Krasniqi takon fermerët në Vushtrri: Jam i shqetësuar që Qeveria po i neglizhon kërkesat e tyre

Kosova

Krasniqi takon fermerët në Vushtrri: Jam i shqetësuar që Qeveria po i neglizhon kërkesat e tyre

Më: 26 maj 2022 Në ora: 17:07
Pamje nga vizita

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka vizituar sot Organizatën "Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës" ku kanë bashkëbiseduar me fermerë të kësaj komune për sfidat e tyre dhe mungesën e mbështetjes nga Qeveria e Kosovës.

Gjatë kësaj vizite, lideri i PDK-së u shpreh se kjo organizatë ndër vite ka dhënë një kontribut të matshëm në avancimin e sektorit të bujqësisë, në mënyrë të veçantë në aftësimin profesional të kuadrove të reja.

"Është e jashtëzakonshme që kemi tashmë organizata joqeveritare si IADK që u mundëson një numri të madh të të interesuarve që të aftësohen dhe trajnohen profesionalisht në fusha të ndryshme në përpunimin e pemëve, perimeve, qumështit.", tha Krasniqi.

Ai tregoi se gjatë takimit u diskutua për vështirësitë me të cilat përballen fermerët e Vushtrrisë.

"Diskutuam gjerë e gjatë me shumë fermerë të Vushtrrisë që janë në sektorin e qumështit dhe që kanë telashe dhe vështirësi të jashtëzakonshme në vitet e fundit. Unë e përgëzoj kryetarin Idrizi që qysh me marrjen e mandatit i ka dhënë përparësi rritjes se subvencioneve në bujqësi, duke rritur mbi 100 për qind vlerën e përgjithshme dhe duke qenë për herë të parë mbështetës i drejtpërdrejtë edhe i sektorit të qumështit, por edhe i sektorit të ujitjes dhe sektorëve tjerë.", tha Krasniqi.

Krasniqi ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë vëmendjes ndaj bujqve, e cila deri tani nuk e ka analizuar situatën siç duhet por vetëm ka improvizuar, pa pasur planifikim afatmesëm.

"U ndjeva vërtetë i shqetësuar nga vështirësitë, sfidat që i kanë fermerët, e të cilat nuk po adresohen nga ana e Qeverisë e që është obligim i tyre, meqenëse sidomos gjatë periudhës së pandemisë por edhe në vitin e fundit, kryesisht edhe për shkak të ndikimit të luftës në Ukrainë, shumë produkte dhe inpute bujqësore janë shtrenjtuar dukshëm. Ka telashe me plasimin e produkteve në treg, është rritur një pasiguri e madhe sa i përket këtij sektori dhe Qeveria duket se po vazhdon ta neglizhojë situatën, përkundër premtimeve pompoze që do t'i rrisin subvencionet.", tha ai.

Krasniqi u shpreh tejet mirënjohës për punën e IADK-së premtoi se PDK si lidere e opozitës do të vazhdojë të angazhohet për të qenë zë i interesave të bujqve.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se është i përkushtuar për t'i ndihmuar fermerët e kësaj komune që janë punëtorë të pandalshëm.

Idrizi bëri të ditur se ka marrë vendim që të subvencionojë të gjithë fermerët e Vushtrrisë me 4 centë për litër qumeshti.

Krahas kësaj, ai tha se po i subvencionojnë me pagesa direkte edhe fermerët tjerë dhe blegtorët.

Në anën tjetër, Zenel Bunjaku, drejtor i Organizatës Iniciativa për zhvillimin e bujqësisë së Kosovës, tha se ndihet shumë fakënderues për bashkëpunimin e ngushtë që ia ka ofryar kryetari i Komunës së Vushtrrisë për fushën e bujqësisë.

Ai tha se deri tani janë marrë parasysh të gjitha propozimet dhe iniciativat e Organizatës IADK-së në Vushtrri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat