Do të shokohemi në vazhdim se çka është përgatitur nga njerëzit tanë në pushtet e parti politike

Opinione

Do të shokohemi në vazhdim se çka është përgatitur nga njerëzit tanë në pushtet e parti politike

Hafiz Shala - New Nork Nga Hafiz Shala - New Nork Më 5 dhjetor 2020 Në ora: 23:22
Albin Kurti

Tani kur sheshazi po dalin kurthet, skandalet, operacionet e agjencive të llojllojshme informative më operacione dezinformative me qëllime më parë të dizajnuara, koha, po na i qet në sipërfaqe lakuriq, qoftë edhe autorët të cilët, e sollën Kosovën në këtë derexhe në çdo aspekt edhe më ndërhyrjen e mikut dhe shpëtimtarit tonë, përmes një pjese të administratës së korruptuar dhe të deformuar jashtë normave demokratike amerikane.

Do të shokohemi në vazhdim se çka është përgatitur nga njerëzit tanë në pushtet e parti politike të cilat, për ta fshehur e mos zbuluar të kaluarën e tyre kundër interesave të shtetit e qytetarëve, për aferat e tyre korruptive e pasurim të jashtëligjshëm, ishin dhe vazhdojnë të mbesin të përkushtuar që, edhe pas 6 tetorit 2019, pasi u hodhën jashtë me votën e sovranit, ta rimarrin pushtetin dhe të vazhdojnë me praktikat e vjetra.

Paturpësia dhe epshet e tyre të sëmura për pushtet e për të mbijetuar, nuk hezitojnë që me dhunë ta marrin postin e presidentit, për të cilin po luhet me fatin dhe ardhmërinë e Kosovës, pa u lëshuar dhe analizuar të kaluarën e tyre.

Absolutisht, ama, bash absolutisht, asnjëri nga kandidatët pretendues nuk vijnë në shprehje për të parin e vendit.

Në këtë post në momentet, në të cilat gjendet Kosova me gjithë sfidat shumë të ndërlikuara, të cilat e presin e që kërkohet uniteti dhe konsensusi, ky post duhet të mbulohet me një personalitet apartiak.

Nëse vazhdohet me këtë diskurs që, nuk ka as arsye që të diskutohet për emrat e përveçëm të deritanishëm të apostrofuar, i bie që, po mbesim në reliktet e vjetra të, mbajtjes dhe rimarrjes së pushtetit me dhunë, përmes pazareve politike duke mos u liruar nga sëmundja për pushtet, duke menduar se pa prezencën e tyre në hierarkinë e pushtetit, Kosova, do të përjetojë “ përkeqësime shumë të dëmshme”.

E vërteta është krejtësisht e kundërta. Kosova, pa juve, do të frymojë më lirshëm, do të shndërrohet në një shtet ligjor dhe drejtësi të pakontrolluar e të pa kapur në të gjitha nivelet.

Se pushtetarët e deritanishëm, dikush është në burg e dikush në pritje. Dikush për krime ndaj njerëzimit, ende sipas aktakuzave të prokurorit special, e disa, për të cilët duhet të formohet një gjykatë speciale në Kosovë për korrupsion, nepotizëm, pasurim të jashtëligjshëm përmes tenderëve deri te konfiskimi i pasurisë, është e vetmja rrugëdalje për ta rikthyer besimin e shpresën e humbur të popullit dhe për të ecur përpara.

Për shqyrtimin e vendimeve gjyqësore joadekuate sipas veprave, për të cilat u ngarkuan por nuk u dënuan, sepse, ose ishin të shantazhuar, të kërcënuar ose të korruptuar, e disa, edhe u detyruan të largohen nga vendi për hir të sigurisë personale e familjare, është më se e nevojshme që, për të ecur përpara dhe kthyer besimin në drejtësi, të iniciohet kjo gjykatë.

Më siguri se do të këtë rezistencë deri në maksimum, por, me një qeveri të ndershme, të pa korruptuar e jo e formuar nga pazaret politike, por nga vota e popullit, do të ketë garanci e sukses, ani pse jo edhe e lehtë.

Dhe kush është penguesi, pengmbajtësi i shtetit dhe shoqërisë kosovare, u shpërfaq haptas ditëve të sotme.

Lidhja Demokratike e Kosovës që thirrej në filozofinë e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, edhe pse me kryeneqësi dhe pa mbulesë e mbronin se “qëndrojnë të paluhatshëm në këtë kurs”, fatkeqësisht, koha na e dëshmoi të kundërtën.

Duke mos qenë as anëtar e as simpatizant i asnjë partie politike në Kosovë, simpatizoj parti e individë, të cilët i mbrojnë interesat nacionale e popullore, është e pa qëndrueshme që udhëheqësia e kësaj partie ende të qëndrojë në krye të saj.

Jo vetëm humbja e saj në zgjedhjet lokale në Podujevë, që ishte një alarm se elektorati fanatik i LDK-së, për një moment e humbi besimin ne udhëheqjen e saj, por, largimi nga pozicionet politike të kësaj partie, e cila, njihej si shtet formuese, tolerante dhe bashkëpunuese me rëndësi nacionale, u lëshua në prehrin e partive politike, për të cilat ankohej për shumë vepra deri të likuidimi i individëve të afërt me themeluesin e shtetit të Kosovës, por, sa po duket, pjesëmarrja në veprimet korruptive-kriminale, u detyruan t’i pranojnë shantazhet e klanit PANA- Pronto për bashkëqeverisje, gjoja për interesa nacionale.

Intelektualët e LDK-së, e kanë përgjegjësinë historike që me veprime të mirë menduara, të shpejta dhe efikase, të bëjnë ndryshimet e domosdoshme që nga i pari i LDK-së, si pengues i ecjeve përpara të procese e demokratike e shtetërore që Kosovës mund t’i kushtojnë shumë për të ardhmen e saj.

Organi më i lartë i BE-së, Parlamenti Evropian i cili konstatoi së dezinformatat e kanë rrëzuar Qeverinë e Albin Kurtit, vërtetojnë së demokracia dhe rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit, ranë pre e gënjeshtrave dhe dezinformatave.

Kryetari i LDK-së me nënkryetarin Agim Veliun, ishin autor i puçit dhe bashkëpunimit me ish-presidentin dhe një pjese të administratës amerikane, për ta rrëzuar këtë qeveri dhe prish koalicionin e quajtur “të shpresës”, por i “pa shpresës”.

Unë dua të besoj se intelektualë brenda LDK-së të gjinive e moshave më të reja dhe të edukuara jashtë Kosovës, duhet ta marrin përgjegjësinë që, të bëhen ndryshime radikale.

Kjo parti para lufte, gjatë lufte dhe pas lufte, ishte bartëse e barrës së proceseve shtet formuese dhe prijëse në të gjitha proceset demokratike.

Sipas kësaj që po e ceku në këtë shkrim, do t’i bie se unë jam simpatizant i kësaj partie e as anëtar, por i cytur që, partitë politike si kjo, të jenë të konsoliduara për interesa të shtetit dhe popullit.

Definitivisht, kjo qeveri dhe këto parti politike të pa reformuara në të gjitha aspektet e kuadrove dhe filozofike, nuk japin shpresë për ndryshime progresive.

Miqtë tanë të vërtetë, na ndihmuan t’i identifikojmë mungesat për çka i falënderojmë, por presim që një qeveri e re me parti politike të reformuara, të mund ta marrë barrën e proceseve, me të cilat do të ballafaqohet Kosova në muajt dhe vitet në vijim.

Andaj, para se t’i fajësojmë të tjerët, duhet ta fajësojmë vetën.

Me veprimet ose mosveprimet tona, vetë ja kemi fut pykën lisit tonë shekullor i quajtur Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat