Vargu i pandalshëm i kryengritjeve shqiptare gjatë viteve 1823-1844 në Sanxhakun e Nishit

Opinione

Vargu i pandalshëm i kryengritjeve shqiptare gjatë viteve 1823-1844 në Sanxhakun e Nishit

Nga: Sami Arifi Më: 22 korrik 2021 Në ora: 06:48
Sami Arifi

Organizimet e kryengritjeve shqiptare kundërosmanëve në shumë vise të banuara me shumicë shqiptare në Sanxhakun e Nishit, po edhe në shumë qytete të tjera që sot ndodhën në Serbi, gjatë gjysmës së parë të shekullit kaluar, ishin në qendër të vëmendjes kryesisht ngjarjet e viteve 1823-1826, 1830-1831, 1832-1841, e veçanërisht ato të viteve 1844, jehona e të cilave vazhdoi edhe gjatë viteve 1845-1847, madje në Toplicë kishte shpërthyer një kryengritje mjaft e madhe shqiptare edhe gjatë vitit 1864.

Kjo kohë ishte kur filluan të themeloheshin Pashallëqe të shumta, të cilat Pashallëqe, ca prej tyre shkonin drejt pavarësimit nga Perandoria Osmane, ku një rrugë të tillë tashmë kishte marr Egjipti në krye me shqiptarin Mehmet Ali Pashën i cili arriti fitorën për pavarësinë e popullin egjiptian. Ndërkaq, në Shqipërinë Jugore krijohet pashallëku i madhë në krye me Ali Pashë Tepelenën, ndërsa në Shqipërinë Veriore që përfshihen edhe disa pjesë të Shqipërisë së Mesme, ndikimi i të cilës shtrihej edhe në Kosovë, po ndonjëherë ndikimi i Pashallëkut të Bushatllinjve të Shkodrës ndihej edhe në Sanxhakun e Nishit.

Synimi dhe kërkesa konkrete e shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit për të drejtat themelore shfaqet që nga viti 1823, pra, shqiptarët kërkonin nga Perandoria Osmane të drejtat siç u kishte dhënë kjo Perandori fqinjëve të shqiptarëve. Shqiptarët e Toplicës me armë në dorë kërkonin mundësinë e të drejtave politike të tyre, derisa turbullira kishte edhe nga shqiptarët e Karanovës (Kralevës së sotme), më vonë edhe në Qupri, pastaj në trevën e Pustarekës dhe të Jabllanicës. Në krye të kryengritjes së fundit ishte udhëheqësi dhe strategu i njohur shqiptar, Sejdi Menxha, i cili vazhdoi misionin që e kishte filluar qysh gjatë dhjetë vjetëshëve të fundit të shek. XVIII.

Shpërthimit të kryengritjeve shqiptare në zonën e Sanxhakut të Nishit të vitit 1826 i bashkohen edhe forcat shqiptare të qytetit të Nishit dhe rrethinës së tij, sipas pohimit të autorit T. P. Vukanoviq, atje gjatë tërë vitit 1826 nuk u ndalën luftërat, pra këto kryengritje ishin përhapur në tërë atë zone që do të thotë prej trevës Llapit dhe Gollakut e deri në Nish. Mustafa Pasha i Shkodrës me disa pashallarë të tjerë, pasi i bëri përgatitjet paraprake në Shqipëri më 19 maj bëri përgatitje në Prizren, dhe bashkë me disa pashallarë shqiptarë hyri në Shkup, ku aty bëhet edhe plani i luftës. Aty vijnë edhe pashallarët e Sangjakut të Nishit, pashallarët edhe nga Vranja dhe Leskovci, Potra e Lartë përgadiste planet për t’i mposhtur e shkatërruar organizimet e kryengritësve shqiptarë. Ndaj kryengritësve shqiptarë tradhëtia e radhës ishte ajo të cilën e bëri Veziri i madh Mehmet Rashid Pasha. Ky duke u frikësuar se edhe Shqipëria e Jugut do të ndihmojë Mustafa Pashën, Pashain e Bushatllinjve të Shkodrës, para se të fillonte luftën kundër kryengritësve shqiptarë, në mënyrë mizore i mbyti me tradhëti më se 500 prijsë shqiptarë. Mizoritë u bënë në pabesi ndaj shqiptarëve, kur mysafirët shqiptarë të cilët ai i kishte ftuar në parade dhe kur ata dolën gjëja për t’i parë ushtarët nga defilonin (parakalonin) në parade, ushtarët kthehen, kinse për t’i përshëndetuar mysafirët, dhe papritmas shtijnë dhe vranë shqiptarët e zgjedhur që kishin shkuar atje, gjoja për të marrë pjesë në pritjen madhështore. Kokat e këtyre 500 shqiptarëve i dërgohen sultan Mahmutit II në Stamboll. Beteja kryesore ndërmjet kryengritësve shqiptar dhe ushtrisë së rregullt osmane u shkaktua në Babunë, afër Prilepit, ku Mustafa Pasha me kryengritësit shqiptarë pësoi disfatë. Përveç shkaqeve të tjera, në këtë disfatë kontriboi edhe ushtria e rregullt dhe e organizuar mirë e Vezirit gjakpirës. Shkak tjeterë merret edhe tradhëtia e Hevzi Pashës së Shkupit, i cili i tradhtoi Mustafa Pashën dhe aleatët e tjerë shqiptarë mu në momentin më kritik. Vlenë të theksohet fakti se popullata e Sanxhakut të Nishit e përkrahu Pashain e Shkodrës. Mustafa Pasha pas betejës në Bunë tërhiqet në drejtim të Vranjës, Nishit e vende të tjera përreth. Pashai i Shkodrës i cili mbronte interest e veta iu bashkua edhe shtresa e gjerë popullore, kryengritja 1830-1831 mori karakter masiv dhe thelloi jazin ndërmjet pushtuesve osmanë dhe masave popullore shqiptare. Mustafa Pasha përmes një deklarate të tij pat dëshmuar se përveç interesave të ngushta feudale, shfaqi edhe synimet e tij për krijimin e një shteti të përbahkët shqiptar: ai kishte deklaruar se donte ta krijonte një shtet të pavarur ashtu siç e pat krijuar Skënderbeu. Përveç kryengritjeve ku ishin përfshirë pothuajse të gjitha trevat shqiptaretë Maqedonisë, Kosovës, zonës së Sanxhakut të Nishit gjatë viteve 1830-1831, 1832, 1833-1835, autori R. Trebjeshanini veçon kryengritjen shqiptare në zonën e Toplicës e cila ishte organizuar mjaft mirë nga ana e kryengritësve shqiptarë të atyre viseve në vitin 1837. Kryengritjet shqiptare kundër osmanllinjve të vitit 1833 kishin përfshirë jo vetëm Shqipërinë e sotme, por edhe Llap e Gollak, këto kryengritje i përmend Stojanqeviq, të cilat ishin zhvilluar në Shqipërinë e Mesme dhe në atë Jugore në vitin 1835 me Tafil Buzën në krye, por nga ky autor nuk shihet a qenë përhapur ato edhe në Kosovë dhe në Sanxhakun e Nishit. Me interes të veçant është kryengritja e vitit 1837, e cila u zhvilluar në truallin e Toplicës. Kryengritja antiosmane kishte synimet e caktuara për realizimin e autonomisë shqiptare.

Kryengritja më e madhe e Sanxhakut të Nishit kundër pushtuesit osmanë ishte ajo e vitit 1844. Në këtë kryengritje morën pjesë shqiptarët e Toplicës, Pustarekës me Jabllanicë, të Vetërnicës etj. Argumentet që i paraqet autori i këtyre të dhënave (R. Trebjeshanin) i ka bazuar, siç thamë në fillim, kryesisht në të dhënat arkivore (Zyra e Princit, Fondi i Mita Petroviqit, Ministrisë së Punëve të Brendshme etj.). Gjatë vitit 1844 kryengritjet shqiptare patën marrë hov të madh. Ato u zhvilluan në shumë vise të banuara me shqiptarë, ku sipas R. Trebjeshanin, këto kryengritje nuk pushuan prej vitit1834 deri në vitin 1844. Nga këto kryengritje shihet qartë kërkesa e kryengritësve për një autonomi shqiptare. Sipas dokumenteve bëhet e ditur se, kryengritja shqiptare e vitit 1844 kishte marrë përpjestime të mëdha në viset e Sanxhakut të Nishit dhe si e tillë u kishte sjellë kokëçarje të mëdha pushtetmbajtësve osmanë dhe ndihmësve të tyre. Sipa R. Trebjeshaninit: „Popullit kryengritës të Toplicës i ndihmuan qytetarët e Nishit, e, në anën tjetër vetë Pasha i Leskovcit është duke u ndihmuar dhe duke u dhënë zenër kryengritësve për realizimin e qëllimeve të tyre“. Nga shumë vepra tjera shihet se në prill të vitit 1844 një pjesë e madhe e kryengritësve shqiptarë prej 15.000 vetash qarkullonin jo vetën në Toplicë e vende të tjera përreth Leskovc e Vranjë, por edhe në Dobrovojë, Kosovë dhe Maqedoni, pra, vrehet qartë se kryengritësit shqiptarë mbanin në duar të veta një territor mjaft të gjerë. Atëbotë kryengritësit shqiptar mbanin në duart e tyre: Shkupin, Tetovën, Prishtinën, Prilepin dhe kishin mësyer edhe Manastirin. Betejat kryesore aso kohe ishin bërë në Katllanovë, aty ishte zhvilluar luftë e rrept në mes forcave osmane, në njëren anë, dhe të kryengritësve shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë dhe të një pjesës së kobnsideruar të shqiptarëve kryengritës, të Sanxhakut të Nishit, nga ana tjetër. Pasi që Vranja u mbrojt nga ushtria e rregullt osmane prej kryengritësve shqiptarë, kryengritësit u tërhoqën për në Toplicë në drejtim të Vranjës dhe Leskovcit, ata nuk u dorëzuan, por vazhduan të luftonin ashtu siç ndodhi edhe me kryengritësit tjerë shqiptarë të cilër zhvilluan betejat e rrepta me ushtrinë e rregullt osmane në Kaçanik. Kryengritësit shqiptarë duke depërtuar nëpër trevën e Polanicës, Klisurës dhe Gërdelicës ata u drejtuan duke u tërhequt për në drejtim të Leskovcit. Sipas të dhënave të autorit R. Trebjeshaninit shihet se kryengritësve të trevës së Jabllanicës dhe të Pustarekës u printe revolucionari i njohur shqiptar-Sejdi Menxha. Ky burrë trim kaloi pjesën më të madhe të jetës së vet duke luftuar në atë vise (Jabllanicë, Gollak dhe Pustarekë) kundër pushtetit osman për çlirimin e popullit shqiptar. Luftëtarët e tij, me disa ndërprerje, zgjatën rreth gjysmë shekulli (SU)! Dhe, për çudi, luftimet dhe trimëritë e tij disi mbetën të zbehura dhe ranë në harresë? Sipas shumë të dhënave arkivore vendi ku u zhvilluar beteja më e madhe e kryengritjes shqiptare kundër osmanëve ishte ajo e vitit 1844 ishte aty diku në mes qytetit Prokuple dhe Kurshumli, si pas të dhënave ishte shtatori i këtij viti. Ushtrisë së rregulltë osmane i erdhën në ndihmë pjesa e ushtrisë tjetërë të sjellë nga Nishi, Prishtina dhe vende tjera, gjë që osmanllinjtë në këtë aksion patën sukses. Kryengritësit shqiptarë kësaj radhe u shpartalluan keq, saqë shumë sish u zunë rob dhe u vranë, por tashmë, qëllimi i osmanëve ishte që t’i shtënë në dorë udhëheqësit shqiptarë të asaj kohe. Disa udhëheqës kryengritës tashmë ishin bërë si fytyra të njohura historike, sepse luftuan disa dekada me radhë, duke organizuar kryengritje pas kryengritjes kundër osmanëve. Njëri ndër ta ishte udhëheqësi i famshëm Sejdi Menxha i cili siç cekëm më lartë qarkullonte në trevën e Pustarekës dhe të Gollakut. Poashtu personalitet dhe fytyrë e njohur ishte bërë edhe Baba Feka. Mbase edhe person i cili përmendet në kryengritje të vitit 1837, Tafa? Sipas shkrimeve historiografike dhe arkivore serbe aty ishte ardhur edhe luani i maleve Dervish Cari. Ushtrisë osmane, pra, kësaj radhe i shkoi ndorësh t’i zinte udhëheqësit më të dalluar: Sejdi Menxhën dhe Dervish Carin, kurse Baba Feka u kishte shpëtuar, përkatësisht kishte ikur në mal thotë autori në veprën e tij, R. Trebjeshanin. Dervish Cari ishte person i njohur i anës Tetovës me emrin e vërtet të tij Dervish Sara, i cili kishte ardhur për të luftuar bashkë me shqiptarët e Sanxhakut të Nishit, i cili siç tham, sipas burimeve serbe, mu këtu u zu rob nga ushtria osmane. Sipas ca burimeve në arkivat serbe del se shqiptarët në beteja kundër pushtuesve osmanë morën pjesë jo vetëm shtresat e gjera shqiptare të atyre viseve por edhe njerëzit me origjinë shqiptare (SU) në pozita të larta në aparatin shtetëror osman, meqë këtu u gërshetuan interesat e shtresave të gjera shqiptare fisnike të atyre viseve, madje ka të dhëna se në kryengritjen shqiptare mori pjesë edhe vetë zëvendëskomandanti i qytetit Prokuple. Sipas burimeve arkivore serbe vrehet se shumë kryengritës të zënë rob i kanë torturuar në Shkup, e pastaj i dërgojnë në Edrene e në Stamboll. Mënyrën e transporit të shqiptarëve të bartur në Edrene dhe në Stamboll e përshkruan kështu Radosh Trebjeshanin. “Aty po ua lidhin këmbë e duar dhe pasi po u bëjnë tortura të shumta, po i ngarkojnë në samar të kuajve dhe po i dërgojnë në Edrene, përkatësisht në Stamboll, dhe numri i tyre sillej rreth 300 sish”, meqë kryengritjet friksuan shumë Portëne e Lartë, prandaj edhe filloi pushteti osman të përqëndronte forca të mëdha ushtarake në Manastir, mirëpo edhe forcat kryengritëse shqiptare në mars arritën numrin 6000-10.000 vetash. Shkaqet e drejtpërdrejta të shqiptarëve për t’u ngritur në kryengritje kundër pushtuesëve osman gjatë viteve të cekura 1823-1844 ishin të shumta, vlen t’i cekim disa prej tyre:

-Dëshira e kahershme e shqiptarëve trashëguar brez pas brezi për të qenë të lirë dhe të pavarur e që është argumentuar qysh në shekullin e XV, dhe gjatë tërë periudhës së Perandorisë Osmane, sidomos në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, kur edhe shqiptarët, si popuj të tjerë, filluan luftën për t’u çliruar nga sunduesit osmanë.

- Zhvillimi i mirëfilltë i borgjezisë shqiptare në të gjitha viset e banuara me shqiptarë, pra, edhe në qarkun e Nishit, kishte arritur një shkallë mjaft të mirë zhvillimi, ku kërksea e tyre kryesore ishte fitimi i një autonomie siç e gëzonin aso kohe disa vende fqinje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat