U duk si socialist i mirë, por paska qenë “shejtan me brirë”

Opinione

U duk si socialist i mirë, por paska qenë “shejtan me brirë”

Nga: Prof. Dr. Eshref Ymeri Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 13:44
Eshref Ymeri

Para do kohësh qe botuar në internet informacioni në vijim:

“Pandeli Majko, sot ministër i Diasporës, i njohur ndryshe edhe si ministri i lojës “Mos u nxeh”, është akuzuar dhe lakuar nga politikanë të së majtës dhe së djathtës për fshehjen e 5 milionë USD para të pista në bankat e Qipros... Personi që dyshohet se e spiunoi për herë të parë Majkon, është Anastas Angjeli, i konsideruar si Mamuthi i korrupsionit në Shqipëri… Vite më vonë, Majko u shpreh:

“Diku nga viti 2000, unë kisha dhënë dorëheqjen si kryeministër, dhe kryetari i opozitës, zoti Berisha, në atë kohë bënte opozitën e dytë, ishte në kulmin e vetë të akuzave. Në atë periudhë doli në publik dhe tha që Pandeli Majko ka 5 milionë USD në bankat e Qipros. Dhe të them të drejtën, e mbaj mend mirë atë mëngjes që kam ardhur në Parlament, mendova se do më thumbonin, do më thonin “ç’janë këto histori, ku, tek, si…”. Kalova në këtë sallë dhe vajta në kafe dhe çfarë të shoh, “mirëmëngjesi” njëri, “mirëmëngjesi, o yll”, tjetri. “Ti paske qenë i madh”, më thoshin të tjerët. U ula në një tavolinë, që u çuan 12 veta në këmbë, duke më pritur dhe duke më thënë “eja dhe ulu”, dhe e di kush ishte konkluzioni? “Ne të dinim të mbaruar, por ti paske qenë tepër i veçantë”. Pra, kjo është psikologjia, mbi të cilën funksionojmë ne te kafja”…

Javët e fundit, ministria me në krye Majkon, ka bërë një tender skandaloz dhe fyes, duke blerë 2 mijë kuti “Loja mos u nxeh’. Edhe me këtë skandal Majko u përpoq të bëjë humor!” (Citohet sipas: “Pandeli Majko 5 milionë USD në bankat e Qipros, e spiunoi një ministër socialist”. Faqja e internetit “Pamfleti”. 08 gusht 2020).

Ky informacion, i cili më ngjalli një ndjenjë të thellë zhgënjimi, më nxiti të shtegtoj nëpër faqet e internetit për të mësuar se cili është jetëshkrimi i Pandeli Majkos, të cilin deri tani e kam pasë vlerësuar si një socialist korrekt dhe të panjollosur nga pisllëku i korrupsionit. Megjithëse një dyshim të vogël e kam pasur për figurën e tij, kur ca kohë të shkuara pati deklaruar se donte më shumë partinë socialiste sesa Shqipërinë. Asokohe nuk i pata vënë rëndësi asaj deklarate, por ma pati risjellë në kujtesë publicisti i talentuar me brumosje nacionaliste Erl Kodra, i cili e ka cituar në një shkrim të botuar më shumë se një vit më parë. Në atë shkrim ai rrëfehet, duke e vënë veten në rolin e Pandeli Majkos. Ja rrëfimi në vijim:

“A ju kujtohet një shprehje e imja, ku deklarova diçka me Partinë Socialiste dhe Shqipërinë? Më besoni, kurrë në jetën time nuk kam qenë më i sinqertë. Unë e dua Shqipërinë, por më shumë e dua Partinë Socialiste” (Citohet sipas: Erl Kodra. “Pandeli Majko “braktis” Edi Ramën”. Faqja e internetit “Syri”. 01 mars 2019).

Pra, ja ku fleka lepuri: Pandi do më shumë partinë socialiste, si një parti me udhëheqësi antishqiptare, kurse Shqipëria për të na qenkej e huaj, se ai, siç do të sqarohet më poshtë, qenka bullgar.

Më shumë se 11 vjet më parë, faqja e internetit “fv.al” e datës 27 mars 2009, pati botuar një material interesant për Pandeli Majkon, me titull “Origjina e Pandeli Majkos, ky socialist “i shquar””. Aty thuhet:

“Në verën e vitit 1991, në Ambasadën e Bullgarisë në Tiranë u paraqit një grup shtetasish shqiptarë me nacionalitet të supozuar bullgar, kryesisht me origjinë nga Gollobërda, Gora dhe Prespa, që qenë nismëtarë për krijimin e shoqatës “Ivan Vazov”, e cila do të bashkonte bullgarofonët e Shqipërisë. Në këtë grup qe dhe një djalë i ri, që binte në sy për dy veti që do të mbeteshin më të spikaturat për të edhe në të ardhmen, se flokët kishin filluar t' i thinjeshin shumë shpejt dhe se vazhdimisht qeshte. Kur i erdhi radha që të prezantohej, njeriu që kryesonte grupin, Namik Dokle (i cili, meqë ra fjala, më pas nuk pati më dëshirë që t’i kujtohet kjo aventurë bullgare, sepse familjarët e vet u bënë nismëtarë të orientimit të Gorës nga Serbia), me sensin e vet të njohur të humorit, e prezantoi djaloshin si inxhinier Pandeli Majko, bullgar i padyshimtë dhe i pastër, jo vetëm nga emri, por edhe nga shpirti. Pandeli Majko reagoi duke bërë të vetmen gjë që ai realisht di të bëjë, ai qeshi. Diplomati bullgar që i priste dhe të cilit i bëri përshtypje mbiemri i të riut, pyeti për origjinën e tij. Djaloshi Pandeli Majko tha se origjina e familjes së vet qe nga Prilepi i Maqedonisë ku pati lindur babai i vet, Sotir Majko”.

Në vijim, në atë material flitet se cila do të ishte ecuria e jetës së Pandeli Majkos, si inxhinier mekanik.

“Çfarë do të bënte djaloshi 24 vjeçar Pandeli Majko me diplomën e inxhinierit mekanik, diplomë kjo që në Shqipërinë e vitit 1991 vlente praktikisht aq sa njëzet centimetra lëkurë viçi me të cilën qe veshur, aq më tepër që Majko dhe notat i kishte të ulta? Sigurisht asgjë. Djaloshi Pandeli Majko qe në kërkim të një alternative. Atëhere qe koha kur në Shqipëri inicohej krijimi i gjithfarë shoqatave dhe organizatave të etnive dhe kështu Pandeliu një ditë dëgjoi për nismën për krijimin e shoqatës së shtetasve shqiptarë me origjinë bullgare. Atëhere thuhej se kjo shoqatë do të kishte mbështetje të madhe financiare nga shteti bullgar dhe diaspora bullgare në Perëndim, çka për Pandin do të thoshte një alternativë për të nxjerrë bukën e gojës pa shumë mund. Kështu që Pandi, të cilit iu kujtua historia familjare bullgare, e kapërceu “Rubikonin” dhe iu përkushtua çështjes nacionale bullgare, duke zgjedhur të qe një “minoritar” bullgar në Shqipëri. Por Pandeliut nuk i eci dhe aq në këtë aventurë, pasi grupi nismëtar i shoqatës “Ivan Vazov” u bë shpejt një fole intrigash, ku një zog ende pa pupla nuk akomodohej dot. Por, Namik Dokle, nismëtari i krijimit të shoqatës “Ivan Vazov” qe ai që do t’i hapte Pandit perspektivën e vërtetë, duke e lançuar djaloshin Pandeli Majko në politikë”.

Dhe Pandeli Majko, si edhe dikush tjetër nga radhët e neokoministëve shqiptarë, të cilët i ngjiti në skenën e politikës demoshëmtia dhjetoriste shqiptare, nga bankat e universitetit, me një diplomë inxhinieri krejtësisht formale në xhep, përfundoi në kolltukun e deputetit të Kuvendit, i cili do të çelte perspektivën ylberiane për shumimin e oligarkëve parazitë. Dhe Pandi, duke thënë me vete “kur të vjen e mira në derë, s’ka nevojë t’ia hapësh, se e mira e hap derën vet”, me siguri që duhet të ketë klithur nga entuziazmi kur ka firmosur listëpagesën e “ylefesë” së parë: “për hair më qoftë rroga e parë në jetën time si deputet!”. Dhe që asokohe, Pandi, për më shumë se 28 vjet rresht, vazhdon të firmosë listëpagesën për marrjen e “ylefesë” dhe as që është kujtuar më ndonjëherë për “diplomën e inxhinierit”, e cila i ka zënë myk diku në ndonjë “zgëq” të shtëpisë. Domosdo. Ç’i duhej Pandit puna e inxhinierit, i cili bukën e gojës e fiton me djersën e ballit, kur dihet që politika në Shqipëri është biznesi më fitimprurës, madje është kaq fitimprurës, saqë, pa derdhur fare pikë djerse, të bën milioner dhe miliarder, duke të ndihmuar që kapitalin financiar ta fshehësh nëpër bankat e huaja pa kurrfarë mundimi.

Në rubrikën “komente” për materialin e sipërcituar për Pandin, më bënë përshtypje të thellë dy ndërhyrje. E para mban pseudonimin “mirela”, ku thuhet:

“Këtu në këtë vend duhet një revolucion tip Zhan d’Ark… Po kush ta bëjë revolucionin, të vdekurit…!?”.

Po jo, moj e nderuara “mirela”, nuk zgjidhet gjë me revolucion në Shqipëri, edhe sikur të dalin në skenë njerëz të gatshëm për kryerjen e tij. Sepse nuk ka siguri që ata do të jenë të zhveshur nga psikologjia mercenariste, nga servilizmi para të huajve, tipare këto që janë të rrënjosura në gjenin tonë që nga lashtësia pellazgoiliriane dhe që kanë dëshmuar se pellazgoilirët dhe shqiptarët, si pasardhës të tyre, të huajin e kanë pasë respektuar dhe vazhdojnë ta respektojnë më shumë se vetveten.

Veç kësaj, e nderuara “mirela”, nuk mund të bëhet revolucion në Shqipëri edhe për një tjetër arsye madhore, po të keni parasysh ca fjalë të arta të njërit prej përfaqësuesve më të shquar të opozitarizmit të diktaturës komuniste dhe të demoshëmtisë neokomuniste, të ndjerit Maks Velo, i cili ka thënë:

“…Problem është se ne si popull e duam të keqen. E duam të fortin, atë që thyen rregullat, hajdutin, sepse ai që është i mirë dhe që punon, është një copë budalla” (Citohet sipas: “Jehona e botimit të UET-PRESS, Maks Velo: “Ne si popull e duamn të keqen, e duam të fortin…””. Faqja e internetit e gazetës “Mapo”. 03 gusht 2018).

Në një material, të botuar kohë më parë, kam pasë cituar shqiptarin e nderuar kosovar Sokol Braha, me banim në Zvicër, i cili, këtu e nëntë vjet të shkuara, pati botuar një libër fort interesant. Aty ai shkruan:

“Shqiptarët përshëndetin, nderojnë, urojnë, përgëzojnë, presin e përcjellin me krenari, sepse i kanë në traditën e tyre këto dhe i ruajnë me krenari. Edhe pse këta komshinj nuk i ftuam ne, por na erdhën si miq të paftuar! Por unë pyes veten: a na solli neve ndonjë të mirë bujaria dhe zemërgjerësia me të huajt? Asnjëherë, kurrë! (Sokol Braha. “Vjen i kodrës, nxjerr të votrës”. Shtypshkronja “Grafobeni”. Prishtinë, 2011, f. 56).

Sigurisht që qëndrimin kaq mikpritës, me kaq bujari dhe zemërgjerësi të tepruar ndaj të huajve, këta e kanë pasë vlerësuar dhe vazhdojnë ta vlerësojnë si kompleks inferioriteti të shqiptarëve. Por për njerëz me komplekse inferioriteti nuk ka kush asnjë fije repekti. Prandaj shqiptarët, në heshtje, nuk gëzojnë aspakt respekt, qoftë nga ana e fqinjëve tanë grekosllavë, qoftë nga ana e Perëndimit evropian. Dhe kjo për shkak të politikanëve “tanë”, të cilët, me servilizmin e tyre të pështirë, sidomos para diplomatëve e huaj në Tiranë, e le më në takime me personalitete evropiane dhe amerikane jashtë vendit, na kanë turpëruar keq në sytë e tyre.

Ndërsa në ndërhyrjen e dytë, me pseudonimin “nostra” theksohet:

“Si nuk doli një figurë shqiptare që të mos ta ketë të kaluarën kaq të njollosur, prejardhjet kaq të dyshimta, qellimet kaq të mistershme dhe atdhedashurinë kaq në pikëpyetje? Meqenëse jemi te pikëpyetjet, a drejtohet vallë Shqipëria nga shqiptarë?”.

E kuptoj fare mirë shqetësimin e komentueses apo komentuesit me pseudonimin “nostra”. Pyetja nëse vendi ynë drejtohet nga shqiptarë ose jo, është shumë e drejtë. Fajtorë jemi vetë ne shqiptarët, sepse nuk kemi qenë në gjendje të krijojmë qytetërimin shqiptar përmes kalitjes së vetëdijes kombëtare. Kjo për arsye se gjatë shekujve jemi hedhur sa nga njëra fe te tjetra. Por s’kemi qenë të aftë ta kuptojmë rolin e fesë në çimentimin e vetëdijes kombëtare. Vaso Pasha lëshonte thirrjen e famshme që nga Libani “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Jo, ore i nderuar pasha, që nuk pranove të vije guvernator në Shqipëri, por pranove të shkoje në Liban. E ka pasur gabim pashai i nderuar. Se ajo “shqiptaria”, për të cilën bën thirrje ai, nuk u bë kurrë vatër dhe kudhër e fuqishme e kalitjes së vetëdijes kombëtare, e krijimit dhe e çimentimit të qytetërimit shqiptar. Sepse vetëdija kombëtare dhe qytetërimi shqiptar mund të kaliteshin dhe të çimentoheshin vetëm përmes kudhrës së fesë, e cila ka luajtur një rol vendimtar në krijimin e qytetërimit evropianoperëndimor dhe grekosllavolindor. Shqiptarët, në shumicën dërrmuese, u hodhën në krahët e errësirës otomane, shumë prej tyre hynë në shërbim të saj, braktisën organizimin mbarëkombëtar, shtruan kurrizin dhe, për qejfin e patrikanës së Stambollit dhe të sulltanagait, si bashkëpunëtorë të ngushtë me njëri-tjetrin, ndenjën pa shkolla shqipe për shekuj me radhë.

Në mbyllje dëshiroj të theksoj se nuk më bëjnë fare përshtypje ato 5 milonë USD të Pandeli Majkos, sepse të tjerë politikanë-oligarkë të partisë socialiste dhe të partisë demokratike mund të kenë të depozituara gjetiu edhe shumë më tepër miliona. Por më bën përshtypje diçka tjetër:

Së pari, pse ky deputeti dhe ministri Pandeli Majko e përcjell vetëm me një buzëqeshje akuzën që i është bërë për ato 5 milionë USD, të fshehura në bankat e Qipros? Nëse në këtë akuzë nuk ka asgjë të vërtetë, cila është arsyeja që ai nuk ka ngritur padi kundër akuzuesve për shpifje? Sepse nëse akuza është thjesht një shpifje hesapi dhe Pandeliu vazhdon të heshtë, atëherë lexuesit kanë plotësisht të drejtë të mendojnë se ai qenka kaq burracak, saqë paska frikë edhe nga hija e vet. Heshja e tij a nuk dëshmon për bukuri se akuzuesit kanë të drejtë?

Së dyti, Pandeli Majko deklaron se si e pritën në kafe kolegët deputetë, me çfarë entuziazmi të jashtëzakonshëm, duke u çuar më këmbë, kur kishin marrë vesh për atë depozitë në Qipro. Ky qëndim i kolegëve të tij deputetë, biçim politikanë, më kujtoi marrëdhëniet e çifligarëve rusë me njëri-tjetrin në kohën e carizmit, kur ishte në fuqi e drejta e bujkrobërisë, se si i mburreshin shoku-shokut se sa bujrobër kishte njëri dhe sa kishte tjetri në pronësi, çka për ta ishte kapital financiar. Madje njëri prej tyre pati arritur deri aty me mburrjet e veta, saqë pati deklaruar si bujkrobër të vet edhe të vdekur nga radhët e tyre, çka pati shërbyer si subjekt për një vepër artistike, të cilën e pati shkruar shkrimtari i njohur Nikollaj Gogoli (1809-1852), me titull “Shpirtra të vdekur” (1842). Pra, kriteri kryesor i vlerësimit të politikanit nga ana e biçim politikanëve deputetë në vendin tonë, është shifra disamilionëshe e kapitalit 

financiar që ai ka në zotërim, të fshehur në bankat e huaja. Kjo dëshmon se sa lart e vlerësojnë hajdutin dhe sa respekt të madh kanë për të biçim politikanët “tanë”. Nuk e di me saktësi nëse këtë “demaskim” të kolegëve të vetë Pandi e ka bërë se është ndodhur bosh, apo ka pasë qenë i kapluar për një çast nga naiviteti.

Akuza në adresë të Pandeli Majkos për depozitën prej 5 milionë USD në bankat e Qipros, një akuzë kjo që nuk është hedhur poshtë me vendim gjykate, si edhe deklarata e sipërcituar e tij për entuziazmin e kolegëve deputetë, dëshmojnë për dy gjëra.

E para - Shqipëria, për politikanët shqiptarë, shërben si tokë e premtuar, pra, si kopshti i Edenit apo si kopshtet e Armidës, sepse votuesit shqiptarë të kujtojnë delet e Panurgut [heroi i romanit “Gargantua dhe Pantagruel” (1532) i shkrimtarit francez Fransua Rable (François Rabelais - 1494-1553)].

E dyta - ky “sinqeritet pa dashje” i Pandit vërteton më së miri se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, të cilin në një shkrim të dikurshëm e pata vlerësuar si universitet të servilizmit, s’përfaqëson gjë tjetër, veçse një shportë karavidhesh që të kujton fare mirë shportën e karavidheve të Bllokut të famshëm komunist që rrethohej nga bajonetat e Gardës.

Në faqen e internetit “freeforumzone” të datës 30 tetor 2006, qe botuar një material më i hollësishëm për jetëshkrimin dhe karrierën politike të Pandeli Majkos. Ai material titullohej “Sekretet e karrierës së Pandeli Majkos”. Edhe ky material më bëri shumë përshtypje se mbyllej si më poshtë:

“Nga të gjitha ato egërsira në udhëheqësinë socialiste-korrupcioniste, Pandeli Majko dukej më i miri, por ja që edhe ky na doli bullgar, edhe një arsye më shumë që tregon se partia socialiste është me të vërtetë një parti antishqiptare”.

Ky përfundim nuk më duket plotësisht i drejtë, sepse antishqiptare nuk është e gjithë partia socialiste. Antishqiptare është vetëm kasta e saj drejtuese. Kurse masa e thjeshtë e socialistëve janë shqiptarë, por shqiptarë kurrizshtruar, të cilët kasta socialiste antishqiptare i shkel me këmbë kur të dojë dhe si të dojë. Dhe një gjë e tillë e ka gjetur plotësisht mishërimin e vet në praktikë gjatë më shumë se shtatë vjetëve të fundit të qeverisjes socialiste, kur vendin e kanë braktisur gjysmë milioni apo edhe më shumë njerëz për shkak të varfërisë që i pllakosi nga qeverisja në fjalë.

Brumosjen e vet antishqiptare Pandeli Majko e ka vulosur me qëndrimin që paska mbajtur dikur kundër Armatës Kombëtare Shqiptare dhe kundër Frontit të Bashkuar Kombëtar Shqiptar. Ja çfarë shkruhej asokohe në një faqe interneti, në të cilën pati qenë botur një letër e hapur që i drejtohej Pandeli Majkos:

“Mbrëmë, sapo të dëgjova rrëfimin idiotesk, dhënë një TV shqiptar, thashë me vete: “ja, ky bullgari, tash sulmon edhe AKSH-në dhe liderët e FBKSH-së”. Nuk mund të them se u habita me përbuzjen që ai shprehu në drejtim të AKSH-së, por nuk mund të them se nuk u revoltova nga ky sulm i hapur kundër një prej grupimit politik në Shqipërinë Etnike, që ka qenë dhe mbetet shpirti i atdhetarizmës shqiptare” (Citohet sipas: Flori Bruqi. “Sekretet e karrierës së Pandeli Majkos. Letër e hapur Pandeli Majkos”. Faqja e internetit “Forumi Shqiptar”. 16 tetor 2007).

Duhet të jemi të vetëdijshëm se sulmi i Pandeli Majkos kundër AKSH-së dhe FBKSH-ë nuk duhej trajtuar kaq thjesht. Sepse ai ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e pandarë e strukturave të larta të partisë socialiste, si krahu i djathtë i kryetarit të saj. Prandaj qëndrimi i tij kundër Armatës Kombëtare Shqiptare dhe Frontit të Bashkuar Kombëtar Shqiptar, ishte reflektim i drejtëpërdrejtë i qëndrimit tradicional antikombëtar të udhëheqësisë së partisë socialiste ndaj tyre, çka pasqyronte mbështetjen e pikëpamjes së Fatos Nanos, i cili pati mëkatuar rëndë në takimin me Millosheviçin në Kretë dhe me deklaratën armiqësore që pati lëshuar që nga Lisbona, se kryeqytet i Kosovës na qenkej Beogradi!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat