Nënshkruhet marrëveshja për themelimin e Qendrave të Karrierës në 8 komuna

Kosova

Nënshkruhet marrëveshja për themelimin e Qendrave të Karrierës në 8 komuna

Më: 19 maj 2022 Në ora: 20:58
Ministria e Arsimit

Ministria e Arsimit dhe projekti Rritja e Punësimit për të Rinj nënshkruan sot marrëveshje mirëkuptimi me tetë komuna të Kosovës për të themeluar Qendra të Karrierës në institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional, me qëllim të rritjes së cilësisë së IAAP për krijimin e kuadrove të nevojshme për tregun e punës.

Këto Qendra të Karrierës do të themelohen me bashkëfinancim të komunave dhe projektit Rritja e Punësimit për të Rinj, për mbështetjen e zhvillimit të karrierës së nxënësve si pjesë e integruar e të mësuarit gjatë gjithë jetës.

Ministrja Arbërie Nagavci tha se Qendrat e Karrierës do të ndikojnë në ngritjen e vetëdijes së nxënësve rreth përzgjedhjes dhe avancimit të tyre profesional, në promovimin e programeve dhe shërbimeve të çdo institucioni të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe në ndërlidhjen e shkollës me ndërmarrjet lokale.

Ajo falënderoi projektin Rritja e Punësimit për të Rinj (EYE) i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), për të themeluar Qendra të Karrierës në institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë.

Ndryshe, komunat të cilat kanë nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me MASHTI-n dhe projektin EYE janë Mitrovica, Gjilani, Kamenica, Fushë Kosova, Lipjani, Rahoveci, Podujeva dhe Suhareka.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat