Pranimi i fajësisë, bazë e ringritjes së LDK-së

Opinione

Pranimi i fajësisë, bazë e ringritjes së LDK-së

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 27 shkurt 2021 Në ora: 13:48
Foto Ilustrim- LDK

Në shkrimin "Ngutia hileqare zgjedhore në LDK", përvijuam disa mendime, për mundësinë e rikthimit të LDK-së tonë, në kohët e saj të arta. Në vazhdën e shkrimit të cituar, japim sugjerimet, në sintezë, se si mund të krenohemi, sërishmi, më partinë-lëvizje, si e parë pliuraliste. "Fillimi i mbarë, suksesi i garantuar", - thotë një urtësi. Pranimi i fajësisë, është baza nga ku do të fillojë mbarësia, ringritja e LDK-së:

1) Ndryshimet statutare, me bazë statutin e LDK-së të Dr. Rugovës;

2) Afatizimi i mandatit të kryetarit në dy mandate. Në mungesë të përformancës apo të tundimit të punës klanore, të shkarkohet në çdo kohë;

3) Kufizimi i kompetencave të kryetarit: Heqja e së drejtës për propozimin e 1/3-së të kryesisë, të delegatëve apo të strukturave tjera të partisë. Mjafton 1(një) propozim, si të gjithë delegatët;

4) Zgjedhja e kryetarit: 1 anëtar, 1 votë;

5) Zgjedhja e kryesisë dhe e kryesisë të ngushtë, nga Këshilli i Përgjithshëm (dhe jo nga kryetari), në konsultim dhe koordinim paraprak me Kuvendet e Degëve. Kjo vlen edhe për deputetët dhe zyrtarët e lartë qeveritarë;

6) Kryesia të kufizohet në 15 anëtarë;

7) Në përbërjen e kryesisë klasike të LDK-së, të mos jetë asnjë kryetar komune, sepse ata janë më të ngarkuarit me punë të komunës;

8) Të ndahet posti i kryetarit të komunës me kryetarin e Degës të LDK-së. Bashkimi i këtyre dy posteve, është bërë për qëllime kanore, centralizim të pushtetit, siç bëri lidershipi aktual. Shumica e tyre kanë përzgjedhur edhe delegatët, duke i vënë në shërbim të lidershipit-klanor të LDK-së. Veç kësaj, ata duhet ta përcjellin punën e njëri-tjetrit;

9) Të krijohet Kryesia e Gjerë e LDK-së, e cila, duhet të përbëhet nga: kryesia e ngushtë, kryesia klasike, e zakonshme dhe kryesia e gjerë - ku përfshihen: kryetarët e degëve dhe kryetarët e komunave të LDK-së. Pa aprovimin e tyre, nuk mund të merret asnjë vendim i rëndësisë së veçantë, përfshirë edhe bërjen e koalicioneve. Po të ishte Kryesia e Gjerë, LDK-ja nuk do të bëhej e mbetej, përtej dekadës, patericë e PDK-së, e PAN-it;

 

10) Aklamacioni, votimi fiktiv, mashtrues, i rrejshëm, por, edhe cinik, të shpallet i paligjshëm. Sepse, shqiptarët e Kosovës, duke qenë popull i robëruar në dekada e shekuj, ende nuk e kanë vrarë frikën dhe hipokrizia e tyre është masive dhe unike. E themi këtë, ngaqë, me gjithë kritikat e bëra për akamacionin, si një formë gënjeshtare e horrake, njëri nga anëtarët e kryesisë aktuale, tha, në debat televiziv, në Kuvend, do të propozohen kandidatët për kryetar të LDK-së dhe pranimi i tyre do të bëhet me votim akamativ. Jo, kurrë! Të propozohen, p.sh. 6 kandidatë. Të futën në një listë, të votohen me votë të fshehtë 3 prej tyre. Numri i votave përcakton kryetarin e LDK-së. (Fjala është, nëse kësaj radhe, nuk praktikohet zgjedhja e kryetarit: një anëtar, një votë);  

11) Të ligjësohet me statut votimi i fshehtë demokratik dhe të përdoret për të gjitha rastet, madje në çdo rrethanë;

12) Ftesa e sinqertë, për të gjithë të bërryluarit dhe të larguarit nga LDK-ja, me metoda perfide moniste, është e domosdoshme. Kuadrot e tanishëm, nuk duhet të kenë frikë nga të kthyerit, themelueseve dhe të kontribuueseve, në ndërtimin e shtëpisë tonë të madhe - LDK -. Është cinike të thuhet se "nuk i përzumë, por, vetë u larguan", siç mashtron e gënjen, pacipërisht, lidershipi aktual dhe tellallët e tyre të bollshëm, për - vajzat krenare - të Kosovës dhe të Shqiptarisë, Donikë Gërvalla dhe Vjosë Osmani.

13) Tendenca për të goditur kuadrin në Degë e Nëndegë, si një fajësim kolektiv, nuk është as e drejtë dhe as e shëndetshme për LDK-në. Përgjatë kërkesës të votës zgjedhore, për LDK-në, përgjigja e prerë ka qenë: "Mjaft më me gënjeshtra e dallavere. Tjetër kërkon anëtarësia, elektorati, populli, ndryshe vepron udhëheqja qendrore e LDK-së. Prandaj nuk kemi votë për ata dhe miqtë e tyre -PAN-in!" Dhe, askush nga anëtarësia dhe elektorati nuk akuzon as Degët dhe as Nëndegët, sepse, njësoj, shpërfillshëm dhe injorueshëm, janë trajtuar, nga lidershipi klanor, përfshirë edhe strukturat e partisë. Fajësia e këtyre të fundit, është servilizmi dhe heshtja qyqare, e turpshme, karshi vendimeve ttë lidershipit, të cilat kanë rezultuar fatale për LDK-në, popullin, Kosovën.

14) Ringritja e LDK-së, nuk bëhet më format e përjashtimit, linçimit, po,  me afrimin dhe maturinë politike, akute të nevojshme. Kuvendi i 14 marsit duhet ta përçojë këtë mesazh, për të gjithë kuadrot, anëtarësinë dhe elektoratin e LDK-së dhe shqiptarët. Zgjedhja e një ekipi, e Këshillit Organizativ, për zgjedhjet partiake, të pas disa muajve, do të ishte zgjedhja dhe zgjidhja e duhur.

Në letrën e Besianit tonë, (ngushëllimit tonë të madh, bashkë me motrën Berihane, fotografia proverbiale familjare - në vajtim, mbi arkmortin të kryefamiljarit Xhemë, që vazhdon ta shokojë botën, përtej dy dekadave radhazi), është përzgjedhur një thënie-porosi të kryezotit të LDK-së, Dr. Rugova: "Ne nuk kemi as lisa për të humbur, lëre më njerëz".

Besiani është i vetmi nga anëtarët e kryesisë qendrore, që bëri një analizë të saktë, të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe shumë kritike. Kryesia, në vend që ta shpërndajë në Degë, Nëndegë dhe në strukturat e partisë, letrën-opinion-analizë të Besian Mustafës, për të marrë mendimin e tyre, për propozimet dhe sugjerimet e dhëna, fort të qëlluara, ajo e heshti, e injoroi. Kryesia, me fodullëk dhe "kokë-mushku", thërret Kuvendin, për datë 14 mars, duke caktuar edhe rendin e ditës, në kundërshtim të hapur me kërkesën e anëtarësisë, elektoratit, madje, edhe të strukturave të LDK-së.

"Ku ju çonë mushka", o zotërinj, mujëshorë të dhunshëm, të Kryesisë të LDK-së?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat