Vrasjet e fundit, neuropsikiatri: Janë pasojat e posttraumës, plagët e luftës janë të freskëta

Kosova

Vrasjet e fundit, neuropsikiatri: Janë pasojat e posttraumës, plagët e luftës janë të freskëta

Më: 11 gusht 2023 Në ora: 09:53
Foto ilustrim

Neuropsikiatri, Sami Rexhepi tha se si pasojë e luftës dhe e pandemisë është rritur ankthi dhe për rrjedhojë edhe mundësia për konflikte është më e madhe shkak i uljes së pragut të durimit.

Ai thotë se plagët e luftës ende janë të freskëta dhe se pandemia pa shkaktuar izolim total dhe se tash po ballafaqohemi me pasojat të posttraumës. Rexhepi theksoi se ndonëse të rinjtë janë gjeneratë e pasluftës, janë rritur me traumat që ka lënë si pasojë kjo e fundit.

Por sipas tij, si shoqëri, e po ashtu mediumet është mirë të krijojnë një platformë debati ku fokus të jetë ofrimi i asaj se çka popullata ka nevojë e jo se çka profesionistët duan të ofrojnë.

“Po flasim për një shoqëri e cila i ka ende plagët e freskëta të një lufte shumë të dhunshme, me pasoja shumë të mëdha. Po flasim për një shoqëri e cila sa ka dal prej një pandemie e cila ka shkaktuar një izolim të plotë dhe jemi duke u ballafaquar me pasojat të posttraumës”.

“Një pjesë e madhe e të rinjve janë gjeneratë e pasluftës, mirëpo pasojat e luftës dhe të traumës janë ende në familje, dhe janë rritur këta fëmijë me këto pasoja. E dyta; jemi duke folur për një periudhë kohore kur shumë prej bashkatdhetarëve tanë kthehen në shtëpi, por ata të rinj të cilët janë të rritur me një vend tjetër, me një kulturë tjetër, të cilëve u kanë thënë se tradita dhe kultura jonë është e prapambetur dhe të cilët duan të ikin nga ky sistem i prapambetur, por ata ende nuk e kanë marrë një kulturë apo traditë të një vendi tjetër, dhe çka ndodhë është se është larguar një sistem i vlerave i cili nuk është i mirë dhe i përshtatshëm, nuk është marrë tjetri dhe defakto ne kemi mbetur pa sistem të vlerave”.

Rexhepi përmendi edhe ardhjen e mërgimtarëve duke theksuar vrasjen e argjentinases, të cilën dyshohet se e hodhi nga kati i gjashtë, i dashuri i saj nga Drenasi, e i cili jeton në Zvicër.

Ai tha se tek bashkatdhetarët tanë ka dyzim të kulturave ku nganjëherë mospërshtatshmëria apo konflikti midis kulturave i lë pa ndonjë sistem vlerash fare.

“Apo t’i marrim të rinjtë të cilët janë këtu; me një shkallë shumë të lartë të papunësisë, me një shkallë shumë të lartë të varfërisë, me një shkallë ku promovohet vlera se dikush vjen vetëm nëse ka një ekzistencë shumë të mirë ekonomike, apo nëse është i pasur, dhe vlera e tij llogaritet në euro apo në dollarë dhe e kemi humbur një sistem të vlerave të cilin ne e kemi e që është më e madhja; familja. Nuk e kemi humbur ende, është në zbehje e sipër e që do të ketë pasoja.

Nuk është dhuna tek ne më shumë se në vendet e tjera, nëse e marrim me e krahasuar me sport, ne kemi sportistë individualë që kanë arritur rezultate kulmore, dhe kemi një qëndrueshmëri në ato sporte”.“Cilin sport kolektiv ne e kemi të mirë? Ne si individë funksionojmë por jo si kolektivitet. Nuk mund të flasim për shëndetin mendor duke akuzuar vetëm profesionistët e shëndetit mendor, tash kemi shumë më shumë psikologë, numri i psikiatërve nuk është rritur dhe do të jetë në rënie për një kohë. Por për një mirëqenie të mirë, për një shëndet mendor të mirë, posaçërisht po flas për të rinjtë, nuk është vetëm çështje e policisë se a po funksionon siç duhet, ose vetëm e gjyqësisë, apo e arsimit. Problemi është se nuk ka një interaksion të këtyre profileve që do të ofronin një siguri më të madhe”.

Ai pohon se shoqëria jonë funksionon shumë më mirë individualisht se kolektivisht dhe se fajin nuk e hedh tek një sferë e vetme. Sipas tij, ka mungesë të bashkëpunimit me qëllim ofrimin e sigurisë më të madhe për të gjithë.

Gjithashtu neuropsikiatri Rexhepi tha se e sheh të arsyeshme që për individët që kanë interaksion të punohet me ta, si dhe se të organizohen aktivitete e turne ku të rinjtë të munden të lirojnë energjinë e tyre, raporton EO.

“Ne i kemi të rinjtë me plot energji, qysh kur unë kam qenë student, që është më shumë se 40 ose 45 vite, ne atëherë kemi pasur gara, turnine të ndryshme, qysh prej gjimnazit. Këto aktivitete sot mungojnë. Ata të rinj duhet diku ta zbrazin atë energji. Nuk mund ta fajësojmë gastronominë, merreni me mend nëse ju shkoni në një lokal të pini kafe, dhe duke hy brenda dikush ju bastisë, si do të ndiheni. Kështuqë nuk mund ta fajësojmë gastronominë, ata i kanë truprojat, rojat aty, por edhe ata e kanë të kufizuar qasjen me mysafirë. Ka rënë pragu i durimit shumë, ne nuk kemi problem vetëm në lokalet apo klubet e natës, ne i kemi të njëjtat probleme në semaforë, ku ndalemi të presim, ne i kemi të njëjtat probleme në parkingje, poashtu në markete e në qendrat për blerje. Kudo që ka më tepër njerëz. Më pas i kemi personat të cilët shërbejnë. Thjesht nuk janë të interesuar se ata do të kenë punë dhe do ballafaqohen me njerëz me prag të ndryshëm të durimit. Nuk është sikurse dikush ta ofron një kafe me një buzëqeshje e sikur kur vetëm ta lëshon në tavolinë”.

“Ne si shoqëri duhet të punojmë për ta parandaluar ose minimizuar dhunën në familje. Si pasojë e luftës dhe e pandemisë është rritur niveli i ankthit, është ulur pragu i durimit dhe mundësia për konflike është shumë më e madhe për shkak se shumë shpesh vjen në shprehje imulsiviteti i individit dhe nuk duhet shumë për të arritur tek një konflikt. Kjo është ajo ku ne si shoqëri, ju si medie, do ta krijoni mundësinë e debateve të ndryshme ku do të shkëmbehen mendime edhe të profesionistëve por edhe të popullatës. Sepse nuk duhet popullatës t’i ofrojmë atë çka ne kemi ose atë çka ne mundemi, ne thjesht duhet të ndërgjegjësohemi që popullatës t’i ofrohet ajo për çka ka nevojë jo ajo që ofrojmë ne”.

Përgjatë këtyre ditëve, kanë ndodhur katër vrasje një grua dhe tre burra. Për vrasjen e argjentinases është arrestuar i dyshuari, mirëpo për tri rastet tjera, ka ende të dyshuar në arrati. Për rastin në Klinë është Tush Frroku, ndërsa për atë në “Bon Vivant” është Dukagjin Nikollaj dhe një i dyshuar tjetër nuk është identifikuar.

Të paidentifikuar janë edhe dy persona tjerë që dyshohet se e kanë vrarë sot një person dhe kanë plagosur tre të tjerë në Skenderaj.

Tashmë është bërë i ditur edhe identiteti i të vrarit dhe i të plagosurve. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i vrarë Nexhmedin Loshi, 39 vjeç, ndërkaq janë plagosur Qëndrim Januzi 26 vjeç, Fidan Januzi 41 vjeç dhe Muhamet Ramadani 35 vjeç. Akoma nuk dihen motivet e vrasjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat