Kush u maltretua në Kukës, shqiptarë apo serbë, për çka akuzohet Pjetër Shala nga Gjykata Speciale?!

Opinione

Kush u maltretua në Kukës, shqiptarë apo serbë, për çka akuzohet Pjetër Shala nga Gjykata Speciale?!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 16 prill 2021 Në ora: 17:04
Kukës, Pjetër Shala

Para pak javësh u arrestua dhe së fundi u dërgua nga Gjykata Speciale në Hagë ish ushtari i UÇK-së, Pjetër Shala.

Pjetër Shala, një njeri që ka urryer me shpirt Ibrahim Rugovën dhe këdo që ka qenë në vijën institucionale, akuzohet për krime të cilat u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pa dashur të paragjykoj apo të ngreh hipoteza që janë krejtësisht në targetin e Gjykatës Speciale për t’i konfirmuar apo jo, fakti se në akuzë përmendet lokacioni Kukës në Shqipëri, vetvetiu ngrihet pyetje, me kë ka luftuar Pjetër Shala, me serbë apo shqiptarë në atë kohë, kur dihet se në Kukës nuk ka pasur serb, apo i kanë marrë rob nga Kosova dhe i kanë çuar në Kukës?!

Këto dhe shumë pyetje të tjera, në një realitet normal të krijojnë përshtypjen se mund të jenë dërguar atje edhe ata shqiptarë, të cilët janë cilësuar si “tradhtarë” vetëm se kanë qenë në vijnë institucionale. Këto dyshime shtohen edhe në një libër të shkruar nga Maxhun Smajli, në të cilin libër autori kishte rrëfyer edhe për kërcënimet e Pjetër Shalës se do ta rrëzojë Rugovën, jo vetëm kaq por edhe do t’i vras përkrahësit e tij.

“Unë jam shok i ngushtë i Zani Qaushit. Ne e kemi rrëzuar Sali Berishën dhe e kemi nxjerrë nga burgu Fatos Nanon, e ne do ta rrëzojmë edhe Ibrahim Rugovën, kurse përkrahësit e tij do t'i vrasim", tha mes tjerash para të pranishmëve Pjetër Shala i njohur ndryshe si “Ujku”.

Pothuajse të gjithë komandantët që ishin njerëz të LPK-së e kanë luftuar më shumë Rugovën se Serbinë. Tanimë në Gjykatën Speciale do të dalin në pah, në dritë, të gjitha krimet e kryera ndaj atyre “tradhtarëve”, të cilët janë rrahur, janë kërcënuar etj.

Pjetër Shala është vetëm njëri ndër të shumtë që nën uniformën e UCK kanë qenë të gatshëm dhe vrasin dhe këtë e kanë shprehur publikisht. Nëse personat e ndaluar në Kukës janë shqiptarë, mundësia është e madhe të jenë, atëherë le të marrin dënimin e merituar, jo vetëm Pjetri por edhe shumë të tjerë si ai.

Kushdo që e ka ndotur uniformën e UÇK për qëllime të tija apo të një grupacioni, për të vrarë kundërshtarët politik, për të shfryer egot e tyre për karrierë politikë pas lufte, janë fytyrat më të shëmtuara të luftës çlirimtare.

Një luftëtar i vërtetë kurrë nuk lufton për bindje politike, ai lufton për çlirimin e vendit të tij, për lirinë e fëmijëve të vendit të tij dhe të ardhmes së atij vendi. Fatkeqësisht, ka pasur shumë që kanë luftuar për qëllime të tjera. Në Kukës, vështirë të besohet se ka pasur serbë të ndaluar, s’ka logjikë të arrestohen serbët në Kosovë dhe të dërgohen në Kukës. Shpresoj mos të ketë të drejtë se ata kanë qenë shqiptarë, kështu e kam përshtypjen unë, qofsha i gabuar.

Mbetet në dorën e Gjykatës Speciale që ta vërtetojë një gjë të tillë...E vërteta nuk zhduket, një ditë do të dalë në pah dhe ajo ditë duket se s’do të jetë e largët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat