Të burgosurit të Grupit të Kumanovës i refuzohet trajtimi mjekësor, reagon avokati Raufi

Maqedonia

Të burgosurit të Grupit të Kumanovës i refuzohet trajtimi mjekësor, reagon avokati Raufi

Më: 21 prill 2021 Në ora: 11:51
Grupi i Kumanovës

Demë Shehu, i dënuar në rastin “Lagja e Trimave”, prej 20 ditësh kërkon një vizitë te stomatologu, por kjo gjë akoma nuk është miratuar. Gjatë një prononcimi avokati Naser Raufi tha se, Gjykata ka refuzuar kërkesën e tillë me arsyetimin se nuk ka asistencë për të realizuar vizitën mjekësore.

“Gjendja e tyre ka qenë çdoherë e keqe edhe sjellja e gardianëve ka qenë një problem. Disa herë i kemi paraqitur këto probleme te Avokati i Popullit. E kemi rastin e Demë Shehut, ku përpiqemi ta dërgojmë te stomatologu prej 20 ditësh dhe nuk na lejohet një gjë e tillë. Gjykata arsyetohen kinse nuk kanë asistencë. Ne kemi siguruar nga një spital privat ndihmën për stomatolog dhe zvarritet me qëllim kjo punë, me arsyen se nuk kanë asistencë që ta realizojnë këtë, kurse bëhet fjalë për një punë delikate që konkretisht, i pandehuri Demë Shehu ka dhimbje të mëdha dhe të padurueshme. Kjo punë përsëritet çdo herë për këta të burgosur”, tha avokati Naser Raufi për gazetën Lajm.

Më tej, ai foli edhe për kushtet e rënda në qelinë e dy të dënuarve tjerë nga rasti “Lagja e Trimave” për të cilët tha se, vuajnë dënimin një hapësirë prej katër metër katror.

“Për rastin e Hajrush Avdija që me një tjetër të burgosur nga “Lagja e Trimave” janë praktikisht në katër metër katror dhe mua më habit përgjigja e Avokatit të Popullit i cili vlerëson se qenkan kushtet e volitshme, që është me të vërtetë non-sens. Si munden të qendrojnë dy persona në katër metër katror dhe të jenë kushte që plotësohen. Është një arsyetim nga Avokati i Popullit që nuk mban me të vërtetë. Dhe mund të them që kjo gjendje prej vitit 2015 me dhunë, me maltretime vazhdon edhe sot”, u shpreh avokati Naser Raufi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat