“Shtrenjtuam ushqimet e pashëndetshme për të mbrojtur popullin” – Kovaçevski dhe Bekteshi çudisin me deklarata

Maqedonia

“Shtrenjtuam ushqimet e pashëndetshme për të mbrojtur popullin” – Kovaçevski dhe Bekteshi çudisin me deklarata

Më: 9 tetor 2023 Në ora: 17:46
Ministri Bekteshi

Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë u ngrinë 25 lloje të produkteve ushqimore me çmime të ulura, kurse me propozim të Ministrisë së Financave u bë ngritja dyfish e TVSH-së e mbi 350 artikujve ushqimorë. Ministri Bekteshi tha se në mesin e çmimeve të garantuara do të rishikohet nëse ka ndonjë lëshim teknik.

“Mund të duken kontradiktore, por më e rëndësishmja është që Ministria e Ekonomisë kur i ka përgatitur vendimet, ka bërë listën duke u bazuar në analiza konkrete që janë zbatuar nga fillimi i këtij viti. Këto produkte që janë me çmim të garantuar, asnjëri prej tyre nuk do të jetë me TVSH më të lartë se 5%. I garantoj qytetarët që nëse në këtë listë është bërë ndonjë gabim teknik nga të punësuarit e Ministrisë së Financave, ajo nesër do të korrigjohet”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Kryeministri Kovaçevski thotë se për të rregulluar këtë disbalanc të çmimeve në plan afatgjatë është duke u përgatitur Ligji për parandalimin e praktikave jo korrekte, siç zbatohet në shtetet e BE-së. Ai tha se do të rregullohet i gjithë zinxhiri nga prodhuesi, tek tregtari me shumicë dhe shitjet me pakicë. Kovaçevski tha se Maqedonia ka listën më të gjerë në rajon të prodhimeve të taksohen me 5% nga 18% sa është TVSH.

“Maqedonia e Veriut ka listën më të madhe të prodhimeve me TVSH të ulur në 5%, janë 1,600 prodhime të gjitha produkte bazë që shfrytëzohen në sasi të madhe nga qytetarët e vendit tonë. Janë disa artikuj të caktuar, të cilët gjithashtu taksohen me 10%, mos të harrojmë që TVSH bazë është 18%, por në listën e 10% janë vlerësuar luksoze dhe jo bazike madje edhe jo të shëndetshme siç janë patatinat!”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kryeministri sugjeron të largohen shprehitë e kequshqyerjes, prandaj u lirua çmimi i birrës por u shtrenjtuan patatinat, mezet dhe apetisierët shoqëruese me të. Madje çmimi i disa ushqimeve të foshnjave i domosdoshëm çdo ditë ka tatimin e njëjtë sa çmimi i prodhimeve të detit, të cilat qytetarët i shohin vetëm nëpër rrjetet sociale. Krahu i djathtë tij, zëvendëskryeministër për çështje ekonomike Bytyqi thotë se nuk kanë përllogaritur sa buxhet do të arkëtojnë shtesë nga rritja e TVSH-së për këto artikuj.

“Këto janë masa afat mesme të reformave fiskale, asnjëra prej saj nuk mund ta definoj efektin e menjëhershëm, por artikuj të caktuar duhet të kenë masa preferenciale. Këto janë para që përfundojnë te qytetarët tanë dhe do të shërbejnë për nevojat sociale të qytetarëve tanë”, u shpreh Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Ndërkohë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se inflacioni është ulur në 6.6% në krahasim me muajin paraprak të gushtit sa ishte 8.3%. Por, sipas Entit, indeksi i kostos së jetesës dhe i çmimeve në shitje me pakicë ka shënuar rritje prej 4.7% në shtator nëse merret për krahasim muaji i njëjtë i vitit të kaluar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat