Hartimi i strategjisë së zhvillimit afatgjatë të Republikës së Kosovës, imperativ kohe

Opinione

Hartimi i strategjisë së zhvillimit afatgjatë të Republikës së Kosovës, imperativ kohe

Nga: Prof. Dr. Musa Limani Më: 19 prill 2021 Në ora: 17:14
Prof. Dr. Musa Limani

Siç dihet, Kosova që nga çlirimi edhe aktualisht gjendet në fazën e tranzicionit, që karakterizohet me specifikat e saja politike, shoqërore dhe ekonomike. Kosova, edhe aktualisht po ballafaqohet me shumë sfida dhe gjendet në një situatë të rëndë politike, shoqërore dhe ekonomike. Me këtë shkrim, unë do tëpërqendrohem vetëm në problemet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik.

Është për të konstatuar se, në periudhën e pas çlirimit, pas Pavarësisë, si dhe tani, ekonomia e Kosovës u përballë me sfida dhe probleme të shumta, të cilat janë prezente edhe aktualisht. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, në tërë periudhën e pas çlirimit, vazhdimisht dominonin temat politike, ndaj atyre ekonomike. Karakteristikë e zhvillimit ekonomik në tërë periudhën e deri tanishme, është zhvillimi ad hoc, pa vizion dhe pas strategji zhvillimore afatgjate. Andaj, mungesa e një politike konsekuente zhvillimore makroekonomike, veçmas pas Pavarësisë, kushtëzuan dinamikë të ngadalshme zhvillimore, rrjedha të pavolitshme dhe nivel të ulët të zhvillimit të forcave prodhuese. Duke u bazuar në treguesit global makroekonomik, si: Bruto Produkti Vendor (BPV) për një banorë, norma e lartë e papunësisë, deficiti i lartë i bilancit të tregtisë së jashtmeetj. del konstatimi se Kosova paraqet vendin më të pa zhvilluar në Ballkan, Evropë dhe si e tillë hynë në rradhën e vendeve më të pa zhvilluara të botës.

Andaj, situata aktuale ekonomike, para nesh shtron pyetjen: A thua edhe më tej duhet të lejojmë që proceset ekonomike në Kosovë të kenë trende jo të mira, që zhvillimi ekonomik të bëhet ad hoc dhe parcialisht dhe pa politikë konsekuente të zbatuar ekonomike? Përgjigjja është me një jo të madhe. Mirëpo, për të bërë rikthesa në këtë drejtim, lypset të bëhen reforma rrënjësore ekonomike dhe ndryshime substanciale në politikat zhvillimore makroekonomike, të cilat nuk mund të bëhen pa hartimin e dokumentit më madhor në të cilin mbështetet zhvillimi ekonomik afatgjatë, siç ështëStrategjia zhvillimore afatgjate e Republikës së Kosovës. Për fat të keqë, deri më tani asnjë Qeveri nuk bëri kurrfarë reformash, e as nuk zbatoi politikë adekuate zhvillimore e as nuk arriti të hartojë dokumentin Strategjia zhvillimore afatgjate, në të cilin do të mbështetej zhvillimi ekonomik. Andaj, situata aktuale ekonomike, shtron para nesh që t’i qasemi krejtësisht ndryshe politikave zhvillimore makroekonomike nga e kaluara.

Rrjedhat negative makroekonomike në Kosovë janë rezultat, në rend të parë nga jo profesionalizmi, si dhe nga mungesae politikës së zbatuar ekonomike. Asnjëra nga Qeveritë e deritanishme të Kosovës, nuk arriti të bëjë kurrfarë reformash ekonomike, e as të krijojë një sistem dhe politikë ekonomike adekuate, të krijojë ambient biznesor efektiv, që do të ishte në funksion të zhvillimit të ekonomisë së vendit tonë. Duke u bazuar nërrjedhat ekonomike dhe nivelin e arritur të zhvillimit ekonomik, me të drejtë mund të konstatohet se, politikat e zbatuara makroekonomike të deri tashme, ishin të gabuara dhe si të tilla sollën ekonominë e Kosovës në fazën e recesionit, që paraqet nivelin më të ulët zhvillimor. Andaj, për të dalur nga kaosi ekonomik në të cilin gjendet tani Kosova, Qeveria aktuale duhet që në kuadër të prioriteteve të programit të saj, zhvillimi ekonomik të zë vend meritor. Hapi i parë që duhet bërë Qeveria aktuale në momentin e dhënë, në fushën ekonomike, është bërja e planit të sanimit të gjendjes së formuar ekonomike. Hapi pasues do të ishte të bëjë ndryshime në politikat zhvillimore makroekonomike, të cilat nuk mund të bëhen pa kuadro profesionale e me përvojë dhe pa hartimin e një politike konsekuente të zbatuar ekonomike, si dhe pa hartimin e dokumentit Strategjia zhvillimore afatgjate, e cila duhet të përfshirë më së paku një periudhë dhjetë (10) vjeçare). Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, qeveritë e më parëshme bënë përpjekje për t’a hartuar Strategjinë zhvillimore, por nuk patën sukses. Në vazhdim po sjellim tentativat, apo përpjekjet e hartimit të këtij dokumenti, duke filluar nga Akademia e Shkencave dhe eArteve e Kosovës, e deri te Qeveria e Isa Mustafës.

Përpjekjen e parë në hartimin e dokumentit të Strategjisë e bëri Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës, me botimin e librit me titull: “Kosova, Strategjia e zhvillimit ekonomik”, Prishtinë, 2002, kur Akademia nuk kishte asnjë ekonomist anëtar në gjirin e saj. Ky është një libër ku ishin përmbledhur punime të autorëve të ndryshëm, përzgjedhjen e të cilave e kishte bërë Këshilli redaktues në krye me akademik Nexhat Daci, Dr. Skender Berisha dhe Dr. Agim Zajmi. Përmbajtja e këtyre punimeve as që kishte të bëjë me strategji. Libri në fjalë, mund të quhej sidoqoftë ndryshe, por “Strategji.....”, assesi, sepse përmbajtja dhe shtruarja e materies të këtyre punimeve nuk përkojnë aspak me strukturën dhe përmbajtjen e një dokumenti të mirëfilltë, siç është Strategjia e zhvillimit ekonomik. Në përmbajtjen e këtij libri jepen autorët, apo grup autorësh për secilën temë, vetëm tema 2.1. Sistemi ekonomik, nuk është në përmbajtje dhe i mungon autori. Kjo temëështë marrë tekstualisht pikë për pikë nga fq. 17-31, nga punimi im: Dr. Musa Limani, i botuar në librin:“Zhvillimi ekonomiko-shoqëror i trojeve shqiptare dhe integrimi i tyre rajonal e botëror”, Botues, Unioni i Ekonomistëve Shqiptar, Tiranë, Prishtinë, Shkup, 2000 fq. 114, që paraqet plagjiaturë ordinere.

Përpjekja e dytë.Përpjekja e dytë për hartimin e dokumentit të Strategjisë, u bë nga Qeveria e Kosovës në kohën kur kryeministër ishte z. Bajram Rexhepi, me titull: “Strategjia e zhvillimit afatmesëm të ekonomisë së Kosovës 2003-2008”, të hartuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, të udhëhequr nga Prof.Dr. Ali Jakupi. Nga ky dokument po prezantojmë vetëm një të dhënë. Hartuesit e kësaj strategjie kishin paraparë që në vitin 2008, Bruto Produktit Vendor të arrij në vlerë 7,2 miliardë euro, e cila vlerë nuk u arritë as pas 10 viteve (në vitin 2018, vlera e BPV, me çmime aktuale ishte 6,5 miliardë euro).Ky dokument u dha në diskutim publik, që ishte potez me vend. Për të diskutuar për këtë dokument, Lidhja e Ekonomistëve të Kosovës, më 22 janar 2004, organizoi Tryezë të rrumbullakët. Për mos me elaboruar përmbajtjen e këtij dokumenti, me këtë rast po sjellë, mendimin profesionalo-shkencor të pjesëmarrësve në këtë tryezë, ku njëzëri u konstatua se ky dokument nuk i plotëson dhe as për së afërmi nuk përkon me Strategji të zhvillimit ekonomik në kuptimin e plotë të fjalës. Lidhur me ketë, po e shkëpus vetëm mendimin e prof. Dr. Sabri Kadriu i cili si pjesëmarrës i kësaj Tryeze, ndër të tjera tha: “Kam vetëm një lutje, që Qeveria mos ta përkthej në gjuhën angleze këtë dokument, që të huajt mos të mendojnë se ne në Kosovë nuk e dimë se çka është strategjia zhvillimore”. Me të kuptuar për këto konstatime nga asociacioni i ekonomistëve (LEK), Kryeministri Bajram Rexhepi e tërhoqi këtë dokument dhe si i tillë kurrë nuk e pa dritën.

Përpjekja e tretë. Pas dështimeve paraprake, Qeveria e pa se nuk mund të hartojë dokumentin e strategjisë me kuadro të veta, hartimin e tij ia besoi institutit privat Riinvestit në Prishtinë, për të cilin qëllim ndau 1,5 milion euro. Ky institut e pranoi porosinë, por kurrë nuk e hartoi dokumentin e strategjisë, që do të thotë se edhe kjo përpjekje dështoi.

Përpjekja e katërt. Në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër, u hartua një material me titull: “Prioritetet e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës 2011-2014”, apo më mirë me thënëështë marrë nga hartuesi (që ne nuk e dimë kush është) në Banjsko të Bullgarisë. Materiali në fjalë ishte hartuar në formë tezash për diskutim, por aspak nuk kishte të bëjë me prioritetet e zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës. Në këtë dokument figuronin vetëm dy të dhëna statistikore, ku në tezën “Synimet themelore”, thuhej se në periudhën 2011-2014, rritja ekonomike vjetore e Kosovës do të jetë 7-8% dhe ulja e normës së papunësisë 8-10%, të cilat norma kurrë nuk u realizuan. Ndërkaq, si prioritet në këtë material ishte paraparë: Privatizimi i PTK-së, privatizimi i distribucionit dhe furnizimit të energjisë KEDS dhe Kosova e Re.

Përpjekja e pestë. Më 15 shkurt 2016, Qeveria e Kosovës promovoi dokumentin: “Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016-2021 (SKZH)”, të cilin politikisht dhe profesionalisht e arsyetoi Kryeministri z. Isa Mustafa, përfaqësuesi special i BE-së për Kosovën z. Samuel Zbogar dhe koordinatori i këtij Projekti dhe udhëheqësi i Zyrës për PlanifikimStrategjik. Me këtë rast referuesit i dhanë publicitet të madh, e ngritën shumë lartërolin dhe rrëndësin e këtij dokumenti, duke u mburrur, lavdëruar e duke potencuar se, është hera e parë, që Qeveria aktuale e Kosovës harton dokumentin “Strategjia Kombëtare e Zhvillimit 2016-2021 (SKZH)”, në baza profesionale e shkencore. Në vazhdim, më gjerësisht po i sjellim disa të meta kryesore profesionale e shkencore të këtij dokumenti.

Në fillim do t’i prezantojmë disa vërejte të përgjithshme. Së pari, vet emërtimi i këtij dokumentinuk është në regullë. Nëkopërtinën e tij, në fillim shkruhet: “PLAN, për zhvillim të qëndrueshëm”, e nën te kemi emërtimin “STRATEGJIA KOMBËTARE PËR ZHVILLIM 2016-2021 (SKZH)”. Në një dokument nuk mund të kemi dy emërtime, ose është Plan... ose është Strategji... Këto dy terma nuk janë sinonime, sepse në pikëpamje profesionale e përmbajtësore ekonomike termi “Plan” dhe “Strategji” dallojnë dukshëm njëra me tjetrën. Strategjia ka kuptim më të gjerë se Plani. Në kuadër të strategjisë mund të nxjerrët plani, i cili në dallim nga strategjia që i jep konturat e përgjithshme zhvillimore, ai zbërthen dhe më për afër përcakton elementet, treguesit, prioritetet, strukturën ekonomike etj. Mirëpo, sido që të jetë, duke u bazuar në përmbajtjen dhe strukturën e tij, ky dokument nuk mund të quhet as “Plan”, e aq me pak “Strategji”.Së dyti, nuk dihet hartuesi dhe autorët e hartimit të këtij dokumenti. Kjo, me fjalë të tjera do të thotë: “lindi fëmija”, por nuk dihen prindërit. Ndonëse, për hartimin e këtij dokumenti në fq. 5 thuhet: “SKZH është dokument i përgatitur nga institucionet e Kosovës (cilat?), me rolin prijës dhe koordinues të Zyrës për Planifikim Strategjik (SPS), e mandatuar nga Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës,si dhe me mbështetje teknike prej Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë”. Sido që të jetë, një gjë dihet, Qeveria me ministritë e saja dhe strukturat e tjera, nuk mund të hartojë dokumentin kaq të rëndësishëm, siç është Strategjia, sepse i mungon potenciali profesionalo-shkencor. Qeveria duhet ta porosisëstrategjinë, por nuk mund ta hartojë. Hartimin e strategjisë e bëjnë institucionet shkencore dhe ekspertët më eminent tëtëgjitha fushave, sepse strategjia paraqet dokument interdisiplinar dhe multidisiplinar. Së treti, dokumenti i strategjisë nuk ishte dhënë në diskutim publik. Për këtë qëllim është dashur të organizohej Tryezë e rrumbullakët institucione shkencore e profesionalist të fushave përkatëse. Së katërti, strategjisë në fjalë, i mungon qasja metodologjike dhe shkencore. Dokumenti siç është strategjia, duhet mbështetur nëdy parime kryesore: parimi shkencor dhe parimi i realitetit. Strategjisë në fjalë i mungojnë që të dy këto parime. Së pesti, po ashtu këtij dokumenti i mungon baza statistikore. Hartimi i strategjisë duhet mbështetur në kuantifikimin e bazës statistikore për treguesit global makroekonomik në vlerë absolute dhe relative, si: të Bruto Produktit Vendor, kumulativit të investimeve, punësimit, papunësisë, treguesve të tregtisë së jashtme (eksporti, importi, bilanci i tregtisë së jashtme), e kështu me rradhë. Në tërë dokumentin e kësaj strategjia kemi vetëm një tabelë (fq.4), ku prezantohej krahasimi i pesë treguesve me shifra relative, pos BPV-së për një banor me shifra absolut, të përzgjedhur të Kosovës me mesataren e vendeve të Evropës Juglindore që nukjanë anëtare të BE-së, siç shihet edhe në tabelën si më poshtë, e marrur nga dokumenti i strategjisë.

Image

Asnjë nga të dhënat në këtë tabelë, as për afërsisht nuk janë realizuar deri në vitin 2021që tregon qasje të gabueshme prognozuese. Andaj, shtrohet pyetja: Si mund të dimë se sa do të jetë vlera absolute e treguesve global makroekonomik, të sipër cekur, kur nuk kemi të dhëna statistikore në vlera absolute? Nëse nuk posedohet me të dhëna absolute të treguesve më relevant në prognozimin e zhvillimit ekonomik, që na shërbejnë për të parë qëllimet, synimet dhe nivelin e arritur të zhvillimit të forcave prodhuese, atëherë si arsyetohet strategjia e zhvillimit ekonomik e Kosovës në periudhën 2016-2021, pa vlera absolute të asnjë treguese global makroekonomik.

Në vazhdim do të sjellim disa vërejtje konkrete të dokumentit të strategjisë në fjalë. Këtij dokumenti i mungon terminologjia profesionale ekonomike, struktura dhe kuptimi i fjalive në gjuhën shqipe. Duke e lexuar ketë dokument, fitohet përshtypja se teksti origjinal është i shkruar në gjuhën angleze, e i përkthyer tekstualisht në gjuhën shqipe, që shumë fjali e humbasin kuptimin e tyre. Me ketë rast, po sjellim disa nga ato. Kështu, psh. në fq. 4, pasusi idytëkemi këtë fjali: “Ndërkohë që normat e rritjes ekonomike gjatë viteve të fundit ishin modeste marrë parasysh, ndër të tjera, krizën botërore ekonomike-mesatarisht 3,3% në vit prejvitit 2009-dhe patën efekt në uljen e nivelit të varfërisë së përgjithshme, atokanë mundësi qëtë jenë edhe më të larta”. Në të njëjtën faqe pasusi i tretë, thuhet: “Kjo qasje e re i adreson të gjithë faktorët që sot e kufizojnë rritjen ekonomike dhe përmirësimin e standardeve të jetës dhe e cila e trajton zhvillimin si një ndërmarrje shumëdimensionale”. Madje, në të njëjtën faqe pasusi i katërt, kemi: “Është e nevojshme që strategjitë dhe politikat ekzistuese tëintegrohen dhe të krijohet një bosht i përbashkët orientues” Çka paraqet boshti orientues? Në literaturën profesionale ekonomike, nuk kemi “bosht orientues”, por kemi boshte të zhvillimit që paraqesin sistem të lidhur të bartësve të zhvillimit të territorit ku gravitojnë ata. Madje, shtylla e katërt e këtij dokumenti ështëemërtuar: “Industritë konkurruese”. Tani shtrohet pyetja. Çka, paraqet ky term nga aspekti profesional ekonomik dhe zhvillimor?! Madje, fjala “sociale” nga anglishtja është përkthyer edhe në gjuhën shqipe “sociale”, që është plotësisht gabim, sepse fjala sociale nga gjuha angleze ka kuptimin “shoqërore”, kurse në gjuhën shqipe, shpreh varfëri, problem social etj.

Madje, struktura dhe përmbajtja, nuk përkojnë me emërtimin e dokumentit të strategjisë. Struktura e këtij dokumenti është e ndarë në katër (4) shtylla tematike, duke mos përfshirë edhe parashikimet, edhe atë duke filluar me pyetjen. Pse? Shtylla I: Pse kapitali njerëzor? Shtylla II. Pse qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit?. Shtylla III. Pse industri konkurruese? Shtylla IV. Pse infrastruktura? Nuk e kuptojë, që në një dokument siç është strategjia, shtyllat (kapitujt) fillojnë me pyetje. Pse. Dokumenti në fjalë, duhet të jep përgjigje dhe kuantifiime të dhënash statistikore, masash e instrumentesh konkrete për zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kosovës në periudhën gjegjëse, e jo të shtrojë pyetje. Ja si arsyetohet kjo strukturë në dokumentin e kësaj strategjie. “Për të kuptuar logjikën e këtyre shtyllave dhe ndërlidhjen mes tyre, përfyturoni një biznes i cili synon të investojë në Kosovë dhe kushtet të cilat i duhen atij për të arritur sukses. Ky biznes kërkon atë që e kërkojnë shtyllat e SKZH-së: fuqi punëtore të aftë, sundim të ligjit, skema mbështetëse për biznesin dhe infrastrukturë të qëndrueshme” (fq. 6). Krahasimi në fjalë nuk është adekuat, sepse me këtë rast përzihet qasja e zhvillimit mikroekonomik dhe makroekonomik (përzihet shapi me sheqerin), që si në qasje ashtu dhe në përmbajtje ekziston dallim i madhe ndërmjet mikrodhe makroekonomisë.

Në fund, duke mos elaboruar në detaje të metat dhe mangësitëe dokumentit “Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016-2021 (SKZH), të cilat janë të shumta, po e prezantojmë edhe tezën: “Shfrytëzimi i potencialit mineral të Kosovës”, për të parë seriozitetin dhe bazën profesionale-shkencore të hartuesit të këtij dokumenti, me rëndësi të veçantë që do të shërbente për zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kosovës në periudhën në fjalë. Në pasusin e parëtë kësaj pjese tëstrategjisë, në fjalinë e parafundit thuhet: “Vlera e mineraleve të Kosovës vlerësohet diku mes 12,5-25,0 miliardë EUR”(fq. 36). Nuk e di se me çfarë metode hartuesit e kësaj strategjie i kanë llogaritur këto vlera të mineraleve të Republikës së Kosovës, por si të tilla nuk qëndrojnë, nuk janë të sakta, nuk përkojnë me realitetin dhe si të tilla paraqesin anti propagandë për investitorët e huaj dhe për pasuritë (resurset) natyrore me të cilat disponon Kosova. Një vlerësim të tillë nuk kishte mundur ta bëje as armiku më i madh i Kosovës.Është absurditet e llojit të vet, që Qeveria e Kosovës nëmandatin e kësaj periudhe, të pranojë vlerësimin e mineraleve të vendit tonë në vlerën e sipër cekur. Andaj, duke mos llogariturmangësitë dhe të metat që i cekem më sipër, e shumë të tjera që nuk kemi mund t’i paraqesin në ketë artikull, për shkak të natyrës së gazetës, vetëm kjo e dhën për vlerën e mineraleve të Kosovës tregon, jo seriozitetin, jo profesionalizmin dhe mungesën e bazës shkencore të hartuesit të këtij dokumenti. Për të demantuar këtë të pa vërtetë, përkatësisht vlerësimin e mineraleve në Kosovë, po e prezantojmë vetëm vlerën e thëngjillit në Kosovë. Siç dihet, sipas hulumtimeve të deri tanishme gjeologjike, në Kosovëjanë llogaritur dikur 12-15 miliardë tonë rezerva thëngjilli (linjiti). Presupozojmë, që një (1) tonë thëngjill të kushtojë vetëm dy (2) euro, del se vetëm vlera e këtij minerali do të jetë 24-30 miliardë euro. Atëherë, çka të thuhet për vlerën e minerareve tjera, veçmas vlera e xeheve: të plumbit, zinkut, arit, argjendtit etj. Ky vlerësim i minerareve në Kosovë, paraqet absurditet të llojit të vetë, që mund të ndodhë vetëm në Kosovë.

Dhe krejt në fund, duhet potencuar se në pjesën përfundimtare të dokumentit “Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016-2021 (SKZH)”, në mënyrë deklarative jepen disa orientime, sugjerime mbi realizimin e SKZH-së, pa identifikuar në pikëpamje vlerësore asnjë tregues global makroekonomik, pa shtruarje të prioriteteve zhvillimore, si dhe pa prezantimin e caqeve dhe synimeve të zhvillimit të bizneseve, përkatësisht të zhvillimit ekonomik të Kosovës gjatë periudhës në fjalë.

Vërejtjet qëu prezantuan më lartë, e ato që nuk u përfshinë me ketë rast, e qëjanëtë shumta, në dokumentin “Strategjia Kombëtare për Zhvillim” (SKZH), nuk u bënë nga xhelozia, apo për ta kritikuar Qeverinë, përkatësisht hartuesin e këtij dokumenti, por nga obligimi im moral, profesional e shkencor, për tëvuar në pah mangësitë dhe jo profesionalizmin e qasjen jo shkencore të hartuesit tëkëtij dokumenti me rëndësi enorme në aspektin e zhvillimit ekonomik. Mendojëse, jo vetëm individi, por çdo intelektual i mirëfilltë duhet të ngritë zërin ndaj dukurive negative, e profesionalistët ndaj jo profesionalizmit, secili në fushën e tij përkatëse. I kemi borxh këtij populli që t’ia themi të vërtetën, jo të gënjejmë, sepse na ka shkolluar me shumë sakrifica e probleme, për t’i ndihmuar dhe për t’i siguruar një perspektivë më të mirë, e jo për të plaçkitur e varfëruar.

Andaj, duke sublimuar gjithë atë që u tha për strategjitë e hartuara deri më tani në Kosovë, me të drejtë mund të konstatohet se, ato ishin dështuese, pa metodologji dhe bazë shkencore dhe asnjëra nga Qeveritë e deri tashme nuk arriti të hartojë këtë dokument, sepse u mungoi potenciali profesionalo-shkencor. Prandaj, për mos me u përsëritur e kaluara, Kosovës i nevojitet dokumenti i zhvillimit afatgjatë, një strategji e mirëfilltë, ku në pikëpamje profesionale e shkencore do tëpërfshiheshin konturat e përgjithshme të zhvillimit ekonomik e shoqëror, pa të cilin nuk do të ketë zhvillim tëqëndrueshëm, dinamik e perspektivë në periudhën e ardhshme.

Me qëllim që të kemi një dokument, në të cilin do të mbështetej zhvillimi ekonomiko-shoqëror i Kosovës në baza shkencore në periudhën e ardhshme, unë nëpërmjet këtij shkrimi në mënyrëpublike i ofrojë Qeverisë aktuale Projektin ideor për hartimin e dokumentit të mirëfilltë“Strategjia zhvillimore afatgjate e Republikës së Kosovës 2021-2030”, duke prezantuar strukturën dhe përmbajtjen e tij sipas pjesëve, tezave e nëntezave në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze, si dhe arsyetimin me shkrim. Më këtë rast, dëshirojë që me potencialin tim profesional, shkencor e pragmatik, ta vejë në funksion, përkatësisht të kontribuojë në hartimit të këtij dokumenti me rëndësi të veçantë për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës në periudhën e ardhshme në baza profesionale e shkencore. Në kontekst të kësaj duhet thënë se, strategjia paraqet dokument më të rëndësishëm në të cilin mbështetet zhvillimi ekonomiko-shoqëror për periudhë të caktuar kohore. Siç dihet, strategjia paraqet format, metodat, rrugët, masat etj., më optimale të politikës së zbatuar ekonomike që ndërmerr një vend për zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomiko-shoqëror. Strategjia në kuadër të vet përfshinë konturat e përgjithshme të zhvillimit ekonomiko-shoqëror, duke përcaktuar synimet dhe orientimet globale e sektoriale zhvillimore, e duke i identifikuar treguesit global makroekonomik më relevant, në vlera absolute e relative, si: Bruto Produktin Vendor të përgjithshëm e për një banor, kumulativin e investimeve në fondet kryesore, strukturën ekonomike, prioritet zhvillimore, punësimin, papunësinë, e kështu me radhë. Qeveria aktuale duhet ta kuptojë se pa një strategji të mirëfilltë nuk mund të ketë zhvillim perspektiv të Kosovës në periudhën e ardhshme.

Andaj, me qëllim që të kemi qasje profesionale-shkencore, objektive dhe reale në zhvillimin ekonomik në periudhën e ardhshme, lypset tëhartohet dokumentimadhor në të cilin do të mbështetet zhvillimiafatgjatë i Kosovës, siç është “Strategjia zhvillimoreafatgjate e Republikës së Kosovës 2021-2030”. S’ka dyshim se, situata aktuale ekonomike, si dhe nevoja për një zhvillim më të hovshëm dhe të qëndrueshëm, shtron para Qeverisë, nevojën e ndryshimit ndaj politikave zhvillimore makroekonomike. Për realizimin e këtij qëllimi, duhet bërë rikthesa të mëdha në mendimin ekonomik, duke e futur një filozofi të re, e cila në vete nënkupton “ndryshime të përhershme”, që kushtëzojnë transformime në zhvillimin e deritanishëm ekonomik, që mund të realizohet vetëm me hartimin e Strategjisë. Qeveria duhet të kuptojë se nuk ka zhvillim adekuat ekonomik pa strategji zhvillimore afatgjate. Andaj, nëse Qeveria aktuale, dëshiron të realizojë zhvillim më të hovshëm dhe më dinamik, të ngritë punësimin e të zvogëlojë papunësinë, ta kyç ekonominë e vendit tonë në procese dhe rrjedha rajonale e ndërkombëtare, duhet të hartojë dokumentin në fjalë, duke e respektuar veprimin e ekonomisë së tregut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat