Buxheti për vitin 2022, Lladrovci: Qeveria po diskriminon Drenasin, nuk janë përfshirë projektet kryesore

Kosova

Buxheti për vitin 2022, Lladrovci: Qeveria po diskriminon Drenasin, nuk janë përfshirë projektet kryesore

Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 11:46
Ramiz Lladrovci

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se nuk është aspak i kënaqur me ndarjen buxhetore të Qeverisë për komunën e Drenasit, për vitin 2022.

Lladrovci ka thënë se kërkesat e komunës kanë qenë reale dhe të arritshme, mirëpo ato nuk janë miratuar nga niveli qendror në buxhetin e vitit 2022.

Sipas tij, aty nuk figurojnë projektet kryesore të Komunës, që  kanë qenë në listë të projekt-buxhetit dhe kanë pasur edhe kodin e buxhetimit, si këtë vit, ashtu edhe vitin e kaluar.

“Kërkesat e Komunës së Drenasit, kanë qenë reale dhe të arritshme, mirëpo ato nuk janë të miratuara në buxhetin e vitit 2022 nga niveli qendror. Nuk jemi aspak të kënaqur me ndarjen e buxhetit për vitin e ardhshëm, sepse nuk figurojnë projektet kryesore të Komunës, që janë kërkesa jetike, madje ato kanë qenë në listë të projekt-buxhetit dhe kanë pasur edhe kodin e buxhetimit, si këtë vit edhe vitin e kaluar”, ka thënë Lladrovci.

Kryetari i Drenasit ka thënë se kjo nuk është hera e parë që niveli qendror diskriminon Komunën e Drenasit me ndarjen e buxhetit për investime kapitale. Kjo sipas tij ka ndodhur edhe në vitin 2020 e 2021, kur Lladrovci ka thënë se Komunës së Drenasit i kanë hequr mbi 1 milion euro për investime.

“Nuk është hera e parë, që niveli qendror diskriminon Komunën e Drenasit me ndarjen e buxhetit për investime kapitale. Edhe në vitin 2020, Komunës së Drenasit i kanë hequr mbi 1 milion euro për investime e po ashtu edhe në ligjin e buxhetit për këtë vit (2021) nuk figurojnë 1 milion euro për investime”, u shpreh Lladrovci.

Ai ka përmendur edhe projektet që kanë pësuar nga ndarja buxhetore për komunën e Drenasit nga niveli qendror.

“Në buxhetin e miratuar nga niveli qendror dhe një buxhet që kalon procedurat e aprovimit në Kuvendin e Kosovës, ai pastaj behët edhe Ligj dhe këtë niveli qendror nuk e ka zbatuar ligjin. Në këtë ligj të buxhetit për vitin 2022, rruga me katër korsi Komoran-Drenas-Skenderaj, mjetet e ndara nga ky buxhet janë vetëm 500 mijë euro, ndërsa kërkesat e komunës dhe me buxhetin fillestar të vitit 2021, kanë qenë të parapara 3 milion, mirëpo ajo shumë është zvogëluar në vitin 2021 me rishikim në 500 mijë euro dhe e njëjta nuk është implementuar, mirëpo e njëjta shumë është paraparë për vitin 2022. Në ligjin e buxhetit të vitit 2022, nuk figuron projekti për ndërtimin e pendës për grumbullimin e ujërave në fshatin Vërboc, që ka qenë e paraparë mbi 1 milion, por nuk është implementuar. Në ligjin e buxhetit nuk figurojnë edhe shumë projekte të tjera në shuma më të vogla, të cilat kanë qenë në listën e projekteve kapitale dhe kanë pasur edhe kodin buxhetor, por nuk janë pjesë e buxhetit të vitit 2022 (si Stadiumi Nacional, fusha sintetike në Komoran dhe projekte të tjera).”, u shpreh Lladrovci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat