BE shtytje Ballkanit Perëndimor në “përqafim” të Rusisë – drejt një konflikti?

Opinione

BE shtytje Ballkanit Perëndimor në “përqafim” të Rusisë – drejt një konflikti?

Nga: Ruzhdi Peçani Më: 25 tetor 2021 Në ora: 16:40
Ruzhdi Peçani

Bashkimi Evropian ishte bërë si një projekt i paqes pas përfundimit të luftës së dytë botërore, ashtu që në Evropë të sigurohej paqja dhe një stabilitet afatgjatë. Në periudhën jo të largët në rajonin e Ballkanit Perëndimor ndodhën disa lufta. Kështu edhe sot e kësaj dite në këtë rajon mbretëron një paqe dhe stabilitet latent.

Përse Ballkani Perëndimor mbetet akoma një rajon trazuar, dhe nuk munden entitetet dhe shtetet të ndërtojnë bashkëpunimin dhe paqen? Marrë historikisht, sikur ky rajon është i prirë që qetësia t'u vije vetëm nga politikat imperiale që u imponohen.

Krerët e BE duhet të jenë të vetëdijshëm për faktin, se po duan që projekti i paqes i BE të bartet edhe në pjesën e mbetur të Evropës, atëherë ky projekt duhej që të implementohej me një vendosmëri edhe tek shtetet e Ballkanit Perëndimor (BP),pa hezitim, ngase përmes anëtarësimit në BE do ishte siguruar paqja afatgjate dhe stabiliteti afatgjatë. Për aq kohë sa BE ka një rajon fragjil dhe jo stabil si që është Ballkani Perëndimor, BE nuk do mund të merret me çështjet kyçe dhe sfidat afatgjate, të pozicionimit strategjik brenda konturës ndërkombëtare.

… po e dërgon BE – Ballkanin në “përqafim” të Rusisë ?

Kredoja e BE në Ballkanin Perëndimor është e rrënuar. Çka do të rrjedh nga Samiti i fundit i BE “Samiti BE – Ballkani Perëndimor 2021”? A do jetë ky shansi i fundit, që shtetet e Ballkanit perëndimor të shpëtojnë nga “përqafimi” i Rusisë ,Kinës dhe disa shteteve tjera ,ashtu që të filloj debllokimi i negociatave me BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si dhe të përshpejtohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i stërzgjatur me fajin e BE, me arritjen e normalizimit duke arritur marrëveshjen ligjërisht obligative me njohjen e ndërsjellë.

Kredibiliteti i BE në BP është i rrënuar në masë, me rastin e ofrimit të azilit, nga kryeministri hungarez Vktor Orban, ish kryeministrit maqedonas kriminelit Nikola Gruevski (VMRO-DPMNE), i dënuar ky me vendim të plotë fuqishëm nga gjykata dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Dhe, si nonsens edhe disa nga krerët e qarqeve Partisë popullore Evropiane (EPP) janë të kyçur në mbështetjen dhe mbrojtjen e tij duke u angazhuar edhe për kthimin e tij në Maqedoninë e Veriut.

Përse BE nuk i drejtohet kryeministrit hungarez Viktor Orban, që të tregoj në vepër sundimin e ligjit dhe bazuar në fletë-kërkimin ndërkombëtar, që ka shpallur Maqedonia e Veriut, t´i dorëzojë Nikola Gruevskin pushtetit në Shkup. Ky do ishte një gjest simbolik se BE se themelin e ka në sundimin e ligjit dhe drejtësisë?! Ky do ishte një mesazh për vendet e BP se punojnë për sundimin e ligjit dhe reformat në drejtësi. Andaj për të gjitha ato që flasin në BE, janë flluska politike.

Flluska politike janë, dhe ato pohimet për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, pa bërë asnjë hapa para. Të njëjtat flluska para Samitit kishte përsëritur edhe presidenti i Këshillit të Evropës Charles Michel, i cili nuk pushon së foluri për forcimin e bashkëpunimit ekonomik për përmirësimin e BP, po mu askund nuk përmend zgjerimin dhe agjendën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Një BE fragjile dhe pavendosmëri, mund të ketë pasoja strategjike për Ballkanin Perëndimor, në veçanti për disa nga shtetet që mund të kenë pasoja për rrjedhat e orientimit gjeopolitik. Qëndron si absurd që Kosova edhe pse ka përmbushur kriteret, nuk i epet liberalizimi i vizave. Kjo edhe ka rritur eurskepticizmin.

Nuk është rastësi që kemi pareshtur acarime të marrëdhënieve të Serbisë me Kroacinë dhe me Malin e Zi si anëtarë të NATO-s, ashtu dhe me shtete të tjera që aspirojnë për në NATO si Bosnje-Hercegovina dhe Kosova. Për rrethanat aktuale SHBA duhet bërë presion Evropës .

Ndikimi i BE në Ballkanin Perëndimor dukshëm po dobësohet, gjersa rajoni po përballet me tre lloj kërcënimesh. Me sfidat e fuqishme socio – ekonomike, eskalimin e tensioneve ndëretnike si dhe ndërhyrjet e jashtme.

Në periudhën e pasluftës së ftohtë ,SHBA dhe NATO këtë rajon e kishin vënë nën “shputën e tyre”. Po, me që ishin të preokupuar me çështje tjera (lexo lufta) ,Ballkanin ia dorëzuan Bashkimit Evropian, i cili duhej ta bënte revitalizimin e rajonit në aspektin ekonomik dhe rritjes së vlerës. Kjo perandori jo vetëm se e la pas dore Ballkanin Perëndimor, po edhe u mundësoi ,që për interesa të tyre, të futet edhe Rusia. Të kujtojmë se BE kurrë nuk nxorri një rezolutë ku do të gjykonte gjenocidin në Srebrnicë dhe Kosovë.

Serbia kaherë qëndron si faktor retrograd në rajon

Incidenti i rëndë diplomatik me heqjen e flamurit kroat nga rezidenca zyrtare e ambasadorit të Kroacisë në Beograd, për të krijuar tensione me Kroacinë, një shtet anëtar i BE. Pse këto ndodhin? Serbia nuk e ka më prioritet anëtarësimin e saj në BE. Në datën 23 prill nënpresidenti i “Lëvizjes Europiane në Serbi”, Vladimir Medjak, deklaroi në portalin serb “europeanwesternbalkans” se “Integrimi europian nuk është një prioritet i qeverisë së Serbisë” .Serbia, shtet kandidat për në BE, qëllimisht nuk ka plotësuar një pjesë të mirë të kushteve dhe të parametrave, për pranim në BE.

Situatën në Ballkanin Perëndimor e bënë të komplikuar “ndikimi malinj” rus. Rusia është tradicionalisht e lidhur me traditën ortodokse panslaviste me Serbinë dhe Republika Srpska, me të cilat Rusia si shtesë mund të forconte ndikimin e saj ndërkombëtar. Të kujtojmë vizitën që Beogradit i kishte bërë Aleksandër Grushko, zëvendës ministër i punëve të jashtme më 18 qershor, pas kësaj vizite i deklaron “balkanist.ru”: ”Rusia duhet të bëhet për Ballkanin model i botës shumëkombëshe.”

Sikur BE të vepronte, këtë mund ta bënte atë që bëri Ministri i jashtëm i Kroacisë Grliq Radman në konferencën ndërkombëtare GLOBSEC në Bratislavë i cili bëri ftesë, vendeve që nuk e kanë njohur, që ta njohin pavarësinë e Kosovës „Kroacia fton dhe u jep shtytje pesë anëtarëve të BE që ta njohin Kosovën, ngase kjo do kontribuonte stabilizimit të rajonit dhe vetë Kosovës”.

Dhe për këtë fajin e mban mos uniteti i BE, ngase këto pesë shtete po ia japin levën dhe përderisa Serbia ka këtë levë – problemi nuk mund të zgjidhet. Qeveria e saj me presidentin Vuçiq dhe hapur është pro-ruse dhe pro-kineze. Bashkimi evropian si ndërmjetësues në dialogun Kosovë -Serbi, është një shembull i keç i udhëheqjes së një diplomacie jo produktive. Një dialog i stërzgjatur që favorizonte Serbinë dhe i shkonte përshtati BE.

Ministri më tej, për këto rrethana, deklaron: “Tërësia territoriale e shteteve të Ballkanit duhet respektuar dhe ruajtur, që do thotë pa ndryshime kufijsh,..”. Tani më Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë të qartë se “Krizat e papërfunduara”, Bosnja & Hercegovina dhe Kosova, po nuk do zgjidhen me doktrinën e Presidentit Biden, ekziston mundësia e ndezjes së këtij rajoni nga një krizë shumë eksplozive në rajon. Por ,besohet se SHBA edhe për interesat e saja gjeopolitike dhe gjeostrategjike – këtë nuk do e lejonte.

Një pjesë e burokracisë së BE mbajnë mendimin se Serbia nuk është faktor retrograd, por përkundrazi e vlerësojnë si lokomotivë për integrimet evropiane e të gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Disa analistë në Evropë edhe do vlerësonin lartë Manovrat ushtarake taktike në Manjaçë, Bosnjë Hercegovinë – Serbi, të koduar „Manjaça 2021“, pra mes forcave të armatosura të BeH dhe ushtrisë së Serbisë, në periudhën nga 9 gjerë më 16 tetor 2021,në poligonin ushtarak në Manjaçë, si një tregues i mirë i avancimit të marrëdhënieve bilaterale mes dy formacioneve ushtarake. Dhe ky si një paradoks, kur kihet parasysh se para dy ditësh Republika Srpska bëri një manovër me policinë dhe njësitë paramilitare që cenojnë stabilitetin e Bosnjë Hercegovinës. Qëndrimet e Milorad Dodik tani më janë të njohura – shkëputja nga federata.

Kredibiliteti i rrënuar i BE dhe liderëve të saj?

Çështja e paqes dhe stabilitetit e Ballkanit Perëndimor është qenësore për BE. Shumëçka që po ndodhë në BE shpalosin pyetjen për kredibilitetin e liderëve evropianë. Në kreun e BE, qershor 2018, kishin vendosur se në 2019 do caktohej data për fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, po do i përmbushin kushtet për fillimin e negociatave. Që të dy shtetet, në veçanti Maqedonia e Veriut, qartë i kishte përmbushur. Data e fillimit nuk ishte caktuar (fillimi i negociatave nuk do thotë anëtarsim në BE) – liderët evropian shkelën fjalën e vetë dhe rrënuan kredibilitetin.

Kështu liderët kishin vënë në pikëpyetje edhe vizionin e Schumanit për Evropën e bashkuar. Dhe në këtë rast mund të thuhet se disa nga liderët evropian veprojnë në kundërshti edhe sot të idesë së Robert Schuman, i cili ishte ideatori i Bashkimit Evropian të sotëm. Rrënimit të kredibilitetit të një pjese të krerëve të BE kanë kontribuar edhe përfshirja e një numri të caktuar në veprime kriminale dhe korrupsion apo edhe ishin bartës të dukurive negative jashtëligjore, po dhe të ndërlidhur në një numër aferash korruptive.

BE gjithnjë shtronte kushte të reja për anëtarësim për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Mendohet se shumë shtete, anëtare të BE nuk do mund të plotësonin të gjitha kushtet për anëtarësim, të cilat kërkohen nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Si shembuj, në të kaluarën jo të largët ishin Bullgaria, Rumania po dhe disa shtete tjera të cilat u shikuan “mes gishtave” me rastin e anëtarësimit në BE.

Për jokorrektësinë e BE tregon fakti se në 2004, me të drejtë të plotë u anëtarësuan 9,5 shtete, ngase u pranua vetëm gjysma e Qipros. Mjaft shpesh përmenden edhe si shembuj krahina franceze Korzika dhe ajo e Italisë Sicilia për të cilat rregullativa e BE as nga afër nuk funksionon ashtu si kërkojnë standardet dhe rregullativat e BE.

Pse një BE e fragmentuar? Një numër i shteteve anëtare, BE nuk e shohin si një sistem vlerash me rregullativa drejtësie, por e shohin si një burim ku mund të thithin sa më shumë parash nga fondet e BE dhe sa më pak të paguajnë për buxhetin e BE. Dhe këto janë shtetet edhe që sjellin më së shumti probleme brenda BE. Dhe këtu bëjnë pjesë një grup shtetesh si Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia dhe jo vetëm këto. Pranimi i shteteve të reja anëtare kryesisht është çështje e vullnetit politik – dhe tani shtrojmë pyetjen se brenda BE a ekziston vullneti politik për zgjerim?

Ata që i gëzoheshin Brexit...

Brexit padyshim se ka dobësuar BE me daljen e Mbretërisë së Bashkuar. Të kujtojmë kur Donald Trump si kandidat konservativ për President të SHBA, kishte përshëndetur daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE si një fitore të popullit britanik, të cilët i janë kthyer pavarësisë së vet. Përderisa kancelarja Gjermane Angela Merkel kishte thënë se Brexit do të kthente pas integrimet evropiane, duke thirrur për kujdes dhe qetësi. Shumë parti të djathta ekstreme euroskeptikët nga Holanda ,Gjermania dhe Franca kanë përshëndetur Brexit si një kthesë dhe tregues se BE po rrënohet si ide dhe institucion.

Kështu nga kjo, se cilët ishin ata që të entuziazmuar dhe përshëndetën Brexit dhe sot mund të nxirret edhe premisa për BE dhe shtetet si Franca dhe Holanda. Kjo nuk do koment! Se kush do trashëgoi në Gjermani kancelaren Angela Merkel, mbetet të shihet, por padyshim se largimi i kësaj politikaneje më markante dhe të fuqishme – Bashkimi Evropian do dobësohet edhe më.

Kur BE, Serbisë retrograde dhe pro-ruse i jepnin karota – Kosovës vetëm qortime

Presidenti i Këshillit të Evropës Charles Michel në Bled, në një rast i kishte thënë se Serbia ka nevojë edhe më shumë për investime dhe angazhim të BE. Dhe Charles Michel vazhdon në panelin e liderëve: "Pas kësaj kemi vendosur në nivelin evropian të mobilizojmë para pa presedan, që të jemi sa më të prekshëm dhe të dukshëm për popullin tuaj, aludonte në Vuçiq, dhe do jemi më shumë të angazhuar”,

Dhe kur Kosova dërgoi njësitë speciale të policisë për të mbrojtur pikat kufitare dhe personelin, pra bazuar në zbatimi të ligjit, nga ana tjetër Serbia vuri ushtrinë në gjendje gatishmërie luftarake .

Dhe cilat ishin reagimet e Bashkimit evropian. Kërkonin nga dy palët, Kosovës dhe Serbisë, të ulin tensionet për një deeskalim të gjendjes.

Policia e Kosovës, 13 tetor, së bashku me Doganën e Kosovës, zhvilluan një aksion kundër krimit të organizuar dhe kontrabandimit. Ky aksion i përbashkët Polici – Doganë, u krye në disa qytete të Kosovës, por edhe në veri, lidhur me këtë aksion të Policisë së Kosovës, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, kështu do reagonte shumë ashpër:

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”! Po për vizitën që Vuçiq i bëri xhandarmërisë në Kralevë dhe fjalimin e tij kërcënues duke motivuar xhandarmërinë për një luftë të mundshme drejtë Kosovës – “nuk kishte dëgjuar” BE dhe Borrell?! Dhe kjo si paradoks Josep Borrell e dënon luftimin dhe parandalimin e krimit të organizuar?!

Po vazhdon BE me këtë ecje dhe veprimi neglizhent, imediate do jetë “D-Day,6 qershor 1944”,të urojmë për një zbarkim të fuqishëm diplomatik Amerikan – jo ushtarak. Dhe D-Day veç po ndodhë, zbarkimi ka filluar në Ballkanin Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat