Diplomatja unike në shërbim të shtetndërtimit dhe paqes në Kosovë dhe botë

Opinione

Diplomatja unike në shërbim të shtetndërtimit dhe paqes në Kosovë dhe botë

Nga: Burim Breznica Më: 26 qershor 2021 Në ora: 10:46
Burim Breznica

Diplomacia na ndihmon në aspektin e përgjithshëm që të kuptojmë natyrën e politikës botërore por ajo poashtu na tregon shumëçka për sjelljen e aktorëve të ndryshëm në sistemin global të politikave botërore. Në nivelin shtetëror, diplomacia si ”art i së mundshmes” mundëson realizimin e interesave kombëtare, zgjedhjen e kontesteve të ndryshme në mënyrë paqësore si dhe bashkëpunimin me vende të ndryshme në fusha të ndryshme si psh. ekonomi, arsim, kulturë etj. varësisht nga interesat shtetërore. Edhe më herët kam shkruar se makineria diplomatike kryen pesë funksione kryesore nëse flasim në përgjithësi e ato janë: mbledhja e informatave, këshillat politike, përfaqësimi i një vendi, negociimet e ndryshme dhe shërbimet konsullore (B.Breznica, Kosova, sfidat dhe vizioni për shtetin e ri, Sh. botuese Faik Konica, 2008, f.109–116).

Historikisht ka shumë diplomatë të shquar që kanë kryer punë të mëdha për paqe, siguri ndërkombëtare, për bashkëpunimin dhe pengimin e konflikteve të ndryshme. Një nga ata/ato padyshim është ish kryediplomatja amerikane, znj. Madeleine Allbright që ka lënë gjurmë të thella pozitive në diplomacinë amerikane, atë botërore dhe në Kosovë e Ballkan veçanërisht. Znj. Ollbrajt në librin e saj të fundit: Hell and other destinations: (2020, Historiska media, përkthyer në suedisht),”Ferri dhe destinacionet e tjera” në shqip, shkruan kujtimet e saj, përvojën politike dhe ngjarje interesante nga jeta e saj private. Në vazhdim do të shkruaj për disa momente interesante si dhe më shumë për pjesën e Kosovës ku ajo shkruan veçanërisht.

Ish sekretarja Ollbrajt shkruan se kur në fundin e mandatit si ministre e jashtme (e 64-ta për SHBA), gazetarët e kishin pyetur se si dëshiron të mbahesh mend, ajo ishte përgjigjur se ishte aty dhe kishte shumë gjëra tjera për të bërë. Përveç aktivitetit në NDI (Instituti Demokratik Nacional), pastaj në universitet si ligjëruese, angazhim në institute, grupe ekspertësh dhe OJQ etj. ajo kishte vendosur të shkruante dhe të mbante ligjërata lidhur me jetën e saj dhe për tema politike etj. (f. 7-8). Zonja Ollbrajt kishte filluar të punoj për herë të parë në moshën 39 vjeçare, si këshilltare juridike për një senator në Uashington (f. 14). Më vonë u angazhua si ligjëruese në universitetin e Georgetown kurse në vitin 1984 ishte zgjedhur si nënkryetare e NDI. Në vitin 1993 ishte zgjedhur ambasadore e SHBA në OKB dhe si Sekretare e shtetit për punë të jashtme (ministre e jashtme) 1997–2001.

Znj. Ollbrajt shkruan se për arsye se ka qenë e lindur jashtë vendit (si edhe H.Kissinger) nuk ka pasur të drejtë të kandidonte për presidente të SHBA edhe pse mendja i kishte shkuar. Kurse V. Havel e kishte lutur që ta zëvendësonte atë si kryetare në Çeki. Ollbrajt kishte menduar se oferta është tërheqëse të punosh dhe jetosh në Pragën e bukur porse nuk e kishte pranuar pasi që nuk kishte pasur afërsi të madhe me çekët pas shkuarjes së familjes së saj në SHBA, shkollimit dhe jetës atje (f.16).

Historia e hershme e znj. Ollbrajt dhe familjes së saj

Znj. Ollbrajt kishte lindur në Pragë (e pagëzuar si Marie Jana) pak para Luftës së Dytë Botërore dhe së bashku me prindërit kishin ikur nga Çekosollovakia e atëhershme pas invadimit nazist për në Londër. Më 1945 kur u çlirua ish Çekosllovakia ishte kthyer atje me prindërit dhe pastaj kishin jetuar edhe në Beograd sepse babai i saj kishte qenë ambasador atje. Por, më 1948 komunistët e kishin marrë pushtetin në ish Çekosllovaki dhe ajo bashkë me familje kishin ikur në SHBA (f.22-23). Pak ditë para se të bëhej ministre e jashtme, kishte kuptuar se kishte prejardhje hebrenje dhe rreth 30 anëtarë të familjes së saj nga Çekosllovakia ishin vrarë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore (mes tyre gjyshja nga babai si dhe gjyshërit nga nëna, f. 253-255). Prindërit e kishin ditur por nuk i kishin treguar. Znj. Ollbrajt e kishte mësuar lajmin nga gazeta Washington Post që kishte shkruar për këtë gjë ato ditë.

Znj. Ollbrajt shkruan se kishte mësuar si ministre e jashtme që është me rëndësi çka do të thuash por poashtu edhe çka nuk do të thuash sidomos nëse ka ndjeshmëri në mes vendeve të ndryshme psh. Gjiri Persik quhet Gjiri Arabik nga vendet arabe etj. (f.26).

Znj. Ollbrajt ishte ftuar në një darkë nga znj. C. Rice ish këshilltare e presidentit presidentit Bush atëkohë. Duke shkuar rrugës ishte rrëzuar dhe lënduar. Kishte lajmëruar protokollin që do të shkonte me vonesë dhe vëllai i saj e kishte marr me makinë nga shtëpia e saj për në spital. Por znj. Ollbrajt nga tronditja kishte harruar çantën e saj. Kur kishin shkuar në spital në recepcion i kishin kërkuar letërnjoftimin dhe kjo nuk e kishte pasur. Ajo kishte filluar ti sqaroj se kush ishte se kishte qenë ministre e jashtme etj. recepcionistja e kishte shikuar me dyshim dhe i kishte thënë se C. Powell është ministër i jashtëm! Po, ke të drejtë i ishte përgjigjur znj. Ollbrajt por unë kam qenë në atë post para tij. Recepcionistja më shikoi pastaj dhe tha ”aha, ok tani e kuptoj ju jeni e papunë”, shkruan tutje Ollbrajt me dozë humori (f.52-53). Ajo shkruan tutje se kishte pasur një mospajtim me z. Powell në vitin 1993 pasi që ajo ishte për një qasje më të fortë për të ndalur agresionin serb dhe spastrimin etnik të Bosnjës kurse z. Powell mendonte se do ti kushtonte shumë SHBA. Por, kur pastaj SHBA dhe NATO më 1995 intervenoi ushtarakisht kundër serbëve, atëherë u ndal gjakderdhja në Bosnjë dhe hapi rrugën e paqes. Nga ai moment thotë Ollbrajt në filluam të jemi miq dhe të krijojmë komunikim të rregullt.(f.53).

Ligjërimi në universitetin e Georgetown, SHBA

Znj. Ollbrajt ligjëron lëndën ”Instrumentet dhe mjetet e politikës amerikane për siguri kombëtare” dhe aty bëhet fjalë se çfarë mundësish ka një president për tu përballur me një krizë ndërkombëtare. Si psh. masa stimuluese (ndihma ekonomike, tregti, shtije armësh), dënime (sanksione dhe detyrime/mjete ushtarake) dhe diplomacia në të gjitha format e saj. Cilat janë anët e forta dhe ato të dobëta të një shteti? A janë fqinjtë miqësor apo armiqësor? Si duket lidershipi i vendit dhe a kanë përkrahje në popull? Përgjigjet në këto pyetje tregojnë psh. se përse autokrati Putin mori rrezikun për të vjedhur Krimenë nga Ukraina shkruan znj. Ollbrajt tutje. Putin konsideron se shpërbërja e ish BRSS ka qenë një katastrofë dhe e sheh Krimenë si pjesë të territorit të vet. Ai e bëri atë për qëllime të brendshme por edhe për të imponuar dominimin rus në rajon. Gjithë kjo ka qenë e parashikueshme por këtë nuk e kanë paraparë shërbimet e fshehta perëndimore, thotë znj. Ollbrajt. (f. 77-78). Si ligjëruese i nxit studentët që të bëjnë analiza të tilla gjeopolitike dhe ambicja ime është e thjeshtë ”që të stimuloj dhe motivoj pikat dhe anët më të forta të studentëve të mi”, shkruan ajo (f.82-83).

Përvoja me pushtetarët në Nigeri

Nigeria ka popullsi të madhe dhe ka rezerva të naftës së papërpunuar (vendi i 11 në botë, f.104). Znj. Ollbrajt kishte përshëndetur zgjedhjen e O. Obasanjo si kryetar sepse atë e kishte parë si reformist edhe pse ishte ushtarak me profesion dhe ai kishte deklaruar luftën kundër korrupsionit. Pastaj e kishin akuzuar më 2006 se dëshironte të ndryshonte kushtetutën për të qëndruar në pushtet edhe mandatin e tretë. Znj. Ollbrajt shkruan më tej se kishte pasur një përshtypje të mirë për të por kur ajo kishte vizituar Obasanjon si kryetare e NDI, në vilën madhështore të tij në Abuja, me salla gjigante, dhe kafshë të egra që kalonin nëpër kopshtet e tij e kishte kuptuar se ai ishte më shumë i interesuar për mirëqenien e tij sesa të popullit të vet (f. 104-105).

Ngjarja prekëse në Etiopi

Znj. Ollbrajt shkruan për shumë ngjarje dhe historira që ka pasur si ish ministre e jashtme ku ka vizituar vende të pasura dhe të varfëra. Në vendet e varfëra takonim psh.fëmijë të varfër e të paushqyer, ata ofrohen dhe ti i përqafon ose i mban në prehër derisa gazetarët të bëjnë fotografitë. Atyre fëmijëve thotë Ollbrajt ju thoja ”mos u brengosni se çdo gjë do të bëhet mirë” dhe pastaj kryeja vizitën e vazhdoja tutje. Gjatë një ngjarje në Etiopi në ditën kundër HIV/Aids isha e ulur afër një djali të vogël, të cilit i kishin vdekur të dy prindërit nga sëmundja. Nxora një stilolaps dhe ja dhashë atij. Por ai më tha në anglisht ”Jo. Më jep ushqim ose këpucë”. Në raste të tilla e kupton se çka bën varfëria dhe duhet admiruar punën e atyre që ndihmojnë vendet e varfëra, shkruan Ollbrajt tutje (f.109-112).

Si e përshkruan znj. Ollbrajt ish kryeministrin izraelit z. B. Netanjahu?

Z. Netanjahu në një fjalim në OKB (Asambleja e Përgjithshme) më 2013 dënonte ashpër punën ”enorme dhe të vazhdueshme” të Iranit për të krijuar armë bërthamore dhe kërkonte që bota ta ndalte atë. Ai argumentoi si një program i tillë rrezikonte sigurinë dhe ekzistencën e Izraelit shkruan znj. Ollbrajt (f.281-282). Po të njëjtën ditë ish presidenti Obama kishte thirrur në telefon kryetarin e Iranit z. H. Rohani dhe rezultati ishte negociatat diplomatike që pas dy vitesh solli marrëveshje që 98% e uraniumit të pasuruar të dërgohej jashtë Iranit, të mbyllnin reaktorët me beton etj. Dhe Netanjahu në vend që të falenderonte z. Obama për arritjen e një marrëveshjeje të tillë me Iranin që po ndalonte ata të rrezikonin Izraelin, ai kritikoi ashpër z. Obama sepse sipas tij ajo ishte qasje e butë (e njëjta faqe si më lart). Znj. Ollbrajt shkruan tutje që kur kishte qenë ministre e jashtme, Netanjahu ishte zgjedhur kryeministër për herë të parë. Në një shënim vetëm për vete, ”e përshkrova atë si një gënjeshtar manipulativ që shpëton pa dhënë llogari”. Përshtypja e Ollbrajt për Netanjahun ishte se amerikanët patën mendime më të larta për të sesa do të kishin po të mos sillej dhe kopjonte politikanët përëndimorë dhe po të mos fliste anglishten pa akcent. Ai nuk i mbante të fshehta qëllimet e tij dhe i kishte thënë në takim se ”lufta mes Izraelit dhe dhe armiqve të tij në rajon ishte e pashmangshme” shkruan tutje znj. Ollbrajt (f.282). Z. Netanjahu kishte vazhduar më tej se ai donte të bënte Izraelin të fortë dhe kundërshtarët e dobët në mënyrë që kur të vinte lufta, të dilte fitimtar. Ai nuk ishte i interesuar për negociata dhe bisedime dhe as nuk besonte në to. Znj. Ollbrajt përfundon se një qasje e tillë nuk ishte e mençur me demografinë që ka Izraeli. Në vitin 2013, kur Netanjahu mbajti fjalimin e tij në OKB, emri më i popullarizuar i djemve të lindur në Izrael ishte Muhamed, thekson ajo (f. 282).

NATO

Znj. Ollbrajt kishte pranuar që të përfaqësonte SHBA në grupin e ekspertëve për analizë të konceptit strategjik të NATO-s pas thirrjes së sekretares Klinton më 2009 (zonjën Klinton e vlerëson si shumë të mençur dhe njeri shumë të mirë) dhe bashkë me ekspertë të vendeve tjera (f.202). Znj. Ollbrajt ishte zgjedhur drejtuese e grupit të ekspertëve nga 12 veta. Gjatë luftës së ftohtë, NATO kishte qenë garant i mbrojtjes së Perëndimit dhe aleatëve nga ish BRSS. A duhej ende NATO? Po patjetër konstatoi grupi i ekspertëve edhe pse lufta e ftohtë kishte mbaruar. NATO kishte kryer punë të jashëzakonshme në rastin e ndaljes së agresionit dhe spastrimit etnik serb në Bosnjë dhe në Kosovë shkruan tutje Ollbrajt (f.203–204). Ne vlerësuam NATO-n edhe për idealin dhe vlerat e saj: liria, shtetet e së drejtës dhe angazhimi për të siguruar paqe. Edhe zgjerimi i NATO-s ishte i drejtë thekson Ollbrajt sepse ju sjell siguri dhe paqe anëtarëve të vendeve të lindjes që e kërkuan atë. Më 2001 pas sulmeve terroriste në SHBA, NATO aktivizoi nenin për mbrojtje kolektive për të gjitha vendet dhe sulmi u klasifikua si sulm ndaj të gjithëve. NATO u angazhua me aktivitete trajnimi në Irak dhe luftë kundër talibanëve në Afganistan por NATO ende siguron paqen në Ballkan. Përfundimi ynë ishte se NATO ka rol të luaj për të mbrojtur vendet anëtare dhe paqen sepse kishte rreziqe të mëdha. Në raport që doli më 2010 u tha se NATO do të mbronte vendet dhe sigurinë kolektive të anëtarëve të saj nëse ndonjë nga to do të rrezikohej. Dhe se vendet anëtare duhet të kontribuonin me së paku 2% të brutoprodhimit kombëtar.

”Kosova qëndron afër zemrës sime”

Si drejtore e NDI (pas detyrës si ministre e jashtme) znj. Ollbrajt angazhohet për zhvillimin e demokracisë në botë dhe kundër regjimeve totalitare. Në këtë kontekst ajo edhe ka vizituar Kosovën disa herë. ”Kosova si një vend mes maleve të Ballkanit qëndron afër zemrës sime pasi që detyra ime si ish ministre e jashtme ka qenë të mbroj popullin shqiptar nga shtypja e dhunshme nga qeveria e Serbisë. Dhe pasi që udhëheqësit në Beograd kishin refuzuar të gjitha iniciativat për zgjedhje paqësore, NATO ndërhyri ushtarakisht dhe ua siguroi pavarësinë kosovarëve” shkruan znj. Ollbrajt. (f.106).

”Në shumë aspekte, Kosova ka arritur progres dhe hapat e tyre kanë qenë të jashtëzakonshëm. Republika e Kosovës ka sistem shumëpartiak dhe një kushtetutë që garanton të drejtën e shprehjes, religjionit, të organizimit dhe tubimeve etj. Zgjedhje të rregullta mbahen, femrat dhe minoritetet zgjedhen në parlament, shoqëria civile ka prosperuar dhe ekonomia po rritet. NDI ka bashkëpunuar gjatë me kosovarët si psh. në organizimin e takimeve të deputetëve të parlamentit me votuesit e tyre, mbajtjen e debateve publike etj. Kosovarët kanë bërë përvojë dhe shprehen lirshëm çka mendojnë dhe kjo është arritje e madhe për një vend që ka qenë nën okupim nga romakët, bizantinët, osmanët, serbët dhe jugosllavët”. Megjithatë, ende mbetet për tu bërë thekson Ollbrajt tutje (f.106-107). Gjatë 20 viteve të fundit e kam vizituar Kosovën shumë herë dhe gjithmonë kam nënvizuar që shumica shqiptare të pajtohet me pakicën serbe. Ka ecje para ngadalë pasi që hidhërimi është prezent tek të dyja palët. Kam theksuar gjithashtu se korrupsioni duhet zhdukur. Korrupsioni ka ndikuar që njerëzit të humbin besimin në shtet, ai ka infektuar sistemin juridik dhe ka ndikuar në sulme ndaj gazetarëve të pavarur (nga ata që kanë qenë të lidhur/dyshuar). Ky problem ende ekziston përkundër përpjekjeve për ta luftuar. Në qershor të vitit 2019 kam qenë atje bashkë me ish presidentin e nderuar z. Klinton. Pritja për ne ishte madhështore ashtu sikurse dhe besimi për Amerikën. Kaluam pranë statujës së ngritur për nder të presidentit Klinton dhe një tjetre për mua. Takuam ish refugjatë që tani punonin si ndërmarrës, juristë, pjesëtarë të shoqërisë civile. Me mijëra njerëz ishin mbledhur në rrugë dhe flamujt amerikanë dhe ata të Kosovës shiheshin kudo. Por, një mësim që vlen për Kosovën dhe shumë vende të tjera është se demokracia nuk është një fakt në shumë vende por një përpjekje dhe angazhim për të bërë qeverinë më të mirë, më aktive, më të drejtë dhe në shërbim të popullit. (f.94-108). Znj. Ollbrajt shprehet krenare për angazhimin e saj për Kosovën dhe marrjen e Medaljes së Lirisë nga ish presidenti Obama më 2012 etj.

Në vend të përfundimit

Teoritë politike dhe ato të organizimit të administratës publike theksojnë se në Evropë, shtetet moderne me krijimin e armatave të fuqishme, të autoriteteve tatimore, byrokracive të centralizuara që kanë ushtruar sovranitet mbi territore të caktuara dhe kanë pasur buxhet shtetëror datojnë diku para 400-500 vitesh. Kam theksuar edhe më parë se kontribut të madh në këtë fushë kanë dhënë Franca, Suedia dhe Spanja si shtetet e para me administratë publike qendrore dhe të konsoliduara (B.Breznica, Shtetndërtimi dhe Kosova, 99-AIKD, 2010). Nëse flasim në nivelin individual atëherë ndikimi i diplomatëve si zonja Ollbrajt dhe presidentit të nderuar B. Klinton, ish kryeministrit britanik T. Blair etj. në sjelljen e lirisë dhe paqes, në zhvillimin e demokracisë dhe shtetndërtimin ka qenë i madh, veçmas për Kosovën por edhe në Bosnjë e gjetkë. Aktiviteti intelektual e politik i znj. Ollbrajt vazhdon ende në mënyra të ndryshme dhe Kosova por edhe bota duhet t´i jetë mirënjohëse përgjithmonë një diplomateje të tillë sikurse edhe liderëve të botës së civilizuar që ndihmuan Kosovën por edhe Bosnjën, në momentet më të vështira për to. Prandaj edhe njerëzimi dhe pjesë të botës janë më të sigurtë dhe jetojnë në paqe me liderë e diplomatë të tillë unikë.

Autori ka specializuar në Administratë Publike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Universitetin e Stokholmit. Pikëpamjet janë personale dhe nuk përfaqësojnë institucionin suedez ku ai është i angazhuar (Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë, Administrata Tatimore e Suedisë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat