Me rastin e 1 Qershorit - Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, IPKO së bashku me këngëtarin, Ledri Vula ka shpërndarë dhurata për fëmijët në Klinikën Hemato-Onkologjike të Pediatrisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Në këtë ditë të veçantë për fëmijët, IPKO është përkujdesur që të sjellë buzëqeshje në fytyrat e vogëlushëve dhe t’iu lehtësojë për disa momente këtë periudhë të vështirë nëpër të cilën po kalojnë.
Udhëheqësja për komunikim në IPKO, Afrika Zyferi tha se kauzat si kjo sot që synojnë të sjellin lumturi për fëmijët janë shumë të rëndësishme për këtë kompani.
Zyferi:Kauzat që synojnë lumturi për fëmijët janë shumë të rëndësishme për neve
“Ne sot kemi ardhur për nder të 1 Qershorit vetëm për t’iu dhuruar fëmijëve buzëqeshje dhe shumë dashuri, nga një dhuratë të vogël simbolike që nuk çon peshë shumë të madhe, por dhurata më e madhe është që e kemi sjell Ledri Vulën brand ambasadorin tonë të IPKO për t’i parë fëmijët, sepse dihet që fëmijët i adhurojnë Ledrin dhe këngëtarë të ndryshëm... Sot nuk kemi bërë ndonjë donacion të madh financiar, kemi dhuruar vetëm buzëqeshje dhe dhurata të vogla, mirëpo si IPKO jemi gjithmonë afër komunitetit me donacione të mëdha dhe të vogla dhe kauza si kjo që kanë shpirt dhe zemër janë shumë të rëndësishme për neve”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, Ledri Vula tha se është çdo herë i gatshëm për aktivitete të tilla.
Vula: Fëmijët na sollën ngrohtësi
“Erdhëm të sjellim buzëqeshje për fëmijët, por po më duket më shumë u lumturuam ne me ngrohtësinë që na dhanë, edhe unë jam gjithmonë i gatshëm sa herë ka nevojë, unë vizatohem këtu”, tha ai.
Dhuratat, e sidomos praninë e Ledri Vulës e mirëpriti edhe shefja e repartit të Hemato-Onkologjisë Rufadije Maçastena, e cila tha se këto dhurata ua lehtësojnë sado pak trajtimin fëmijëve që janë duke marrë trajtim në këtë repart.
Maçastena: Këto dhurata janë gëzim i madh për fëmijët
“Disa fëmijë që e kanë kryer trajtimin këtu tek ne edhe ata janë disa këngëtarë të vegjël dhe nga këtu i bëj thirrje Ledrit që ta bëjë një duet me njërin nga fëmijët tanë... Këto dhurata modeste në formë të lodrave apo çfarëdo që të jenë, janë një gëzim shumë i madh për fëmijët se gjatë qëndrimit këtu është një kohë të cilën ata e kalojnë me vështirësi, por siç i patë edhe fëmijët tjerë, të gjithë ata fëmijë, një grumbull i madh ata prindër që kanë kaluar nëpër duart e krejt këtij stafi dhe janë trajtuar, edhe sot ata janë të shëruar, një pjesë e madhe e kanë përfunduar edhe terapinë, vërtetë është gëzim shumë i madh”,
IPKO ka vite që është përfshirë në kontributin në sektorin e shëndetësisë, e veçanërisht në luftën kundër kancerit.
Viti 2023 filloi me një sërë donacionesh nga IPKO për Klinikën Hemato-Onkologjike të Pediatrisë dhe Klinikën Onkologjike në QKUK.