Pendarovski: Pa integrime të reja në BE, koncepti i Evropës së bashkuar do të mbetet vetëm një ëndërr

Maqedonia

Pendarovski: Pa integrime të reja në BE, koncepti i Evropës së bashkuar do të mbetet vetëm një ëndërr

Më: 24 maj 2022 Në ora: 19:44
Stevo Pendarovski

Presidenti i vendit Stevo Pendarovski sot në kuadër të takimit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, mbajti fjalim në panelin “Ruajtja e sigurisë në Evropë”.

Në fokus të diskutimit ishte lufta në Ukrainë, por edhe hapat që duhet të ndërmarrë Bashkimi Evropian.

Në panelin e diskutimit morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, kryeministri belg Alexander de Kro, ministrja holandeze e mbrojtjes Kaisa Ollongren dhe kreu i Administratës Presidenciale në Ukrainë, Andriy Yermak.

Pjesëmarrësit në panel, dënuan agresionin rus dhe shprehën mbështetjen për popullin ukrainas.

U theksua rëndësia e parandalimit të përshkallëzimit të konfliktit në Ukrainë dhe nevoja për të siguruar mbrojtjen e aleatëve të NATO-s.

Presidenti Pendarovski theksoi se pushtimi rus i Ukrainës, si asnjëherë më parë, imponoi nevojën që Bashkimi Evropian të fokusohet në integrimin e Ballkanit Perëndimor, proces ky që do të forcojë më tej stabilitetin, sigurinë, demokratizimin e rajonit dhe në këtë mënyrë do të kontribuojë në siguria e përgjithshme në kontinent.

Ai theksoi se NATO, por edhe Bashkimi Evropian, janë dy korridoret për një të ardhme më të mirë, më të sigurt dhe më të begatë.

“Ne duhet të ndihmojmë Ukrainën, për të bindur aleatët e tjerë që mund të kenë njëfarë skepticizmi. Politika e “dyerve të hapura” nuk duhet të zbatohet vetëm për NATO-n, por duhet të zbatohet edhe për Bashkimin Evropian, dyert e të dyja organizatave të mbeten të hapura për popullin ukrainas. Ukrainasit po luftojnë për lirinë e tyre, por kjo luftë është edhe për mbrojtjen e vlerave demokratike. Kjo është një luftë e një autokracie kundër demokracisë. Nëse Putini arrin disi ta fitojë këtë luftë, atëherë ai nuk do ta mposhtë vetëm Ukrainën”, tha Pendarovski, duke shtuar se Maqedonia e Veriut po e mbështet Ukrainën.

Sipas Pendarovskit, politika e dyerve të hapura duhet të vazhdojë, jo vetëm në raport me NATO-n, por edhe në raport me Bashkimin Evropian, sepse në të kundërtën koncepti i Evropës së bashkuar do të jetë vetëm një ëndërr.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat