Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë, duhet të depolitizohet dhe ristrukturohet urgjentisht...!

Opinione

Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë, duhet të depolitizohet dhe ristrukturohet urgjentisht...!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 19 prill 2021 Në ora: 11:32
Rexhep Elezaj

Nuk është hera e parë që shkruaj lidhur me pa rregullsitë ligjore dhe keqpërdorimet me postet që janë bërë brenda dhe jashtë MPJD-së në 9 vitet e fundit nga qeveritarët dhe partitë në pushtet, siç ishin PDK, AAK dhe LDK, të cilët këtë dikaster me peshë dhe rol kyç për shtet-ndërtimin e Kosovës, e kishin shndërruar në monopol privat si dhe në “agjenci” për punësimin e familjarëve, shokëve, miqve dhe militantëve partiak. Dhe, ç’është më tragjikja, shumica dërmuese e tyre, qoftë në ministri, qoftë në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, njësoi, ishin njerëz pa pikë përvoje si dhe fare profesionit në fushën e marrëdhënieve të jashtme dhe diplomaci, gjë që një praktikë e këtillë e ka dëmtuar tej-mase zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale të Republikës së Kosovës me botën e jashtme, sidomos me shtetet mike dhe përkrahëse të pavarësisë së Kosovës, siç janë SHBA-të, Kanada, Japonia, 19 vendet anëtare të BE-së, Britania e Madhe, etj.

Kjo për faktin, sepse MPJD-rë përveç se është shtyllë kryesore për zhvillimin e çdo shteti, ajo është institucion kyç në hartimin dhe prezantimin e politikës së jashtme të një vendi, sidomos një shteti në ndërtim e sipër siç është Kosova, prezantim të cilin nuk kanë mundur dhe as nuk kanë ditur ta bëjnë kuadrot e paafta nga kjo lëmi, pra njerëz të pa fije përvoje në diplomaci, mbase shumica si militantë partiakë, të cilët në vend se t’i paraqesin interesat e shtetit tek popujt dhe qeveritë nikoqire ku ata kanë qenë të emëruar, mjerisht e kanë bërë të kundërtën, duke punuar për interesa partiake, dhe pikërisht kjo ka ndodhur deri tash nëpër përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore, pa asnjë dyshim!

Dihet mirëfilli se ambasadorët, konsujt dhe stafi diplomatik i Kosovës nëpër ambasadat dhe konsullatat tona janë emëruar sipas çelësit dhe përkatësisë partiake, në vend se të ishin emëruar kuadro pa ngjyrime politike, kur dihet fakti se në botën e jashtme ata do duhej t’i përfaqësonin interesat e shtetit e jo të partive të tyre, duke e dëmtuar kështu rënd dhe në bazament misionin diplomarik dhe shtetëror që kanë stafet diplomatike të një vendi në botën e jashtme, e që është interesi i shtetit mbi çdo interes tjetër shoqëror dhe individual..!?

Prandaj, nuk është fare çudi se në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare me botën e jashtme, vendi ynë, Kosova jonë, nuk ka arritur pothuajse asnjë rezultat që ia vlen të theksohet ose të mburremi me to, qoftë në fushën e marrëdhënieve bilaterale politike, ushtarake, ekonomiko-tregtare, qoftë në anëtarësimin e saj në organizatat kyçe ndërkombëtare, siç ishte dështimi për t’u anëtarësuar në UNESC-o, UNDP, WHO, Interpol, por edhe në organizatat multi-rajonale dhe kontinentale, pa e harruar këtu dështimin e plotë në planin e lobimit si dhe rritjen e numrit të shteteve për ta njohur pavarësinë e Kosovës..!?

Mendoj se detyrë parësore e ministres së Republikës së Kosovës për punë të jashtme, znj. Donika Gërvalla, është departizimi i menjëhershëm i Ministrisë të cilën ajo e udhëheq, sidomos pastrimi i përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore nga militantë partiakë, me theks të veçantë ndërrimin e domosdoshëm të kuadrove jo profesionale me njerëz dhe stafe me përvojë të duhur, me përgatitje profesionale, pra profesionist në fushat e politikës së jashtme, ndërrimin dhe ristrukturimin e stafit diplomatik të deritanishëm, i cili nuk e ka bërë asnjë punë konkrete në të mirë të vendit tonë që ia vlen të ceket, përveç se duke marrë paga pa asnjë meritë..!? 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat