​Tre shtetas bullgarë ndalohen në kufi me Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

​Tre shtetas bullgarë ndalohen në kufi me Maqedoninë e Veriut

Më: 4 shkurt 2023 Në ora: 20:32
Foto ilustriml

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se autoritetet maqedonase kanë ndaluar tre shtetas bullgarë në pikën kufitare me Bullgarinë, Deve Bair, për prishje të rendit publik.

Një grup i shtetasve bullgarë ka qenë duke pritur për të hyrë të shtunën në Maqedoninë e Veriut, për të nderuar figurën e Goce Dellçevit në përvjetorin e 151-të të lindjes së tij.

Goce Dellçev ka udhëhequr një rezistencë maqedono-bullgare kundër Perandorisë Osmane në periudhën e vitit 1900 dhe për të kanë pretendime edhe Shkupi, edhe Sofja.

“Ata fillimisht janë sjellë në mënyrë të paturpshme dhe të pahijshme me fjalët më nënçmuese dhe më pas kanë tentuar të sulmojnë fizikisht punonjësit e policisë, të cilët po kryenin veprime zyrtare, me ç ‘rast janë ndaluar dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rastit”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, shkruan REL, përcjell KosovaPress. 

Sistemi i kontrollit në pikën kufitare Deve Bair është pezulluar për katër orë, për shkak të, siç kanë njoftuar nga MPB-ja, “pengesave teknike”, gjë që ka penguar hyrjen e shtetasve bullgarë në Maqedoninë e Veriut.

Por, zyrtarët bullgarë dyshojnë se bëjnë fjalë për “gabim të qëllimshëm” për të penguar ardhjen e bullgarëve në Shkup.

Ministri i Punëve të Brendshme i Bullgarisë, Ivan Demerxhiev ka thënë se një sjellje e tillë është e papranueshme, aq më tepër që nuk “përputhet me drejtimet në të cilat po lëvizin dy kombet tona”, dhe se nuk ka arsye për “sjellje negative”.

Ky njoftim vjen teksa drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut kanë përfunduar manifestimet e organizuara për 151-vjetorin e lindjes së Dellçevit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat