Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me incidentin me armë zjarri që ndodhi mbrëmë në Gjakovë, ku mbetën të plagosur dy persona.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, dy meshkuj kosovarë janë plagosur nga arma e zjarrit, e cila dyshohet se është përdorur nga një person tjetër, gjithashtu mashkull kosovar.
Të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor dhe, sipas mjekëve, janë jashtë rrezikut për jetë, transmeton "Bota sot".
Policia bën të ditur se palët e përfshira në incident kanë lidhje familjare mes vete, ndërsa motivi i rastit ende nuk dihet.
I dyshuari është arrestuar, ndërsa gjatë hetimeve është sekuestruar një armë që dyshohet se është përdorur në rast, katër gëzhoja dhe një fishek.
Po ashtu, bashkëshortja e të dyshuarit ka dorëzuar në polici edhe një armë gjuetie, e cila ishte në pronësi të tij.
Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.