skenderaj në shkollën "Shaban Jashari", po kërkojnë që niveli lokal të punojë më shumë në krijimin e vendeve të punës e në infrastrukturë.

Qytetari i Skenderajt, Arbër Thaçi, pasi që ka votuar u shpreh se pret që kryetari i ri i komunës të punojë në të mirë të qytetarëve dhe në zhvillim të vendit.

Thaçi: Shpresoj që këto zgjedhje të jenë të mbara

"Shpresoj që këto zgjedhje të jenë të mbara dhe të jenë zgjedhje të cilat do të jenë shembull. Besoj që secili pavarësisht cili kryetar do të jetë në krye patjetër do të jetë në të mirë të qytetarëve dhe në zhvillim të vendit", tha ai.

Më shumë vende pune për të rinjtë e Skenderajt po pret qytetari Bedri Osmani, të cilën e ka edhe kërkesë për kryetarin e ri të komunës.

Osmani: Kërkesa e vetme është krijimi i vendeve të punës

"Po presim më mirë diçka që po bëhet, po bëhet ndonjë vend i lirë i punës...Kërkesa e vetme është krijimi i vendeve të punës, kurrgjë më shumë", tha ai.

Qytetari tjetër Jahir Zejnullahu, thotë se pret të ketë përmirësim të jetës për banorët e Skenderajt.

Zejnullahu: Po presim ndryshime

"Po presim ndryshime, përmirësime të jetës, të infrastrukturës", tha ai.

Në Komunën e Skenderajt janë 53 mijë e 479 votues, 33 qendra të votimit me gjithsej 75 vendvotime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat