Brenda kuletës u gjetën 205 euro, 20 franga zvicerane dhe 400 dollarë amerikanë, si dhe dokumente personale. Policia e identifikoi pronarin dhe ia ktheu të gjitha sendet e paratë.
Një qytetar nga fshati Drejë i Istogut ka treguar shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, pasi ka dorëzuar në polici një kuletë me para dhe dokumente personale që e kishte gjetur në rrugë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, qytetari A. Puka është paraqitur dje në Stacionin Policor në Istog, pasi kuletën e kishte gjetur në rrugën “Ibrahim Rugova”, në afërsi të një bankomati në qytet.
Ai e kishte dorëzuar kuletën menjëherë në polici, pa e kontrolluar përmbajtjen e saj.
Gjatë verifikimit nga zyrtarët policorë, në kuletë janë gjetur dokumente personale dhe para në tri valuta: 205 euro, 20 franga zvicerane dhe 400 dollarë amerikanë.
Përmes dokumenteve personale, policia ka arritur ta identifikojë pronarin e kuletës, i cili është kontaktuar dhe ftuar në stacion. Pas verifikimeve, është konfirmuar se përmbajtja e kuletës përputhej me deklarimin e pronarit, ndërsa kuleta, së bashku me të gjitha paratë dhe dokumentet, i është kthyer atij.
Policia e Kosovës e ka vlerësuar lart veprimin e qytetarit, duke theksuar se gjeste të tilla dëshmojnë ndershmëri, përgjegjësi qytetare dhe respekt për pronën e të tjerëve.
Sipas policisë, veprime të tilla ndihmojnë edhe në forcimin e besimit të ndërsjellë ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të sigurisë.