Në Maqedoni skriningu i nxënësve do të realizohet në 473 shkolla, prindërit të ndarë në qëndrime

Maqedonia

Në Maqedoni skriningu i nxënësve do të realizohet në 473 shkolla, prindërit të ndarë në qëndrime

Më: 14 tetor 2021 Në ora: 16:23
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë do të kryej skrining në 364 shkolla fillore dhe 109 të mesme më qëllim zbulimin e hershëm dhe mbrojtjen nga Covid 19. Gjithsej do të përfshihen 8.178 nxënës. Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se do të përfshihen 80 komuna dhe qyteti i Shkupit.

Numri më i madh i testeve do të bëhet në Tetovë, Kumanovë, Manastir, Gostivar dhe Prilep. Me këtë rast, nga Shëndetësia u apelojnë prindërve që të lejojnë fëmijët e tyre të testohen në mënyrë që të marrin të dhëna të sakta për transmetimin e Covid 19 nëpër shkolla si dhe të identifikohen rastet asimptomatike te shkollarët fillor dhe të mesëm.

Në shkollën fillore “25 Maji” në Hasanbeg akoma nuk kishte arritur asnjë njoftim nëse nxënësit e kësaj shkolle do të testohen. Drejtori Fadil Murtezani tha se skriningu është i mirëpritur.

“Ne, deri më sot nuk kemi njoftim me shkrim nga Ministria e Arsimit. Atë që kemi dëgjuar është nga lajmet. Shumica e mësimdhënësve që kanë pasur kontakte nga mbledhjet e fundit me prindërit e kanë diskutuar këtë temë dhe nuk ka pasur reagime për arsye se e dimë se Hasanbegu ka bë pjesë në zonën e krizës të pandemisë dhe asnjë nuk ka qenë kundër që të testohen fëmijët e tyre”, deklaroi Fadil Murtezani, drejtor i Sh.f “25 Maji”.

Pro testimit u shprehën edhe nxënësit e kësaj shkolle.

Në Shkolla të tjera disa prind kanë refuzuar testimin e fëmijëve me arsyetimin se fëmijët nuk duhet testuar nëse nuk kanë simptoma të virusit korona. Skriningu në shkolla pritet të filloj nga java që vjen pasi paraprakisht do të merret leja e prindit ose kujdestarit. Testimi do të kryhet në objektin e shkollës, në një hapësirë të posaçme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat