Lufta e 2001-shit dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare tanimë kanë zënë vend në historinë shqiptare

Opinione

Lufta e 2001-shit dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare tanimë kanë zënë vend në historinë shqiptare

Nga: Xhelal Zejneli Më: 26 korrik 2021 Në ora: 19:21
Xhelal Zejneli

Në facebook-un tim, lidhur me luftën e 2001-shit, ishin parashtruar pyetje të caktuara. Do të përgjigjem parimisht, si më poshtë:

1. Me luftën e 2001-shit, do të merren historianët dhe institucionet shkencore kompetente të Shqipërisë dhe të Kosovës, duke përfshirë edhe studiuesit shqiptarë në Maqedoni;

2. Historia e botës është histori e luftërave që shpërthejnë për arsye nga më të ndryshmet. Askush në këtë rruzull nuk e dëshiron luftën, por ajo, në çaste dhe rrethana të caktuara i imponohet një populli;

3. Ushtria Çlirimtare Kombëtare:

- ishte ushtri me struktura komanduese;

- ishte ushtri me uniformë ushtarake;

- ishte ushtri me emblemë ushtarake;

- kishte hierarki ushtarake komandimi;

- kishte përfaqësuesin politik;

- ishte e disiplinuar dhe i respektoi me përpikëri të gjitha rregullat e luftës si dhe konventat ndërkombëtare të luftës;

4. Pas përfundimit të luftës, Ushtria Çlirimtare Kombëtare ia dorëzoi armët përfaqësuesve të NATO-s dhe jo si në të kaluarën e dhimbshme, sllavo-maqedonasve dhe padronëve të tyre të Beogradit;

5. Historia do të shënojë se lufta e 2001-shit ishte luftë e brendshme;

6. Lufta shpërtheu si pasojë e pakënaqësive të thella të shqiptarëve në Maqedoni;

7. Lufta shpërtheu për ta zgjidhur statusin politik dhe juridik të shqiptarëve;

8. Luftën e 2001-shit e mbështetën pothuajse të gjithë shqiptarët në Maqedoni si dhe i tërë kombi shqiptar në gadishull, duke përfshirë edhe diasporën shqiptare në Evropë dhe në SHBA;

9. Populli shqiptar në Maqedoni, luftën e 2001-shit e mbështeti moralisht, shpirtërisht dhe materialisht;

10. Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare e mbështetën pothuajse të gjithë shqiptarët në Maqedoni dhe i tërë kombi shqiptar në Ballkan, duke përfshirë edhe diasporën shqiptare në Evropë dhe në SHBA;

11. Lufta e 2001-shit dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare janë pjesë tejet e rëndësishme e historisë së popullit shqiptar në Maqedoni, si dhe e kombit shqiptar në rajon;

12. Lufta e 2001-shit dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare tanimë kanë zënë vend në historinë e popullit shqiptar në Ballkan.

13. Me detajet e luftës së 2001-shit dhe të UÇK-së mund të merren kryesisht aktorët, përkatësisht pjesëmarrësit e luftës, si dhe studiuesit e saj, d.m.th. historianët.

14. Shqiptarët, luftën e 2001-shit dhe UÇK-në, në asnjë mënyrë nuk mund ta lënë jashtë historisë, për arsye se një hap i tillë do të ishte absurd, johistorik, antikombëtar dhe do t’i zhvishte shqiptarët nga një pjesë e rëndësishme e historisë së tyre;

15. Disa popuj të rajonit, si për shembull serbët, grekët dhe sllavo-maqedonasit, thurin histori edhe për çastet historike në të cilat, ose nuk kanë marrë pjesë, ose kanë qenë pjesëmarrës të parëndësishëm;

16. Marrëveshja e Ohrit, si dokument me vlerë ndërkombëtare dhe i afirmuar në përmasa globale, është pjesë e historisë së popullit shqiptar në Maqedoni, si dhe e kombit shqiptar në gadishull;

17. Marrëveshja e Ohrit në asnjë mënyrë nuk paraqet pengesë që shqiptarët në Maqedoni, në një çast tjetër historik ta ripërkufizojnë kauzën e vet kombëtare dhe të dalin me kërkesa politike të reja;

18. Dështimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoni, si pjesëmarrës në qeverinë e VMRO-së, në periudhën e viteve 2006-2014, në asnjë mënyrë nuk mund ta diskreditojë, as ta komprometojë luftën e 2001-shit dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. In ultima linea, politika është mjeshtri e së mundshmes. Asgjë në histori nuk ka mundur të bëhet ndryshe, përpos ashtu siç ka ndodhur – thotë shkrimtari i njohur boshnjak Mesha Selimoviq;

19. As edhe pyetja: E arriti apo jo lufta e 2001-shit qëllimin e luftës, në asnjë mënyrë nuk mund ta diskreditojë apo ta komprometojë atë dhe UÇK-në;

20. Shumë luftëra në histori nuk e kanë arritur qëllimin:

- tibetanët në Kinë luftojnë me dekada;

- kundër pushtuesve rusë luftuan edhe çeçenët, por nuk ia dolën. Mirëpo, kur një ditë çeçenët do ta shkruajnë historinë e vet, lufta çlirimtare e tyre do të jetë pjesë e pandarë e saj.

- kurdët në Turqi, në Irak, në Iran dhe në Siri, d.m.th. në Kurdistan, janë gjithsej 25 milionë. Përkundër luftës së tyre çlirimtare shumëvjeçare, askund nuk kanë shtet.

Shembuj si të tibetanëve, çeçenëve, ujgurëve, kurdëve ka me qindra në këtë rruzull.

21. Me luftën e 2001-shit, shqiptarët arritën ta ulin në tryezën e bisedimeve palën sllavo-maqedonase, madje në prani të faktorit ndërkombëtar;

22. Pjesë e lavdishme e historisë së kombit shqiptar është edhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila bashkë me SHBA-në (NATO-n) e çliroi Kosovën nga pushtuesit serbë;

23. Pjesë e lavdishme e historisë së kombit shqiptar është edhe lufta e UÇPMB-së në Kosovën lindore (Preshevë, Medvegjë, Bujanoc);

24. Është detyrë e klasës politike shqiptare dhe e inteligjencies shqiptare, që të jenë në krye të detyrës, në mënyrë që shqiptarët në Maqedoni ta fitojnë statusin e popullit shtetformues.

* * *

Lidhur me luftën e vitit 2001 të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, që u zhvillua nga Tanusha në Tanushë, e që u mbështet nga i tërë kombi shqiptar në gadishull, përfshi dhe shqiptarët në diasporë, do të shkruajë historia e kombit shqiptar. Çdo gjë jashtë kësaj është johistorike dhe antikombëtare.

Popujt e tjerë të rajonit, si për shembull serbët, sajojnë histori edhe aty ku s’kanë asnjë argument historik, ndërsa ndër ne ka pasur të tillë që kanë synuar të vënë në dyshim edhe momentet më historike, më të lavdishme dhe plot sakrifica të stërnipave dhe të stërmbesave të Gjegj Kastriotit.

Studimi i veprimeve politike dhe ushtarake të një kombi për liri dhe demokraci, është çështje e studiuesve kompetentë dhe jo e diletantëve. Këto studime, hulumtime, gjurmime dhe kërkime s’bëhen dot nëpër çajtore dhe byrektore.

Historinë e bëjnë heronjtë e kombit, të prirë nga inteligjencia e kombit. Historinë e krijojnë njerëzit me ideale, të gatshëm për flijim.

Shqiptarët kanë një prejardhje – ilire, flasin një gjuhë, kanë një histori dhe janë një komb.

Botuar në INA dhe në mediume të tjera, në maj 2014

Xhelal Zejneli

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat