​Rumania ndihmon Klinikën e Pediatrisë të QKUK-së me pajisje mjekësore

Kosova

​Rumania ndihmon Klinikën e Pediatrisë të QKUK-së me pajisje mjekësore

Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 13:14
Foto ilustrim

Zëvendësministri i Shëndetësisë Arsim Berisha dhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi kanë pranuar sot nga udhëheqësi i Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë në Kosovë, Daniel Onisor, një donacion me pajisje dhe materiale mjekësore për Klinikën e Pediatrisë të QKUK-së.

Donacioni është realizuar përmes RoAid, një agjencion i sapokrijuar brenda Qeverisë së Rumanisë dhe është projekti i parë për fushën e shëndetësisë.

Berisha falënderoi Qeverinë dhe popullin e Rumanisë për projektin e realizuar dhe shprehu bindjen se ky do të jetë fillimi i një bashkëpunimi më intensiv midis dy vendeve në fushën e shëndetësisë. 

“Donacioni shpreh përkushtimin për një bashkëpunim produktiv dhe shpresojmë që do të vazhdojë me projekte të tjera prej të cilave përfitues do të jenë pacientët në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa Daniel Onisor tha se donacioni i realizuar është në frymën e bashkëpunimit dhe përfaqëson vlerat evropiane, siç është solidariteti midis popujve për të kontribuar për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, u shpreh falënderues dhe siguroi donatorin se pajisjet dhe materialet mjekësore të dhuruara do t’u shërbejnë pacientëve dhe personelit dhe do të përdoren në mënyrë adekuate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat