Rrugët e trieshit i filloi diaspora e kësaj treve në Amerikë dhe do t’i mbarojë komuna e Tuzit dhe Nik Gjeloshaj

Opinione

Rrugët e trieshit i filloi diaspora e kësaj treve në Amerikë dhe do t’i mbarojë komuna e Tuzit dhe Nik Gjeloshaj

Nga: Gjekë Gjonlekaj/New York Më: 21 qershor 2021 Në ora: 14:40
Gjekë Gjonlekaj

Televizioni BOIN dhe MALESIA.ME njoftuan ne fund të javes se kaluar se të merkuren më 23 qershor fillojne punimet për asfaltimin e rrugës nga Delajt në Koritë. Ishte lajm i mirë për trieshanët dhe malësorët shqiptarë në përgjithësi. Për asnjë objekt tjetër shoqëror ose publik në Triesh nuk është  dhënë ose punuar më shumë. Në kohën e Knjaz Nikollës ishte rrugë kuajsh dhe vetëm vitin 1954 u bë rrugë automjetesh. Në verën e vtit 1954 isha me nënën time në Kazhenik tek nuni im Dokë Prela. Isha fëmij në moshën 7-vjecare. Isha në oborrin e dëbanit të Dokë Prelës kur dëgjova krisëm e një pushke në Qafë të Lugu Budzës. Vura re një veturë të bukur dhe dëgjova urimet e Zef Palokës Cacaj "Triesh të kjoftë për hajr rruga". Këtë urim e tha me zë të lartë. Pas pak e pyeta nunin tim Dokë

Prelën për këtë ngjarje dhe Ai ma shpjegoi me pak fjalë historinë e kësaj rruge. Nuk më kujtohet nëse vazhdoi kjo veturë udhën deri në Stjepoh që është qëndra e Trieshit. Në vjeshtën e atij viti përsëri më kujtohen dy vetura luksoze në Lamë të Rrasës, aty ku është sot shkolla 9-vjecare e Trieshit. Vura re kur dolën nga veturat e tyre luksoze e tipit FIAT, Bllazho Jovanoviqi dhe disa zytarë të tjerë të veshur bukur dhe me kravata, që deri atë ditë nuk kisha parë kurrë në Triesh një elegancë të tillë. Pothuajse i gjithë Trieshi ishte mbledhur për të festuar përurimin e rrugës së Trieshit nga kilometri i 7 e deri në Stjepoh, më mirë me thëën deri te karaulla ushtarake jugosllave në këtë katund. Për ta bërë këtë ceremoni edhe më madhështore ishte ftuar për pjesëmarrje kryetari i Republikës së Malit të Zi Bllazho Jovanoviqi. Në atë ceremoni kishin marrë pjesë qindra trieshianë, burra e gra. Lama e Rrasës ishte përgatitur për këngë e valle. Trieshi ishte i njohur për valle malazeze dhe për ato kërcimet e tyre të një burri me një grua. Mbaj mend këngën "Druzhe Tito mi ti sekunemo, da ga tvoga puta ne skrenemo". Që në shiqp do të thotë "Shoku Tito të betohem që nga rruga jote nuk largohem"

Kërcimin e parë në këtë valle e filloi Bllazho Jovanoviqi me Drane Leken e veshur në xhublet . Drane Lekja ishte gruaja e nunit tim Dokë Prelës. Ishte grua punëtore e përmendur e cila shkonte në kishë cdo të dilelë, gjithëmonë vishej në rrobë kombëtare. Të gjitha e pohonin se Drane Lekja ishte njëra nder gratë më të mira të Trieshit. Ishte aktive në vepra të mira, qofshin ato kombëtare ose fetare. Kjo bijë fisnike e Hotit dhe i shoqi i saj Dokë Prela nuk u trashëguan. Pas fjalimeve, këngëve e valleve, organizatorët kishin përgatitur një drekë për delegacionin e lartë politik të Malit të Zi në krye me Bllazho Jovanoviqi. Ajo drekë ishte shtruar ne shitoren e Trieshit të cilën e drejtonte Pal Toshi Dedivanaj. 

C'prej asaj dite e deri sot nuk kanë pushuar kurrë punimet e kësaj rruge, qofshin ato përmirsime ose asalftime. Ndërtimi i rrugës prej Stjepohi e deri në Bekaj, Poprat e deri në Koritë kishte vonuar vite të tëra. Infrastruktura e Trieshit dhe e krejt Malësisë ishte e rrënuar. Bile para 35 vjetesh kishin ardhur këtu në Shtetet e Bashkuara, Lucë Lucaj dhe Zef Gjeloshaj(axha i Nik Gjeloshaj) për të kërkuar ndihma nga trieshianët e Amerikës për rregullimin dhe asfaltimin e disa pjesëve të kësaj rruge. Për faktin se ata ishin shumë të nderuar në Triesh dhe në Malësi, diaspora e kësaj krahine në Amerikë i priti mirë dhe ata kishin bashkuar një sasi të konsiderueshme fondesh. Pas disa dekadash kjo rrugë filloi të shëmbej dhe të shkatrrohej. Autoritetet përgjegjëse të rrugëve të atyre zonave nuk kishin treguar asnjë lloj interesimi për riparmet e kësaj rruge.  Ndërkohë arsimtarit veteran i Trieshit Vaslel Margilaj i kishte idenë dhe deshirën për ndërtimin e një rruge tjetër e cila do të fillonte në Dinoshe dhe do kalonte nëpër Grudë në krahun e djathtë të Cemit deri në Selisht dhe prej atje deri në Qafë të Nagrivës në Triesh. Ai kishte gjetur mbështetjen e shumicës së malësorë në Amerikës, natyrisht se pjesen më të madhe ia kishin dhënë vendasit e tij në Amerikë. Vasel Margilaj dhe familja e tij e kishin marrë përsipër ndërtimin e kësaj rruge dhe pas disa muajsh e kishin përfunduar këtë rrugë prej 6 kilometrash sipas projektit që kishin bërë profesionistët e asaj kohe. Rruga automobilistike Triesh-Selisht ishte realizuar. Por sot pas një cerek shekulli kjo rrugë është dëmtuar nga moti dhe shienat e mëdha. Komuna urbane Tuzit në krye me Maliq Cunmulaj shumë vjet më parë e kishin futur në planinin  e tyre komunal për asfaltim. Për arsye të ndryshme ky plan nuk është realizuar. Para 15 vjetësh Kolë Preka Cacaj kishte filluar zgjerimn e rrugës së Trieshit nga shtëpia e tij në Rudinë e deri në Stjepoh, cfarë e kishte realizuar për një kohë të caktuar. Rruga e Vasel Margilaj dhe rruga e Kolë P.Cacës kishin ngecur ne vend ngase nuk ishte bërë asnjë punim tjetër. 

Para 5 vjetësh Kolës P. Cacaj, Marash Lucaj dhe Nua Dedivanit në Michigan u kishte lindur idea për zgjerimin e rrugës së Trieshit nga kilometri 7 që ndahet me rrugën e Kucit dhe deri në Triesh. Këtë ide e kishin mbështëtur pothuajse të gjithë trieshianet e Amerikës dhe pas shumë fushatash kishin grubmulluar qindra mijera dollarë për zgjerimin  e kesaj rruge. Qeveria e Malit të Zi u kishte premtuar se ata do ta bënin tamponimin dhe asfaltimin. Ata kishin realizuar vetëm tamponimin dhe asfaltimin e 12 kilometrave nga Delajt deri në Fudna. Nga kilometri 7 e deri në  mbarim të Fudnave kishin mbetur 2 kilometra e 700 metra pa asfaltuar por pas dy vjtësh komuna e Podgorices e kishte përfunduar asfaltimin e kësaj pjese. Tamponimin dhe asfaltimin e 15 kilometrave qe i bije nga kilometri 7 deri në Delaj e kishte paguar komuna e Podogoricës. Fondi Humanitar  Trieshi në New York dhe Detroit  kishte paguar 130. 000  dollarë për këto punime që sot e kësaj dite nuk dihet kush i kishte marrë ato fonde që nuk kishin qënë pjesë e asaj marëveshjeje.  

Në nëntor të  vitit 2017 Presidenti i Malit të Zi,Millo Gjukanoviq i kishte dhënë një intervistë në Tuz televionit Boin ku kishte premtuar se virtin e ardhshëm 2018 do të përundojë asfaltimi i rrugës së Trieshit der në Koritë. Pavarësisht atyre premtimeve nuk kishte bërë asnjë hap konkret për asfaltimin e kësaj rruge. Më në fund Kryesia e Fondit Humantar Trieshi kishte vendosur t'i shkruante një letër të hapur Millo Gjukanoviqit për mos mbajtjen e premtimit. Këtë ide e kishte pëlqyer edhe Kryetari Komunës së Tuzit Nikë Gjeloshaj. Letra ishte përgatitur në gjuhën shqipe, malazeze dhe angleze. Ajo letër ishte dërguar më 24 shkurt 2020. Kryetari i Fondit Marash Lucaj e kishte nënshkruar atë letër që ishte më shumë protestë se gjithcka tjetër. Marash Lucaj i kishte dërguar nje kopje të asaj letre Nik Gjeloshaj.

Pas pak dittësh zyra e Presidentit Gjukanoviq e kishte kontaktuar Nik Gjeloshaj dhe pas dy tri ditësh Nika kishte biseduar me Presidentin e Malit të Zi Millo Gjukanoviq në lidhje me permbajtjen  e kësaj letre. Zoti Gjukanoviq ishte ankuar se letra kishte qënë shumë e ashpër, por kishte premtuar se do të siguronte 400.000(katërqindmij) euro për rrugën e Trieshit për punimet prej Delajve deri në Poprat, por jo deri në Koritë. Vitin e kaluar kryetari i Komunës Vukoviq kishte dërguar në Triesh makinerinë e duhur per asfaltimin e rrugës deri në Poprat, por Nik Gjeloshaj ia kishte ndaluar punimet ngase këto punime ishin në kompetencën e Komuës së Tuzit e jo të Podgoricës. Të gjithë e dijmë seTrieshi është pjesë e komunës së Tuzit. Gjukanoviqi dhe Vukoviqi ishin zemëruar për qëndrimin  e Nik Gjeloshaj duke i krijuar vështirësi dhe pëngesa të ndryshme. Nik Gjeloshaj e bëri publike deklaratën e tij në T.V BOIN se punimet për asfaltimin  e rrugës deri në Koritë do te fillojnë të mërkurën me 23 të këtij  muaji. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij dolën në Triesh ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Podgoricës.Nik Gjeloshaj tha se asfaltimi i kësaj rruge deri në Koritë do të kushtojë 750.000 (shtaqind e pesdhjet mij) euro.

Ai tha se pas premtimit të Gjukanoviqit prej 400.000 eurosh komuna e Tuzit do të japë për asfaltimin  e rrugës së Trieshit 350. 000 euro.Pavarësisht se Gjukanoviqi kishte premtuar se qeveria e tij do asfaltojë këtë rrugë deri në Koritë, Ai e la premtimin e tij në gjysmë të rrugës që do të thotë deri në Poprat. Nik Gjeloshaj i kishte premtuar Trieshit, Malëssië dhe diaspores së kjo rrugë do të asfaltohet gjatë vitit 2021. Ndërkohë ndodhi dicka e papritur për Trieshin, për Malësinë dhe për gjithë njerëzimin. Ra murtaja, ra virusi i koronës epidemia më e tmrshme e njerëzimit tash një shekull. Nika dhe bashkëpunëtorët e tij u gjetën përballë kësaj tragjedie si asnjë krahinë tjetër në këtë rajon ballkanik. 

Kjo rrugë ka qënë problematike tash një shekull e gjysmë, qysh se Mali i Zi e kishte pushtuar Trieshin. Ndërsa Mali i Zi ndërtone rrugat dhe urat e veta me vlerë prej miliarda dollarësh kishte problem për disa qindra mijëra dollarë për ndërtimin e rrugës së Trieshit, që më ne fund u desh që diaspora të mbledhë fonde për zgjërimin e kësaj rruge. Ata kishin ndërtuar e asfaltuar rrugë të shkëlqyeshme deri në fshatrat më të largëta të Kucit që është paralel me Trieshin. Interesimi i të parëve të Nik Gjeloshaj për Trieshin është i kahershem është për pothuajse dy shekuj. Për të mirën nderin dhe dinjitetin kombëtar e fetarë të kësaj treve iliro-arbërore kishin luftuar e punuar të parët e tij duke filluar nga Mark Gjeloshi, Marash Marku, Hasan Nika, bile edhe Gjyshi i Nikës kishte qënë kujdestar i rregulltë i rrugës së Trieshit. Kujdesin e Tom Hasit për rrugën e Trieshit e dijmë shumica që jetuam në kohën e tij.Dhe sic e permenda në fillim të këtij shkrimi,axha i Nikës, Zef Toma Gjeloshaj kishte bërë fushatë në Amerikë për ngritjen e fondeve për këtë rrugë. S'ka asnjë dyshim se diaspora e Trieshit ka merita të mëdha për zgjerimin e kësaj rruge, por merita e dytë e madhe në lidhje me përfundimin e kësaj rruge do t;i takoje Nik Gjeloshaj. Nuk e besonim se Nika do ta merrte pësipër një punë kaq të madhe dhe të vështirë. Qysh atëherë e sot Nika shumë ditë të vështira nga gjukanoviqët e vukoviqët dhe lakejtë e tyrë në Malësi dhe në Amerikë.

Por është karakteristikë se trimat e kësaj familjeje nuk janë dorëzuar kurrë.Ata u kanë qëndruar përballë stuhive më të ndryshme dhe gjithmone kanë dalë faqe bardhë. Urojmë që të mos i sjellin kokëcarje e pëngesa të tjera gjatë punimeve të kësaj rruge shumë të rëndësishme për banorët e kësaj treve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat