​Konkursi “Gati. Tash. Evropa jonë!”, Orav: Fotografitë më të mira do të shfaqen në 6 qytete të Ballkanit Perëndimor

Kosova

​Konkursi “Gati. Tash. Evropa jonë!”, Orav: Fotografitë më të mira do të shfaqen në 6 qytete të Ballkanit Perëndimor

Më: 24 prill 2025 Në ora: 16:46

WeBalkans, iniciativa e Komisionit Evropian për komunikim në Ballkanin Perëndimor me përkrahjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë kanë lansuar sot në Prishtinë konkursin rajonal të fotografisë për të rinj “Gati. Tash. Evropa jonë!”, një ftesë për të treguar, përmes imazheve, se si sporti bashkon komunitete dhe përçon vlerat evropiane. E fotografitë më të mira, do të shfaqen në gjashtë qytete të Ballkanit Perëndimor.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, theksoi se kjo nuk është thjesht një garë sportive, por një fushatë gjithëpërfshirëse.

Orav:Fotografitë më të mira të zgjedhura në të gjithë rajonin do të udhëtojnë në gjashtë qytete të Ballkanit Perëndimor

“Ne nuk po nisim thjesht një garë në futboll, por po lansojmë një fushatë që pasqyron se kush jemi ne. Evropa që po ndërtojmë së bashku është gjithëpërfshirëse, e bashkuar dhe plot potencial. Kjo garë është një ftesë e hapur për të treguar se si sporti bashkon njerëzit, si ndërton ura, ngre komunitete dhe mëson vlerat dhe të vërtetat e BE-së, respektin, këmbënguljen, shpirtin e ekipit dhe guximin. Përmes fotografive tuaja, ne duam të shohim historitë tuaja, të komunitetit tuaj, pasionit tuaj, miqësisë tuaj. Sporti ka një mënyrë unike për të treguar të vërtetën. Kur luan, ti tregon veten tënd të vërtetë. Dhe kur dikush e kap atë në kamerë, ajo flet më fort se fjalët. Jam veçanërisht krenar që Kosova po mirëpret këtë nisje sot. Ka kaq shumë talent e krijimtari këtu, dhe nuk kam dyshim se shumë nga dorëzimet më frymëzuese do të vijnë prej jush. Fotografitë më të mira të zgjedhura në gjithë rajonin do të udhëtojnë në gjashtë qytete të ndryshme në Ballkanin Perëndimor. Pra, kur të dërgoni fotografinë tuaj, dijeni se historia juaj ka fuqinë të rezonojë në mbarë rajonin dhe Evropën”, tha Orav.

Ndërsa, udhëheqësja e komunikimit në WeBalkans, Raluca Costache, shpjegoi strukturën e programit.

Costache: Programi ynë i komunikimit është si një urë që lidh angazhimin e BE-së me qytetarët

“Programi ynë i komunikimit është si një urë që lidh angazhimin e BE-së me qytetarët përmes rrjeteve digjitale dhe rrjetit të Ambasadorëve të Rinj Evropian. Misioni ynë, të flasim për ndikimin e BE-së dhe zgjerimin e BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe sot po flasim për sportin dhe për kapacitetin e sportit për të bashkuar njerëzit rreth vlerave të BE-së. Thjesht bashkohuni në këtë konkurs dhe shijoni lidhjen me bashkëmoshatarët”, shtoi Costache.

E njëra ndër ambasadoret e reja evropiane të WeBalkans, Sibora Sejdini, ndau përvojën e saj personale me fotografimin.

Sejdini: Për mua, kapja e njerëzve, ose portreteve, ishte mënyra se si mund të shprehja veten

“Për mua, kapja e njerëzve, ose portreteve, ishte mënyra se si mund të shprehja veten. Fytyra të gëzuara, të trishtuara, të zemëruara, flasin më fort se fjalët. Dhe ta bësh këtë në sport, që është një dialog i drejtpërdrejtë, është edhe më mirë. Kështu kemi disiplinë, kulturë, qëndrueshmëri”, u shpreh ajo.

Konkursi “Gati. Tash. Evropa jonë!” do të qëndrojë i hapur për aplikime deri më 24 maj 2025. Tri fotografitë më të mira nga Kosova do të përzgjidhen për të hyrë në fazën e turneut, që përfshin ekspozita mobile në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, si dhe shfaqje finale në Bruksel.

Me këtë nismë, organizatorët synojnë të forcojnë bashkëpunimin mes të rinjve të rajonit dhe institucioneve evropiane, duke ndarë përmes artit të fotografisë mesazhet e përbashkëta të gjithëpërfshirjes, unitetit dhe partneritetit./

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat