Komuna e Shtimes shpall gjendje emergjente pas reshjeve të dendura të shiut

Kosova

Komuna e Shtimes shpall gjendje emergjente pas reshjeve të dendura të shiut

Më: 18 nëntor 2025 Në ora: 22:50
Vershtimet ne Shtime

Pas daljes në terren gjatë orëve të mbrëmjes, ku nga afër vlerësoi gjendjen e rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera, kryetari i Komunës së Shtimes Dr. Qemajl Aliu ka marrë vendim që në gjithë territorin e komunës të shpallet gjendje emergjente.

“Të nderuar qytetarë, reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona të komunës. Duke u bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë tona institucionale, kam marrë vendimin që në gjithë territorin e Komunës së Shtimes të shpallim gjendje emergjente, me qëllim që të reagojmë me efikasitet dhe të mbrojmë sigurinë e të gjithëve", tha kryetari Aliu.

Gjatë ditës së nesërme pritet të mblidhet sërish Shtabi Emergjent, i cili tashmë gjendet në terren dhe po zhvillon veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës.

Nga orët e hershme të mëngjesit, të gjitha drejtoritë komunale me njësitë dhe shërbimet vartëse, si dhe me mbështetjen e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Policisë, janë angazhuar maksimalisht për ta mbajtur situatën nën kontroll.

Në disa fshatra gjendja paraqitet më e rënduar, por ekipet dhe shërbimet komunale me makineri të specializuar janë duke ndërhyrë me kujdes për trajtimin e dëmeve të shkaktuara dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Komuna e Shtimes u bën thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në normalizimin e plotë të situatës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat