Sali: Raporti i KE-së kërkon rezultate konkrete në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit

Maqedonia

Sali: Raporti i KE-së kërkon rezultate konkrete në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit

Nga: A.M. Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 21:53
Bekim Sali

Zv.kryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka bërë të ditur se në mbledhjen e përbashkët të Këshillit Nacional për Eurointegrime dhe Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvend është diskutuar Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 dhe hapat që duhet të ndërmerren në vijim.

Sali ka thënë se raporti njeh angazhimin në Planin e Rritjes dhe harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, por njëkohësisht kërkon rezultate më të mëdha në disa fusha kyçe.

Ai ka theksuar se ndër çështjet ku kërkohet përparim janë sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe administrata publike.

“Vlerësimet mund të ndryshojnë sipas metodologjisë, por rëndësi ka përmbajtja: çfarë duhet përmirësuar, kush është përgjegjës dhe brenda cilit afat. Nuk na duhen gara statistikash, por reforma që zbatohen”, ka deklaruar Sali.

Ministri ka bërë të ditur se Ministria për Çështje Evropiane do të vazhdojë koordinimin ndërinstitucional për t'i kthyer rekomandimet e raportit në masa të matshme.

Sipas tij, synimi është që reformat të sjellin shërbime më të mira dhe mundësi reale për qytetarët dhe bizneset.

Në fund, Sali ka theksuar se procesi i integrimit evropian kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve, përtej dallimeve partiake.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat