Zhvat njerëzit zhvat shtetin, mbush dhomat me para

Opinione

Zhvat njerëzit zhvat shtetin, mbush dhomat me para

Nga: Jak Simoni Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 16:20
Jak Simoni

Mjafton të kesh në qafë stetoskopin që mjeku i famshëm René Laennc  e zbuloi, sepse, për të dëgjuar rrahjet e  zemrës të një pacienteje,  nuk ia lejonte vetes të vendoste veshët në kraharorin e saj, gjë të cilën disa nga mjekët tanë rrezik nuk e dinë, dhe në dorë “çekiçin e gjykatësit” dhe mund të grumbullosh para për të mbushur dhomat e shtëpisë.

Në të shkuarën ishim mësuar të dëgjonim shprehjen mbush xhepat, tani po dëgjojmë mbush dhomat. Fatkeqësisht kjo që po  dëgjojmë e shohim këto ditë nuk është e izoluar, por vetëm maja e ajsbergut që noton në ujerat e sistemit  shëndetësor  e juridik shqiptar prej disa dekadash. Zhvatja e familjarëve të pacientëve, duke shfrytëzuar statusin e “shpëtimtarit të jetës” dhe pasurimi duke shfrytëzuar statusin e “shpëtimtarit nga burgosja” ka qenë dhe është e vazhdueshme.

Ka ndryshuar, ose më mirë të thuash është perfeksionuar, vetëm mënyra duke u kthyer në një strategji ku shfrytëzohen aftësitë sugjestionuese, natyrisht më të theksuara këto tek mjekësia.  Për arsye sigurie gjithçka behet në  mënyrë gjysmë të fshehtë dhe zakonisht pas trajtimit të pacientit. Mjeku apo infermieri po u kap duke marrë paratë  nga ndonjë aparat filmues, justifikimi duhet të jetë i gatshëm: na i falen vetë. 

Për mos  të lënë pa përmendur dhe akte më të rënda që ndodhin në spitalet tona si praktikat çnjerëzore fetare tek kirurgjia e fëmijëve në Tiranën e qytetëruar ku, siç thuhet, kanë precedence ndaj pacientëve (jo për dedikim ndaj perëndisë, por për paratë që jepen më me qejf  për praktika të tilla)  të vërtetë etj.  Krahasuar me çfarë gjiron aty, sanitaret dhe infermieret shohin këtë situatë dhe zilia e tyre shuhet herë me pak, herë me shumë e herë me aspak.

Shqiptarët, që kanë humbur besimin tek të gjithë dhe gjithçka, paguajnë kur kanë dhe kur nuk kanë, sepse në raste sëmundjesh u  gjenden pranë të afërmit dhe miqtë brenda dhe jashtë vendit. Spitalet publike financohen nga shteti, por studiot e vizitave një pjesë e madhe  e mjekëve i përdorin si të ishin privatizuar. Mjeket patën dhe rritje page, natyrisht ato që punojnë me korrektësi e profesionalizëm  e meritojnë, por të tjerët nuk do ta kenë marr vesh akoma, sepse rrezik nuk e dinin sa merrnin. Imagjinoni bashkëmoshatarët e këtyre mjekëve dhe gjyqtarëve, të cilët vetëm se kanë zgjedhur një rrugë tjetër në jetë,  p.sh. janë ekonomistë,  mësues apo policë, tani në rast nevoje do mbushin me para gjyqtarët dhe mjekët.

Deri kur do të vazhdojmë kështu me justifikimin e pavërtetë se gjithë bota është kështu? Në gjykata nuk ka mënyrë tjetër spastrimi përveç vetingut që po i jep rezultatet e para. Ndërsa në shëndetësi kërkohet ndërhyrje e madhe duke parë modele të ndryshme, ndoshta dhe atë amerikan.  Shpresa që mjekët  shqiptar të mësojnë Betimin e Hipokratit është e pakët.  Mund ta mësojnë apo ta kenë mësuar,  por ai duhet të ndihet; një ndjenjë të tillë mungon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat