Maqedonia e Veriut në prag të zgjedhjeve lokale

Maqedonia

Maqedonia e Veriut në prag të zgjedhjeve lokale

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 21:06
Maqedoni e Veriut

Partitë politike dhe kandidatët e tyre për kryetarë komunash po e përmbyllin fushatën para heshtjes zgjedhore që hyn në fuqi në mesnatë, ndërsa patën mundësi për 20 ditë të paraqesin platformat dhe premtimet e tyre para elektoratit. Partitë më të mëdha vlerësohet se kanë kanë shpenzuar shuma të mëdha fondesh për marketingun dhe paraqitjet televizive, teksa retorika e tyre shpesh ishte sulmuese dhe ofenduese ndaj rivalëve politikë.

Partitë në pushtet, ndërkohë janë angazhuar në pak muajt e fundit, e sidomos gjatë fushatës në meremetimin dhe asfaltimin e rrugëve nëpër zona rurale dhe në përurimin e disa kapaciteteve ekonomike, ndërsa të gjitha partitë dhe kandidatët premtojnë shkolla, çerdhe për fëmijë, parkingje dhe në veçanti transparencë e llogaridhënie nëse fitojnë besimin e votuesve për të drejtuar komunat.

Për herë të parë në këto zgjedhje, zyrtarisht janë lidhur koalicione ndëretnike dhe atë, Lidhja Social Demokrate me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe me Lëvizjen Besa në disa komuna, si dhe VMRO-DPMNE-ja e opozitës me partitë shqiptare të opozitës Aleanca dhe Alternativa.

Zgjedhjet mbahen me dy raunde dhe të paktë mund të jenë garuesit të cilët fitojnë qysh në raundin e parë. Partitë shqiptare, BDI nga njëra anë dhe Aleanca me Alternativën, nga ana tjetër në shumicën e komunave i kanë nxjerrë kryetarët aktualë për të garuar për mandatin e radhës, siç ka bërë edhe Lidhja Social Demokrate.

Gara më e vështirë pritet të zhvillohet për Shkupin midis kryetarit aktual të komunës, Petre Shilegov të Lidhjes Social Demokrate dhe Danella Arsovskës, e cila është deklaruar si e pavarur, por që ka mbështejen e VMRO-së dhe të Aleancës për Shqiptarët dhe të Alternativës. Ndërkaq, zotin Shilegov e përkrahë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim.

Gara pritet të jetë e vështirë, sipas analistëve edhe në Tetovë, ku Teuta Arifi e BDI-së kandidon për një mandat të tretë; ndërsa në garë janë edhe kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, Vullnet Murseli i Aleancës me Alternativën dhe ish-kreu i komunës, Sadi Bexheti nga radhët e Partisë Demokratike Shqiptare.

Zgjedhjet lokale të së dielës do të vëzhgohen nga Misioni ODIHR i OSBE-së me 165 përfaqësues nga 29 vende dhe nga dhjetra përfaqësues të ambasadave e përfaqësive diplomatike në Shkup, si dhe nga disa qindra vëzhgues të organizatave joqeveritare./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat