​Osmani: SHBA mund të llogarisë në mbështetjen tonë në të ardhmen

Kosova

​Osmani: SHBA mund të llogarisë në mbështetjen tonë në të ardhmen

Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 20:10
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar letrën e disa senatorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejtuar asaj dhe kryeministrit Albin Kurti, të cilët kanë shprehur mirënjohjen dhe mbështetjen e Republikës së Kosovës për strehimin e përkohshëm të partnerëve afganë, gazetarëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut, pakicave të persekutuara dhe grupeve të tjera të rrezikuara, derisa ata presin vizat për në vendet e tjera.

Osmani ka falënderuar senatorët Jeanne Shaheen, Maggie Hassan, Annie Kuster, Chris Pappas për letrën dhe vlerësimin e tyre.

“Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara janë të lidhura ngushtë me vlera të përbashkëta dhe qëllime të përbashkëta. SHBA mund të llogarisë në mbështetjen tonë në të ardhmen”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Kjo është letra e plotë e senatorëve:

Të nderuar Presidente Osmani dhe Kryeministër Kurti,

Po ju shkruajmë për të shprehur mirënjohjen dhe mbështetjen për ndihmën e Republikës së Kosovës për strehimin e përkohshëm të partnerëve afganë, gazetarëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut, pakicave të persekutuara dhe grupeve të tjera të rrezikuara, derisa ata presin vizat për në vendet e tjera. Kjo është një domosdoshmëri humanitare, e sigurisë dhe moralit, dhe ne e vlerësojmë thellësisht partneritetin e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për evakuimin e të gjithë shtetasve amerikanë, banorëve të përhershëm të ligjshëm, dhe partnerëve afganë që shërbyen së bashku me ne në Afganistan. Ne kemi një përgjegjësi për të mbrojtur ata afganë që mbështetën me guxim misionin aleat për njëzet vite me radhë, ku me punën e të cilëve përfituan anëtarët e shërbimit të SHBA-ve dhe i gjithë populli afgan. Ndërsa SHBA-të dhe aleatët tanë kanë evakuuar me sukses dhjetëra mijëra shtetas të huaj dhe shtetas afganë, shumë të tjerë mbeten në rrezik të madh të hakmarrjes tani që talebanët janë në pushtet. Në veçanti, gratë afgane dhe pakicat etnike si komuniteti Hazara të cilët po shënjestrohen brutalisht për krimin vetëm se ekzistojnë. Gratë po rrëmbehen dhe familjet po dëbohen me forcë nga shtëpitë e tyre. Është përgjegjësi e të gjitha vendeve të mbështesin të drejtat e njeriut dhe të mbrojnë ata që janë të detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre, dhe ne të gjithë duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur jetën dhe të ardhmen e të gjithë afganëve.

Përballë një situate të përkeqësuar që ka sfiduar vendet e mëdha dhe të vogla, Kosova ka bërë një hap përpara për të ofruar strehim të përkohshëm për afganët që ikin nga persekutimi. Përveç sigurimit të atyre që po i shpëtojnë dhunës, gatishmëria e Kosovës për të pritur afganët ka ndihmuar sigurinë kombëtare të SHBA-së duke lejuar që një proces rigoroz verifikimi të përfundojë përpara se afganët të mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara.

Partneriteti i fortë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës i ka rrënjët në interesat dhe vlerat tona të përbashkëta. Ndër këto vlera është angazhimi ynë për të qëndruar me aleatët tanë dhe për të mbrojtur personat e cenueshëm. Duke rënë dakord për të pritur partnerët tanë afganë dhe grupe të tjera të cenueshme brenda Kosovës, ju po u jepni atyre mundësinë që të zhvendosen dhe të fillojnë një jetë të re në komunitete të sigurta. Ky partneritet dhe mbështetja juaj për afganët nuk do të harrohet.

Ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj të vazhdueshme për refugjatët afganë dhe shpresojmë se Kosova do të vazhdojë të jetë lider global në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e personave të cenueshëm në Kosovë dhe në mbarë botën.

Sinqerisht,

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat