Mërgata shqiptare vazhdimisht e shpëton denarin, e ai vazhdon ti diskriminojë ata

Maqedonia

Mërgata shqiptare vazhdimisht e shpëton denarin, e ai vazhdon ti diskriminojë ata

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 16:33
Foto ilustrim

Denari, lindi me 1992 si një valute e një shteti të ri që do ta zëvendësonte Dinarin jugosllav në dukje por jo dhe në vlerë. Sot, edhe pas gati tri dekadash denari maqedonas vazhdon të përfaqësoj një shtet mono etnik, edhe pse shteti është multietnik, multikulturor e multikonfesional.

Shteti, Denarit në mënyrë artificiale vazhdon t’ia ruaje vlerën me metoda jo konvencionale që s’i njeh tregu monetar. Por, vlerën vazhdojnë t’ia shtojnë eurot, frangat, dollarët e diasporës shqiptare që llogariten të jenë te larta. Në Maqedoni sipas të dhënave zyrtare të Bankës Popullore, në emër të remitancave vitin e kaluar janë derdhur rreth 2 miliardë euro.

E shteti i brishtë vazhdon t’ua këmbejë me një vlerë jo reale qe 30 vite. Derisa, të gjithë monedhat në treg edhe ato më të fuqishmet kanë oscilime por jo dhe Denari. Pra, 30 vite plaçkitje të atyre që kontribuojnë aq shumë për stabilitet, dhe ekonominë e vendit.

Diskriminimi i shqiptarëve vazhdon ende edhe pas tri dekadash i shfaqur në 1001 pamje të shëmtuara e shokuese, edhe pas premtimeve elektorale, edhe pas marrëveshjeve ndërkombëtare (Ohrit dhe Prespës), edhe pas premtimit dhe zhgënjimit të madh nga vetë partitë shqiptare, pozitë e opozitë. Për tri dekada, valuta maqedonase ende vazhdon ti zhgënjej shqiptarët turpshëm me dukjen e imazhit te saj, vetëm me alfabet cirilik, me ikona kishtare të vjedhura nga kulturat të huaja, me asnjë shenjë të vetme me motiv shqiptar. Këto bankënota, duken si relikte të shkreta në pamje e në vlerë.

Pra, kjo valutë vazhdon ti shërbejë në mënyrë diskriminuese edhe popullit autokton shqiptar, me i moçmi në ketë shtet e në Ballkan por i pa përfaqësuar në këtë valutë.

Imazh pas imazhi, kartëmonedhë pas kartëmonedhe, vazhdojnë të pasqyrojnë një realitet të trishtë mono etnik dhe një të vërtete të shtrembëruar: Në kartëmonedha janë vendos afreske me lajtmotiv kishtar të shek. X apo mesjetës, një torzo mermeri e Perëndeshës Egjiptiane Izida, monedhë e farkëtuar gjatë kohës së Justinianit të II-të, afreske Shën Mëria me Jezu Krishtin në fron, nga kisha Shën Gjergji, f. Kurbinovë, Resnjë, dy xhami te kohës osmane dhe Hamami i Shkupit.

Derisa, te monedhat shfaqet trofta e Ohrit, Rrëqebulli dhe qeni i Sharrit. Asgjë me motiv shqiptar, asnjë germë shqipe, as edhe emri i republikës, pos germave cirilike maqedonase me motive që përvetësojnë kulturat e fqinjëve të vet, por pa të veten që u mungon. Edhe pse, remitancat apo dërgesat e diasporës shqiptare janë mjete financiare që e shpëtojnë nga kolapsi ekonominë e Maqedonisë së Veriut, duke e ruajtur stabilitetin makroekonomik si dhe kursin ‘stabil’ të denarit. Benificionet nga vjelja e devizave që sjellin mërgimtarët tanë nuk janë vetëm për bilancin pagesor por është mbulesë edhe për deficitin tregtar që sa po vjen e rritet.

Vallë, a janë të vetëdijshëm politikanët, guvernatorët e bankave të MV se paratë e diasporës shqiptare ndikojnë jo vetëm në rritjen e qarkullimit ekonomik por dukshëm ndikojnë në zbutjen e krizës ekonomike me dekada. Tërë sistemi bankar dhe financiar është në duar të maqedonasve derisa valuta sigurohet nga shqiptarët por menaxhohet sërish nga maqedonasit, derisa shqiptaret e mbajnë gjallë ekonominë, maqedonasit flasin për euro integrime.

Kur flitet për valutën, MV duhet të ndjek shembullin e euros, që me elementet e dizajnit simbolizojnë frymën evropiane të hapjes dhe bashkëpunimit. Secili prej vendeve të eurozonës, përdor motive dhe ikona të njohura ose tradicionale. Euro, përdor edhe alfabetin grek dhe bullgar në monedhat dhe bankënotat e veta. Banka Qendrore Evropiane (ECB) po ashtu përdor dhjetë variante linguistike bazuar në protokollin e BE-së.
Derisa, mërgimtaret shqiptarë vazhdojnë pandërprerë ti sjellin shtetit remitanca, të këmbejnë valuta me vlere për një denar të pavlerë, ata njëkohësisht vazhdojnë të diskriminohen nga “Narodna Banka…” dhe politikat diskriminuese në çdo sferë të jetës.
Maqedonia Veriore, vendi që simbol e ka diellin, por ky diell i saj nuk i ngroh të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, derisa, aty tolerohen thirrje antishqiptare nëpër arenat sportive, derisa ka gjyqe dhe afera të montuara, te burgosur te pafajshëm, diskriminim në arsim, me libra ofendues në lëndët e gjeografisë e historisë, diskriminim në punësim dhe detyrim të braktisjeve masive të vendit. Në Maqedoninë e Veriut pushteti Maqedonas përherë mundohet ta mbuloj me saç diellin, derisa partnerët e tyre shqiptar e aprovojnë me lepe e pa kushte çdoherë, por, a mbulohet me saç dielli. A do te kene kurajo te zgjedhurit tane te kerkojne qe pamja e denarit te mbaje edhe elemente shqiptare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat