​LDK-ja akuzon PDK-në për humbje milionëshe në Vushtrri, apelon prokurorinë t’i hetojë ato

Kosova

​LDK-ja akuzon PDK-në për humbje milionëshe në Vushtrri, apelon prokurorinë t’i hetojë ato

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 14:49
Xhafer Tahiri

Lidhja Demokratike e Kosovës – dega në Vushtrri po akuzon Partinë Demokratike të Kosovës për keqmenaxhim me Komunën e Vushtrrisë, e cila udhëhiqet nga kryetari Ferit Idrizi. Kryetari i degës së LDK-së në këtë komunë, Xhafer Tahiri tha se të gjeturat e Raportit të Auditimit, nga Zyra Kombëtare e Auditimit për Komunën e Vushtrrisë për vitin 2022 tregojnë për një qeverisje të paaftë dhe me shumë keqpërdorime nga pushteti i PDK-së, të cilat ftoi prokurorinë që t’i hetojë.

Tahiri në një konferencë për media tha se nuk ka asnjë punë dhe asnjë projekt të ri nga qeverisja e PDK-së, përveç atyre që i ka lënë LDK-ja.

Sipas tij, vetëm për një vit qeverisje nga PDK-ja, Komuna e Vushtrrisë ka humbur mbi 2 milionë e 691 mijë euro investime kapitale.

Tahiri: Në vitin 2022 Komuna e Vushtrrisë ka humbur mbi 2 milionë e 691 mijë euro investime kapitale

“Ky vit në qytetin Vushtrrisë ka filluar me zero euro shpenzime për investime kapitale, që nënkupton se komuna nuk po bën asnjë punë, përveç atyre që i kemi lënë si projekte 2-vjeçare dhe 3-vjeçare. Buxheti final, në bazë të Raportit të auditimit për investime kapitale në qytetin e Vushtrrisë ishte 6 milionë e 47 mijë e 316 euro, prej tyre ishin shpenzuar vetëm 3 milionë e 356 mijë e 6 euro ose 55 përqind e buxhetit. Pra, janë humbur saktësisht 2 milionë e 691 mijë e 310 euro investime kapitale vetëm në vitin e parë të qeverisjes së PDK-së në Vushtrri. Pra, gjysma e punëve nuk janë kryer”, tha ai.

Ndërsa shtoi se suficiti total i buxhetit komunal për vitin 2022 në Vushtrri është 4 milionë e 375 mijë e 687 euro.

Tahiri, i cili kishte udhëhequr me këtë komunë për një mandat, akuzoi poashtu pushtetin aktual në Vushtrri për punësime të militantëve, me theks të veçantë avokatin e komunës.

Tahiri: Prokuroria të hetojë humbjet financiare

“Suficiti total i buxhetit komunal për vitin 2022 në Vushtrri është 4 milionë e 375 mijë e 687 euro. Pra, janë humbur 4 milionë e 375 mijë euro, nuk ëhstë investuar asnjë cent këtë vit, ndërkohë që Komuna e Vushtrrisë për udhëtime zyrtare deri në momentin që po flasim ka zotuar mbi 50 mijë euro. Nuk ka asnjë punë dhe asnjë projekt të ri nga qeverisja e PDK-së, përveç atyre që i ka lënë qeverisja e LDK-së. Kjo komunë, në bazë të raportit të auditorit, për vendime gjyqësore ka kryer pagesa në vlerë prej 198 mijë e 779 euro. Komuna e Vushtrrisë ka angazhuar për avokat të komunës një militant të PDK-së, të cilin e ka paguar 20 mijë euro për nje vit, dhe prapë i ka humbur në gjykatë 200 mijë euro. Ne si LDK ftojmë prokurorinë të hetojë pagesat për avokatin e komunës, i cili ëhstë angazhuar me tenderë për të shpjeguar një pyetje të thjeshtë, pse është paguar kaq shumë avokati i komunës e janë humbur kaq shumë mjete financiare të komunës së Vushtrrisë në procese gjyqësore”, tha ai.

Duke u thirrur në raportin e auditimit për vitin 2022 për Komunën e Vushtrrisë, Tahiri tha se janë paguar afër 200 mijë euro për projekte që nuk janë kryer, për çka kërkoi që prokuroria të hetojë edhe këto pagesa.

Ndërsa për mangësitë që sipas LDK-së, auditori ka gjetur në projekte, foli shefi i asamblistëve të LDK-së në Komunën e Vushtrrisë, Adnan Lahu.

Lahu tha se në pesë projekte janë identifikuar disa mangësi.

Lahu: Premtimet e Idrizit po dalin mashtrime

“Komuna e Vushtrrisë ka përzgjedhur operator ekonomik të papërgjegjshëm, vlera e kontratës 147,859€, mungesa e projekteve ekzekutuese për procedurat e prokurimit të investimeve kapitale, mos vazhdimi i sigurisë së ekzekutimit konform periudhës së zbatimit të kontratës, faturimet jo në pajtueshmëri me marrëveshjen, mangësi në regjistrin kontabël të pasurive, keqpërdorim në subvencione në bujqësi, ku thirrjet publike në bujqësi janë bërë jo në pajtim me rregulloren e brendshme për subvencionim, mangësi në raportim dhe monitorimin e projekteve të subvencionuara, Komuna e Vushtrrisë nuk ka përgatitur plan vjetor për mbeshtetje financiare të OJQ-ve, vonesa në pagesën e faturave në vlerë 93,929€, shpenzime të larta procedurale të pagesave të ekzekutuara sipas vendimeve gjyqësore... Vushtrria për fat të keq nuk ka kryetar, e për këtë arsye nuk ka as menaxhim e nuk ka as projekte. Kryetari Idrizi premtoi shumë, por premtimet e tij po dalin vetëm mashtrime”, tha ai.

Projektet që sipas LDK-së janë gjetur mangësi në Komunën e Vushtrrisë nga auditori i Përgjithshëm janë:Kontrata “Rregullimi i shtratit të lumit Sitnica në Vushtrri” në vlerë 1 milion e 49 mijë e 680 euro, Kontrata “Ndërtimi i trotuarit në fshatin Stanoc i Epërme Faza II” në vlerë 10 mijë e 869 euro, Kontrata “Ndërtimi dhe rregullimi i parqeve dhe shesheve në 6 fshatra” vlerë 89 mijë 236 euro, Kontrata “Furnizimi me aparaturë për kinema për funksionalizimin në qendrën e kulturës” vlerë 46 mijë e 757 euro si dhe Kontrata “Renovimi i Palestrës Jeton Terstena" Ritender e vitit 2022 në vlerë 114 mijë e 900 euro. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat