Do t’i bëje shërbim të madh vetvetes, sikur ta kuptoje si duhet sqarimin si në vijim

Opinione

Do t’i bëje shërbim të madh vetvetes, sikur ta kuptoje si duhet sqarimin si në vijim

Nga: Lirim Gashi Më: 13 nëntor 2021 Në ora: 16:47
Lirim Gashi

Shqiptarët besojnë gabimisht se kontributi i individit të ditur, të ndershëm, të moralshëm dhe kredibil bëhet fuqiplotë vetëm kur ai angazhohet politikisht në një parti, respektivisht kur ai fiton legjitimitet nga vota e popullit për t'i përfaqësuar interesat e tij në institucionet shtetërore të politikës së brendshme dhe jashtme.

Mirëpo realiteti i hidhur shqiptar, i cili buron nga vlera e përgjithshme e mendësisë se shoqërisë, e cila lë shumë për të dëshiruar, e dëshmon të kundërtën.

Njerëzit e vlefshëm kur hyjnë tek ne në politikë, zakonisht kushtëzohen nga liderët partiak për t'i përfaqësuar pikë së pari interesat e ngushta të një grupi të privilegjuar brenda partisë dhe pikë së dyti për t'i përfaqësuar interesat e partisë, larg më shumë sesa interesat e popullit dhe shtetit.

Në këtë mënyrë partitë shndërrohen në tufa delesh servile që vrapojnë pas çobanëve deri në qafë-thyerje individuale dhe kolektive.

E edhe më saktësisht shndërrohen në "Korporata Primitive dhe Feudale Biznesore" që bëjnë biznes me donacionet dhe lekët e taksapaguesve për t'ia mbushur xhepat dhe xhiro llogaritë Liderit, Kryesisë së Partisë dhe anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm.

Mirëpo çka ndodh kur vijnë me këtë mendësi në pushtet, Liderët, Kryesitë dhe Këshillat e Përgjithshëm të Partive të tilla?

Ato abuzojnë me postet shtetërore dhe publike për të bërë biznes personal, familjar, farefisnor, klientelist dhe partiak me lekët dhe pronat e siguruara nga plaçka e pronës publike, doganave, donacioneve, taksave, thesarit të shtetit, dhomës së dëshmive, si dhe nga manipulimi i tenderëve, kapja e gjyqësorit dhe kapja e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në këtë mënyrë shndërrohen në Banda të Krimit shumë dimensional dhe e krijojnë një rreth vicioz të djallit nga i cili më së paku kane rrugëdalje njerëzit e pafajshëm mëkati i vetëm i të cilëve është jovigjilenca që buron nga injoranca.

Fatkeqësia qëndron në faktin se ata jo vetëm që janë shumica, por edhe viktimat më të mëdha të sistemit dhunues, kleptokrat, trafikant dhe mafioz.

Sepse pasurimi individual, farefisnor, klientelist dhe partiak si dhe plaçka shumë dimensionale shndërrohen në motiv parësor për marrje me politikë dhe jo përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të popullit dhe shtetit.

Në këtë mënyrë njerëzve kredibil, të ditur, të ndershëm dhe të moralshëm, aq shumë ju ngushtohet hapësira manovruese, saqë prej Ferrarit shndërrohen në karroca të kuajve dhe magarenjve.

Sepse kurdo që tentojnë të jenë vetvetja, sabotohen dhe degradohen nga mediokriteti shumicë, tek i cili dominon lakmia dhunuese, gllabëruese dhe kompleksi i vlerës së ulët, prandaj aftësia dhe ndershmëria e tyre bëhet jo vetëm e panevojshme, por edhe pengesë, gjë që ndikon në dëshpërimin, dështimin dhe thyerjen e tyre shpirtërore deri në atë masë, saqë në një moment të caktuar vendosin për ta kthyer në armatim personal në një mënyrë larg më inteligjente dhe kreative arsenalin djallëzor të armiqve të tyre dhe për ta (keq) përdorur për revansh dhe hakmarrje të paparë.

Sepse kur e vërejnë që s'mund të bëhen kampionë për mbarë, atëherë bëhen me qëllim kampionë për mbrapshtë.

Dhe në këtë mënyrë zhvillohet gara për mbrapshti dhe jo për mbarësi.

Në këtë popull ka aq shumë njerëz të poshtër, sa që njerëzit e ditur, të sinqertë dhe të moralshëm që e duan atdheun më shumë se karrierën e tyre profesionale dhe politike, fundosen pa i vajtuar askush.

Shqiptarët duhet ta kuptojnë një herë e përgjithmonë, se nuk mund të ketë politikë të mirë nëse nuk plotësohen këto tri parakushte:

1. Nëse nuk shërohet kompleksi i vlerës së ulët që dominon në popull dhe nuk përkrahën njerëzit që më të vërtetë e kanë arsenalin e duhur intelektual, profesional dhe moral për t'i çuar proceset përpara. Dhe këtu çalon më së shumti ngritja e vetëdijes intelektuale dhe politike të individit dhe kolektivit. Sepse shqiptarët edhe kur shkëlqejnë si individë në një fushë të caktuar, në të gjitha fushat e tjera janë më injorantë dhe të pa sqaruar se sa çdo analfabet evropian.

2. Nuk mund të ketë garë për mbarësi nëse nuk ka mjaftueshëm individë cilësor, respektivisht nëse nuk ka individë të ditur, të ndershëm dhe të moralshëm si në pozitë ashtu edhe në opozitë. Sepse gara cilësorë ndodh vetëm ndërmjet individëve cilësor. Çdo garë tjetër është e nivelit mediokrit, krahinor, farefisnor, primitiv dhe injorant dhe në këtë mënyrë prodhon vetëm vendnumërim ose kthim prapa, siç e dëshmon politika jonë e pasluftës.

3. Sa më i madh që është numri i intelektualëve, gazetarëve, filozofëve, shkrimtarëve, poetëve dhe shkencëtarëve kredibil në popull, aq më e madhe është vigjilenca e përgjithshme dhe aq më efektiv është monitorimi dhe korrigjimi i politikave partiake dhe shtetërore.

Çdo gjë tjetër është mashtrim dhe vetmashtrim.

Prandaj sqarimi që ta bëjë unë nëse e kupton si duhet është tridhjetë herë më i vlefshëm se kontributi i të gjitha partive politike së bashku.

Mirëpo për ta kuptuar si duhet ti duhet të kesh tridhjetë fish më shumë respekt për të vërtetën dhe drejtësinë, si dhe tridhjetë fish më shumë dashuri për atdheun dhe shtetin, se sa për çdo lider partiak dhe parti politike.

Dhe mbajë mend : unë po ta ketë sqarim kaq të vlefshëm gratis, që nuk ta ka bërë deri më tani në formë kaq të kuptueshme asnjë intelektual, akademik dhe politikan në këtë vend as me lekë.

Dhe a e di pse?

Sepse politikanëve djallëzor nuk u konvenon sqarimi i së vërtetës, ndërsa diplomat e intelektualëve tanë në thonjëza janë prodhime të fabrikave të injorancës dhe vula të budallallëkut, trafikimit dhe krimit.

Pra fjalën e kam për Universitetet tona që janë shndërruar prej "Tempujve të Dijes" në "Tempuj të Injorancës, Trafikimit dhe Krimit".

Dhe të lutem mos me thuaj as faleminderit. Më mjafton nëse nga ky sqarim diçka të re mëson.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat