Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, mori pjesë sot në takimin e organizuar nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ku u diskutua për zhvillimin e parqeve industriale dhe rolin e tyre në fuqizimin ekonomik të komunave.
Në fokus të diskutimeve ishte rëndësia e krijimit të hapësirave moderne industriale, të cilat pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në mbështetjen e bizneseve vendore, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Gjatë këtij takimi u prezantuan edhe modele bashkëkohore të menaxhimit të parqeve industriale, të hartuara me mbështetjen e German Economic Team, të cilat synojnë menaxhim më efikas të objekteve afariste, hapësirave të përbashkëta dhe shërbimeve brenda këtyre parqeve.
Kryetari Aliu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional në krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillim ekonomik lokal dhe avancimin e sektorit të biznesit.