Ngrohtorja e kryeqytetit Termokos sot ka bërë një prezantim publik informues për projektin “Solar 4Kosovo II”.
Ky projekt në vlerë prej mbi tetëdhjetë milionë euro synon që të rrit pjesën e energjisë së rinovueshme në pjesën e Prishtinës, raporton KosovaPress.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se projekti konsiston në ndërtimin e një centrali diellor me kapacitet prej pesëdhjetë megavatë për të siguruar kapacitet shtesë të energjisë ngrohëse në zgjerimin e rrjetit të ngrohtores qendrore në Prishtinë.
Rama theksoi se ky projekt do të ndihmojë kryesisht në promovimin e tranzicionit të gjelbër duke kontribuar në zbutjen e ndryshimeve klimatike.
Ai shtoi se termocentrali i ri dhe rrjeti i zgjeruar i ngrohtores qendrore do të zvogëloj emitimet e dioksidit të karbonit, duke përmirësuar cilësinë e ajrit në gjithë kryeqytetin si dhe do të integroj furnizimin me energji të rinovushmne në sistemin e ngrohjes qendrore të Prishtinës.
Rama potencoi se “Solar 4Kosovo II” do t’iu shërbej lagjeve që nuk janë të lidhura me sistemin e ngrohjes qendrore duke zëvendësuar sistemet individuale të ngrohjes.
Rama tha se fushëveprimi i projektit do zbatohet në faza.
Ndërkaq, drejtori i Termokosit, Fisnik Osmani tha se projekti do të mundësojë shtrirje të rrjetit në disa pjesë të Prishtinës.
Ai potencoi se për pjesën e zgjerimit të rrjetit në tërë Prishtinën është çështje muajsh për të dalë me një analizë për komplet Prishtinën duke ndarë të njëjtën në 11 zona të reja.
Ky projekt është i bashkëfinancuar nga Republika Federale Gjermane përmes KfW, Bashkimi Evropian në kuadër të Marrëveshjes Kornizë të Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe një kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Përfitues do të jenë banorët e lagjeve Tophane, Kalabri, Lakrishtë, Lagja e Muhaxherëve, Gjinaj Jug dhe Prishtina e vjetër.