Vjosa Osmani presidente, fituan Kosova dhe të ndershmit, humbën hileqarët dhe tradhtarët

Opinione

Vjosa Osmani presidente, fituan Kosova dhe të ndershmit, humbën hileqarët dhe tradhtarët

Nga: Rexhep Torte Më: 5 prill 2021 Në ora: 12:50
Rexhep Torte

Katër prilli 2021 do të hyn në historinë e Kosovës, si ditë e zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente e Kosovës, si ditë e ndryshimit të madh, ditë e ngadhnjimit të shpresës ndaj pashpresës, ditë e të mirës ndaj së keqes, ditë e gëzimit ndaj dëshprimit, ditë e lumturisë ndaj mërzisë, ditë e optimizmit ndaj pesimizmit, ditë e të ardhmes e punësimit, ditë e tymit të oxhakut të Kosovës kundër mërgimit, ditë e heqjes së lakut nga qafa e Kosovës , ditë e shpëtimit.

Me Vjosa Osmanin presidente dhe me Albin Kurtin kryeministër, Kosova u çlirua nga udhëheqësit e derisotëm ish komandantë dhe nga udhëheqësit matrapazë, hileqarë dhe tradhtarë.

Haram u qoftë qumështi i nënave fisnike kosovare, haram u qoftë buka bujare kosovare, haram u qoftë pasuria milionëshe e pasluftës e fituar me hajni në 21 vitet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, pasuri e fituar me korrupsion , pasuria e atyre që e mashtruan, e tradhtuan dhe u pasuruan në shpinën e Kosovës së varfër dhe në shpinën e popullit të vuajtur të Kosovës.

Ta udhëheqish Kosovën kaq keq në liri dhe pavarësi pas më shumë se një shekull robëri, është mëkat shkuar mëkatit, është turp shkuar turpit, është mashtrim shkuar mashtrimit, është tradhti shkuar tradhtisë.

Ta udhëheqish Kosovën në liri dhe pavarësi ku nuk të urdhëron askush, dhe ta tradhtosh me vetëdije dhe me mend në kokë, kushdo qofshi, duhet ta dini me siguri se do ta paguani shtrenjtë në këtë jetë, sepse do t’u ngushtohet edhe varri, por do ta paguani edhe në jetën e përtejme ku me siguri ju pret ferri.

PDK-ja e Hashim Thaçit, LDK-ja e Isa Mustafës, AAK-ja e Ramush Haradinajt, Nisma e Fatmit Limajt dhe AKR-ja e Behgjet Pacollit, me kësi keqqeverisje të shëmtuar në 21 vitet e kaluara në liri e pavarësi, kurrën e kurrës mos u kthefshin më për ta udhëqur Kosovën.

Vjosa Osmani presidente e Kosovës dhe Albin Kurti kryeministër i Kosovës i dhanë fund bajraktarizmit, anarkisë, absolutizmit dhe narcizmit të Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt dhe të Behgjet Pacollit.

Viti 2021 do të mbahet mend për fitoren e Albin Kurtit kryeministër i Kosovës dhe Vjosa Osmanit presidente e Kosovës.

Ky vit do të mbahet mend edhe për shantazhet dhe përpjekjet e d të opozitës shqiptare në Kosovë për t’i penguar Albin Kurtin për t’u zgjedhur kryeministër dhe Vjosa Osmanin për t’u zgjedhur presidente e Kosovës.

Vjosa Osmani presidente e Kosovës dhe Albin Kurti kryeministër i Kosovës gjatë rrugëtimit të tyre plot pengesa, e trasuan rrugën drejt demokratizimit të Kosovës, demokratizim që ishte i ngulfatur në 21 vitet e kaluara nga udhëheqësit e derisotëm, të cilët bajraktarizmin, anarkinë dhe absolutizmin e tyre e dëshmuan edhe me mocionin komplotist dhe rrëzimin e Qeverisë Albin Kurti 1, dhe vendosjen e Qeverisë së Avdullah Hotit, qeverisë kukull, që ishte lodër e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, e më pastaj u bë lodër e Donald Trump-it, ish presidentit të SHBA-ve dhe e Richard Grenel-it, emisarit të Donald Trump-it në dialogun Kosovë-Serbi.

Vjosa Osmani me rastin e betimit para deputetëve pas zgjedhjes presidente e Kosovës, u shpreh se, “ Tërë fuqinë t’ime do t’ia kushtoj ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Sigurimit të lirive të njeriut dhe qytetarëve, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së qytetarëve, Obligimet e mia do t’i kryej me ndërgjegje e përgjegjësi.

Sot është dita e Kosovës, dita e Juaj , me të cilën po plotësohet vullneti juaj qytetar dhe po plotësohen edhe institucionet

Në qeveri kemi ministra që e kanë përjetuar masakrën e Dubravës. Deputetja Vasfije Ktasniqi është forca dhe dhimbja jonë e përbashkët. Sëbashku dhimbjen e kemi kthyer ne fuqi.

Duhet ta kujtojmë trimërinë e jashtëzakonshme dhe sakrificën e heroit legjendar Adem Jashari dhe të secilit ushtar dëshmor dhe hero të vendit.

Drejtësia nuk do të arrihet derisa kriminelët e Serbisë të vihen para drejtësisë.

Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë.

Pandemia është sfidë që do të ketë përparësi.

Në mesin e aleatve të shumtë janë tri shtylla - SHBA, BE dhe Republika e Shqipërisë”, tha mes tjerash Vjosa Osmani presidente e Kosovës”.

Enver Haxhaj, u.d. i PDK-së u mundua shumë i gjori ta pengojë zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente të Kosovës, duke sajuar edhe parulla se gjoj Vjosa Osmani na qenka përçarëse dhe jo unifikuese. Edhe pse përçarës më të mëdhenj se sa PDK-ja dhe Hashim Thaçi, Kosova as nuk ka patur dhe as që do të ketë. Enver Hoxhaj dëshironte që në postin e presidentit të Kosovës të vjen ndonjë figurë si Hashim Thaçi që i solli aqë dëme të mëdha Kosovës.

Enver Hoxhaj duhet ta ketë kuptuar se Albin Kurtin kryeministër të Kosovës dhe Vjosa Osmanni presidente të Kosovës, i solli Zoti dhe vota plebishitare e popullit.

Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së u mundua me këmbëngulësinë me të madhe që të behet president i Kosovës, por ja që Zoti dhe vota e popullit e lënë me 8 mandate deputeti, dhe nuk e lejuan të behet president, nga droja se mos ia fal edhe ndonjë shteti tjetër ndonjë copë toke të Kosovës, siç ia fali Malit të Zi 8500 hektarë tokë të Kosovës në Çakor, Kullë e Zhleb.

Ramush Haradinaj sa herë që vendos kurora me lule te lapidaret e dëshmorëve të luftës ose të viktimave të luftës, duhet t’u tregojë atyre, qoftë edhe duke medituar se, a u ka qëndruar besnik amaneteve të luftës.

Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, anëtarë të LDK-së, për kokëfortësinë, primitivizmin dhe padëgjueshmërinë ndaj kryesisë së LDK-së, të shprehur gjatë Votimit të Vjosa Osmanit presidente të Kosovës, duhet të përjashtohen nga LDK-ja.

Vjosa Osmanit presidente e Kosovës dhe Albin Kurtit kryeministër Kosovës, të cilët gëzojnë edhe përkrahjen e shteteve vendimarrëse mike të Kosovës, në vazhdimësi u vijnë urime nga brenda dhe jashtë Kosovës.

Vjosa Osmanin presidente e Kosovës dhe Albin Kurtin kryeministër i Kosovës, i priftë e mbara, për një Kosovë të fuqishme dhe për popullin e Kosovës të lumtur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat