Hyrje të dyshuara ilegale nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, policia raporton tri raste

Kronikë

Hyrje të dyshuara ilegale nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, policia raporton tri raste

Nga: A.M. Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 08:54
Fotoilustrim

Policia e Kosovës ka raportuar tri raste të kalimit ilegal të kufirit në lokacione të ndryshme, ku janë përfshirë shtetas të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Rasti i parë është regjistruar më 16 nëntor, rreth orës 12:35, në fshatin Novosellë të Kamenicës. Njësiti policor ka ndaluar një veturë me targa të huaja, në të cilën ndodheshin tre persona, dy femra dhe një mashkull, shtetas të Serbisë, të cilët dyshohet se kishin hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës, jashtë vendkalimit kufitar, transmeton “Bota sot”.

Po atë ditë, rreth orës 19:30, në pikën kufitare Dheu i Bardhë, është ndaluar një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohet se kishte hyrë ilegalisht nga territori i këtij shteti në Kosovë. Ndërkaq, rasti i tretë është regjistruar në Bërnjak, rreth orës 23:21, ku policia ka ndaluar një veturë me targa serbe, në të cilën ndodheshin pesë persona, prej tyre katër të dyshuar, dy femra dhe dy meshkuj, shtetas të Kosovës, të cilët dyshohet se kishin hyrë ilegalisht nga Serbia.

Në të tri rastet, pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar ose rastet janë proceduar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me kalimet e dyshuara ilegale të kufirit do të vazhdojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat