Ja pse “patriotët” e Pronto-s zgjodhën Donikën: Ata sulmojnë atdhetarët, që të lartësojnë tradhtarët!

Opinione

Ja pse “patriotët” e Pronto-s zgjodhën Donikën: Ata sulmojnë atdhetarët, që të lartësojnë tradhtarët!

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 10 maj 2021 Në ora: 12:55
Donika Gërvalla

Gjykata Speciale e Hagës është vullnet i parlamentit të Kosovës. I pari që e promovoi, diktoi, dhe imponoi miratimin e kësaj gjykate ishte viktima e saj kryesore, Hashim Thaçi, asokohe (2015) kryetar i mazhorancës parlamentare. Thaçi imponoi ndryshimet kushtetuese për deputetët shqiptarë, sepse votën e deputetëve serbë e kishte të garantuar. Serbia ishte aktive në ngritjen e kësaj gjykate. Ajo pagoi mercenarët e saj kudo nëpër botë, madje edhe në Kosovë, që ta nxisnin krijimin e saj. Deklarimet e asaj kohe p.sh të Baton Haxhiut ishin presion i shtuar për këtë qëllim. Ndërsa për krijimin e saj kontribuoi pas takimeve me Vuçiç edhe kryeministri i Shqipërisë. Më vonë Edi Rama do ta përdorte këtë gjykatë si karrem për ta angazhuar Hashimin për ndryshimin e kufijve.

Megjithatë askush nuk ndalet të analizojë një fakt: Përse Hashim Thaçi ishte aq aktiv për krijimin e Gjykatës Speciale për Kosovën?! Ishte aq i sigurt për pafajësinë e tij në raport me akuzat e Dick Martyt, apo kishte marrë ndonjë garanci nga dikush se nuk do të ishte objekt hetimi dhe ndëshkimi? Me shumë mundësi i është ofruar kjo e dyta. Po të ishte i pafajshëm do ta mbante premtimin që ta padiste Dick Martyn më gjyq për shpifje. Se nga kush ai kishte marrë premtim, mundet thjesht të hamendësojmë. Kjo është arsyeja pse zoti Thaçi ishte aq aktiv në krijimin e Gjykatës Speciale. Tani që ndryshuan ekuilibrat, Thaçi dhe kamikazët e tij në Prishtinë duan ta zhvendosin vëmendjen dhe ta adresojnë "fajin" te Donika Gërvalla!

Ndërkaq në këtë histori lind edhe një paradigmë tjetër: A do të thotë kjo se Hashim Thaçit nuk po ia ninte për shokët e tij të luftës, kur imponoi krijimin e Gjykatës?! Ai e dinte se në ato qeli do të ishin ish-bashkëluftëtarët e tij. Pse asokohe nuk doli me targetin, sipas të cilit "Gjykata Speciale adresohet kundër UÇK-së"? Kjo logjikë, se Thaçi kishte marrë garanci, të çon automatikisht se ai përgatiti asokohe "varrin" e bashkëpunëtorëve të tij! Dhe sa kohë që ai e konsideroi veten të përjashtuar nga hetimi nuk e asocoi gjykatën me projeksionin anti UÇK. Kjo është një poshtërsi më vete!

Poshtërsia tjetër lidhet me gjetjen e fajtorëve si Donika Gërvalla! Në vend që diskursi publik të përqendrohet te pjesa reale e një akti poshtërues të konsumuar nga ish shefi I saj, Partia Demokratike e Kosovës përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga kjo anë. Dhe ka gjet një deklaratë pa asnjë efekt praktik të dikurshme të Donika Gërvallës. Edhe pse ajo deklaratë e kohëve të shkuara, kur zonja Gërvalla nuk ishte ministre e Punëve të Jashtme, na jepet si deklaratë parimore në përkushtim të të bërit drejtësi. Megjithatë manipulatorët ekstremistë bolshevikë e enveristë të Partisë Demokratike mundën ta bëjnë zhurmën e radhës të "pordhës në polik"!

U lëshuan si çakej në sallën e parlamentit dhe bënë sikur "kishin zbuluar Amerikën"! Iu vërsulën Donika Gërvallës në mënyrë të personalizuar si kurrë më parë dikujt tjetër. Ata që kishin toleruar e në masë të madhe mbështetur tradhtitë me territore të shefit të tyre, këta "patriotë të skajshëm" donin të të hiqeshin si "mbrojtësit e mëdhenj" të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa në fakt janë dhe mbeten bashkë me shumicën e atyre që gjenden në Hagë shkelësit më të dëshmuar të idealit të lirisë, me të cilin luftoi UÇK dhe ranë dëshmorët e atdheut! Sepse lufta nuk u bë për ta grabit e vjedh Kosovën, për ta ndarë territorin e saj e për ta risjellë Serbinë në Kosovë përmes Asosacionit të Komunave Serbe ! Sepse dëshmorët nuk ranë në fushë-betejë dhe ato 16 mijë viktimat e gjeonocidit serb në Kosovë nuk dhanë jetën që pas 20 vitesh Hashimi e këshilltari i tij, Baton Haxhiu, t'ua falin serbëve gjakun e derdhur rrëke në këtë vend!

Donika Gërvalla ka qenë, është dhe do të jetë kundër kësaj mënyre të atyre që na hiqen si "patriota" të Pronto-s! Ajo ka dëshmuar se e ka dashur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me zemër dhe jo me pasuri e tradhti ndaj saj! Nëse ka folur për Gjykatën Speciale, ajo e ka mbrojtur atë në kuadër të asaj që duhej ta kishin bërë me kohë qeverisjet e Hashimit e të Isës me drejtësinë e munguar në Kosovë. Padrejtësia që pseudopatriotëve u siguroi pasuri e privilegje të pafund është shkaku i pasojës së Hagës. Nuk është Donika Gërvalla ajo që e krijoi atë gjykatë.

Të bëhesh "patriot" me motivin për t'i ikë drejtësisë, është dy herë poshtërsi. Ndërkohë gjithkush e di se shumica e shqiptarëve në Kosovë i janë gëzuar krijimit të Gjykatës Speciale dhe jo pak prej tyre edhe ndëshkimit që mori me vete Hashim Thaçin. Po pse Donika Gërvalla u gjet si cak qitjeje e goditjeje e radhës? Sepse ajo është e bija e Jusuf Gërvallës! Dhe Jusuf Gërvalla për stalinistët e PDK-së është sinonim i "armikut të klasës"! Sepse ajo është mbrojtësja e flaktë e interesave, lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, e dëshmuar kjo me sa e sa prova të jashtëzakonshme! Sepse principet e saj për shtetin e së drejtës janë krejt të kundërta me principet e ekstremistëve të Partisë Demokratike.

Ata që sulmojnë deri fizikisht Donika Gërvallën nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë shtet ligjor të së drejtës dhe drejtësi! Ata nuk kanë ndërmend kurrë që të kujdesen për barazinë dhe lirinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës! Për ekstremistët e PDK-së që rrethojnë foltoren e parlamentit më shumë vlen makutëria sesa drejtësia e demokracia! Donika dhe patriotët e rrejshëm të klanit Pronto janë ku e ku me njëri-tjetrin! Nuk bashkohen në asgjë! Ndaj dhe ishte e pritshme që cak i sulmeve të injorancës të bëhej një personalitet politik i përmasave të Donika Gërvallës!

Sikur PDK dhe Hashim Thaçi, së bashku me Edi Ramën, të kishin bërë divorc me Baton Haxhiun kur ai kërkoi ndarjen e Kosovës dhe faljen e krimeve të Serbisë në Kosovë, do të ishin vërtetë patriotë. Por jo! Ata sulmojnë atdhetarët për të lartësuar tradhtarët!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat