Simovski: Familjarët mund të deklarojnë përkatësinë etnike e fetare të të afërmve

Maqedonia

Simovski: Familjarët mund të deklarojnë përkatësinë etnike e fetare të të afërmve

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 19:58
Apostoll Simovski

Drejtori i Entit të Statistikave, Apostoll Simovski, thotë se ka qenë gabim i tij kur gjatë prezantimit të metodologjisë tha se familjarët nuk do të mund të paraqesin përkatësinë etnike, fetare dhe gjuhësore të të afërmve që nuk do të jenë të pranishëm gjatë regjistrimit të popullsisë.

“Nuk ka asnjë lloj problemi mes meje dhe zëvendësit. Ligji është i qartë në atë pjesë, ndoshta unë gabova gjatë prezantimit të metodologjisë në këtë pjesë. Gjithsesi kemi situatë të qartë, nuk kemi asnjë problem, ligji qartë thotë se mund të jepen të dhëna për familjarët dhe miqtë”, deklaroi Apostoll Simovski – Drejtor i Entit të Statistikave.

Simovski gjithsesi thekson se më e mira do të ishte që të dhënat të jepen personalisht, e për këtë mërgimtarët të informohen se edhe vetë do të mund të regjistrohen përmes aplikacionit online që nga 1 marsi pritet të jetë aktive.

“Gjithnjë është më së miri që personalisht të jepen të dhënat dhe të gjithë ata që kanë kontakt me njerëzit që janë jashtë, t’i kontaktojnë dhe t’u tregojnë se ueb-faqja jonë mundëson për vetëregjistrim”, theksoi drejtori i Entit të Statistikave, Apostoll Simovski.

Kjo deklaratë e Simovskit, solli reagimin edhe të zëvendësdrejtorit të Entit të Statistikave, Ilmi Selami, i cili tha se drejtori e ka gabim, sepse kjo nuk parashihet as në ligj e as në metodologjinë e regjistrimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat