Çfarë roli luajtën në Kosovë forcat partizane të Enver Hoxhës?

Opinione

Çfarë roli luajtën në Kosovë forcat partizane të Enver Hoxhës?

Nga: Prof. Dr. Elmas Leci Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 12:22
Prof. Dr. Elmas Leci

Më 22 nëntor të vitit 1944 Enver Hoxha si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare, urdhëroi që Divizioni i 5-të të kalonte në territorin e Kosovës për të dhënë ndihmesën në “çlirimin e saj nga pushtuesit gjermanë dhe reaksioni”.Pesëdhejtë vjet me radhë u tha se partizanët e Enver Hoxhës shkuan në Kosovë për ta çliruar atë nga gjermanët. E vërterta është krejt ndryshe. Në fakt, 6 ditë para çlirimit të Shqipërisë londineze forca gjermane më në Kosovë nuk kishte, përveç atyre që tërhiqeshin nga Greqa dhe bënin rrugën për në Maqedoni e në preklindjen e Kosovës për në veri, fakt ky që vërtetohet se në asnjë rast forcat partizane të Enver Hoxhës as u ndeshën as guxuan të ndesheshin me bishën tashmë të plagosur naziste, e cila edhe ashtu siç ishte katandisur u kallte tmerrin çdo pengese që u dilte përpara. Këtë e dinte edhe Shtabi i Titos, që i kishte “ftuar” partizanët e Enver Hoxhës të “çlironin Kosovën nga pushtuesit e reaksionarët”, por edhe Enver Hoxha në Kucakë. Në fakt Tito sië zbullohet nga dokumentat e fundit në arkivat e Tiranës e Beogradit, i kishte “ftuar” për tjetër gjë partizanët e Enver Hoxhës, dhe ajo “tjetër gjë” ishte ndeshja e kacafytja mes shqiptarësh, siç edhe u bë, duke vrarë njëri-tjetrin, partizanët tanë të këtejshëm me nacionalistët e atjeshëm që nuk pajtoheshin me partizanët e Titos se e dinin se si do i shkonte dhe si i shkoi filli asaj pune kulisash.

Me dokumenta dalin sheshit disa “ftesa”të Titos bërë për kalimin e forcave partizane të Enver Hoxhës derisa u arrit në kancelarinë kuajmbajtëse të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare.Dhe ja një shënim i rëndësishëm i 12 shtatorit të vitit 1944: “Lajmëro Pavlen (flitet Pavle Joviçeviç, ish funksionar i lartë serb në Kosovë gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore) se dy brigada partizane shqiptare së shpejti do të marrin drejtimin për Kosovë. Vetëm ky fakt të mos dekonspirohet”! Kështu i shkruante Miladin Popoviçi (serb edhe ky, i cili ishte njëri nga dy udhëheqësit e partisë e të luftës partizane në Shqipëri)më 12 shtator 1944 Liri Gegës, e cila ishte e plotfuqishme e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare për Korpusin I të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare.Edhe nga kjo copë letër kuptohet qartë se cili e drejtonte Luftën dhe Ushtrinë tonë Nacional Çlirimtare! Ja shikojeni me vëmendje shënimin e mësipërm! Miladini (i plotfuqishëm) njoftonte anëtaren e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare për një “vendim” të Komitetit të saj Qendror (ku Liria ishte antare e atij Komiteti) dhe ky fakt, se “lëvizja e trupave partizane për në Kosovë nuk duhej të dekonspirohej”!Përse-në, do ta shohim në vijim!

Partizanët e Enver Hoxhës kontrubuan për nënshtrimin e Kosovës.

Titoja, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Jugosllave, i kishte kërkuar disa herë Enver Hoxhës kalimin e formacioneve të Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Shqipërisë në Kosovë e më tutje, për të luftuar kundër pushtuesve dhe kundër “reaksionit”. Letra e mësipërme që cituam e Popoviçit për Liri Gegën, në fakt ndiqte kërkesën e Titos të 24 qershorittë vitit 1944,ku aii kërkonte Enver Hoxhës dërgimin e dy brigadave partizane në Kosovë, që të mposhtëte atje “reaksionarët”.Në atë kërkesë thuhej tekstualisht se “ardhja e brigadave partizane shqiptare në Kosovë..., kishte me e kthye këtë terren nga bazë e reaksionit, në bazë liridashëse”. Më tej në atë kërkesë theksohej e pohohej se “shumcia e popullit të Kosovës edhe nuk kishte besim të Partia Komuniste Jugosllave”. Vetë letër-kërkesa e Titos, tregon se brigadat partizane të këtejme shqiptare të kërkuara nga jugosllavët, do të merreshin vetëm me “eleminimin” e të ashtuquajturëve reaksionarë, pasi “populli kosovar nuk kishte besim te Partia Komuniste Jugosllave”. Është fakt se më letër kërkesën e Titos bëhej fjalë dhe qëllimi ishte për këta të fundit për “reaksionin” që në të vërtetë ishin nacionalistët, sepse pushtuesit nazistë gjermanë pothuajse në atë kohë kishin ikur ose vetë kalonin në rrugëkalim nga Kosova. Megjithatë jugosllavët këmbëngulnin në kerkesat e tyre për prezencën e partizanëve nga Shqipëria londineze, që në realitet kanë qenë disa kërkesa se donin ashtu siç bënë që shqiptarët nacionalistë t’i shtypnin nga shqiptarët e Shqipërisë, nga partizanët e Enver Hoxhës.

Pas kërkesës së fundit të muajit nëntor 1944, pala shqiptare u tregua e gatshme për t’i nisur partizanët si mish për top dhe këtë e bëri pasiasgjesoi me mijëra nacionalistë të “Ballit” e të “Legalitetit” dhe krerë të Veriut përgjatë luftës civile në Shqipëri (1943-1944).Pas këtyre aksione makabre në Veri, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare gjeneral Enver Hoxha i dha urdhër Korparmatës I të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë. Po në këtë kohë, mentari i Enver Hoxhës Miladin Popoviçi, siç e theksuam më sipër, i shkruante Liri Gegës, që këto veprime“të mos dekonspiroheshin”, konspiracion që lidhej veçanërisht me misionet anglo-amerikane, që vepronin në Shqipëri dhe ishin aleatët tanë të mëdhenj dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri por edhe në Jugosllavi. Përveç “urdhërit” të Popoviçitpër Liri Gegën, edhe vetë Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë gjeneral Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, ish Komandan i Korparmatës I-rë që “të mos i tregohet inglizëve objektivi i brigadave të V-të dhe III-të, që do të shkonin në Kosovë”.Ja çfar loje u përgadit nga “jugosllavët” dhe Enver Hoxha, që nacionalistët në Kosovë të ziheshin sa më në befasi dhe brigadat partizane të këtej kufirit t’i dhuronin siç edhe ju a dhuruan jugosllavëve pushtetin e “qëruar” në Kosovë.

Duhet thënë se situata në Kosovë, pa arritur brigadat partizane të Shqipërisë, ishte në disfavor të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, sepse atje vepronin me mjaft prestigj organizata të fuqishme politike e ushtarake nacionaliste si Balli Kombëtar, Lëvizja Irredentiste, Lidhja e Dytë e Prizrenit e më pas Besa Kombëtare dhe Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, që kishin me vete thuajse gjithë popullin shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Bashkëpunonte me ta edhe Muharrem Bajraktari dhe forcat e tij kombëtare. Kjo ndodhte sepse popullsia atje e kuptoi dredhinë e të luftës së përbashkët të tyre me forcat partizane të Titos, të cilat me çlirimin, Kosovën do ja linin siç ja lanë Serbisë.Në këto kushtet që popullata ishte kundër sllavizmit, Titoja thirri brigadat dhe divizionet e Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Shqipërisë, se sipas tij ato i “rregullojnë punët më mirë mes njëri-tjetrit”siç i rregulluan duke i vrarë nacionalistët kosovarë. Këtë në fakt e bëri Enver Hoxha, i cili e dinte se përse thirreshin në Kosovë brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë. Si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm i Titos, ai urdhërojë brigadat që me të hyrë në Kosovë të asgjësonin “pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë”.

Në muajin nëntor të vitit 1944, i u shtuan forcave të para dhe u angazhua në këtë luftë vllavrasëse në Kosovë edhe Divizioni i V -të, që përfshiu përveçse Brigadën e III-të dhe të V-të edhe Brigadën e XXV -të si dhe Divizionin e VI -të me Brigadat VI, VII, VIII dhe XXII. Pra siç shihet një armatë e tërë për të mposhtur epër t’i bërë “raja” vëllezrit e një gjaku e të një gjuhe, shqiptarët e Kosovës. Për ato ngjarje është prononcuar edhe Komisari politik i Divizionit të V-të Ramiz Alia, në një intervistë të pas viteve ’90-të, ku thotë për tu shfajsuar për ato që bënë forcat partizane të Shqipërisë në Kosovë se ai “ka qenë në Bosnje kur ndodhën këto gjëra apo edhe Masakra e Tivarit”. Por kjo nuk është e vërtetë. Më 3 mars të vitit 1945, ai dhe Divizioni V-të që komandonte apo udhëhiqte politikisht, ndodheshin në Mitrovicë, mandej në të gjithë Kosovën. Kështu shkruhet në dokumentin arkivortë Shtabit të Përgjithshëm. të datës 3 mars të viti 1945.

Në veprimtarinë e tyre, me të mbrritur në Kosovë, Divizionet i V-të dhe i VI-të të Shqipërisë ata u vunë nën urdhrat e Armatës së V-të të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Jugosllave. Në urdhërveprimin e Armatës së V-të të Jugosllavisë, është gjendur e shkruar se në të përfshiheshin edhe Divizionet e Shqipërisë, të cilët urdhëroheshin nga Shtabi i Armatës së V-të Jugosllave. Këto forca partizane u urdhëruan që “të gjitha forcat reaksionare që do të takonin, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht... Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë t’u digjen shtëpitë si edhe tradhtarëve, që rezistojnë dhe bëjnë fortesë... Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur. T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund, që bëhet strehë e gjakatarëve, do të dënohet...”! Me këto masa represive, siç thekson ky urdhër veprimi i mësipërm, tregohet se në kundërpërgjigje, rezistenca kosovare u ashpërsua, prandaj më 24 shkurt të vitit 1945 Shtabi Suprem Jugosllav, urdhëroi Divizionet të V dhe të VI të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare të ndërprisnin luftimet kundër gjermanëve në frontin e Bosnjës Jugore dhe të ktheheshin në Kosovë, në hapsirën Novi Pazar-Mitrovicë e Kosovës-Vuçiternë-Podujevë, duke u vënë “nën komandën e Shtabit Operativ të Kosmetit”. Ky urdhër, si dhe veprime të tjera të kësaj natyre që ka shumë në atë kohë, tregojnë se stratigjikisht këto Divizione komandoheshin nga Shtabi Suprem Jugosllav dhe do të vepronin sipas urdhërave të tij.

Urdhërveprimi për sulmin mbi “reaksionarët” e Kosvës e gjen përgjigjen e plotë edhe në radiogramin e muajt prill të Ramiz Alisë dhe të Gjin Markut (Komisar e Komandant të Divizionit), të cilët i raportojnë Komandës së Përgjithëshme të Armatës jugosllave se “Brigadat janë duke bërë ndjekje dhe rrethime të bandave, gjithnjë me sukses. Elementët e arratisur e sidomos ata që kanë më pak faje,po dorzohen. Repartet tona janë duke bërë edhe konferenca e mitingje politike në popull”.

Urdhrat për mësymjen kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, nacionalistë e partizanë që refuzuan të largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat kundrejt popullsisë shqiptare në Mitrovicë e Drenicë, më 1 dhe 5 shkurt të vitit 1945, u dhanë nga komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit Fadil Hoxha dhe komisari politik Kristo Filipoviç.Mbi mësymjen e asgjësimin e tyre, shkruan një dokument i Arkivit Historik të Jugosllavisë në Beograd. Masakra e Drenicës dhe zhbërja e Brigadës së VII-të kosovare, që u nis për në Srem, ishin jo vetëm ngjarje të tmerrëshme por prologu i masakrës së Tivarit. Si rezultat i rezistencës kosovare dhe i përballjeve të përgjakëshme me forcat komuniste, më 8 shkurt të vitit 1945 me urdhër të Komandantit Suprem të Jugosllavisë J.B. Tito, në të gjithë Kosovën u shpall pushteti ushtarak.

Vendosja e pushtetit ushtarak të serbëve në Kosovë, vepër e Ramiz Alisë

Divizionet e Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Shqipërisë u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë për shtypjen e rezistencës kosovare, për ripushtimin jugosllav të Kosovës dhe forcimin e pushtetit ushtarak jugosllav. Ata qëndruan në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare edhe pasi gjermanët u larguan nga Kosova dhe Jugosllavia, qysh nga shkurti i vitit 1945 e deri në dhjetor 1945, pra 10 muaj. Kosova e viset e tjera shqiptare u bënë pjesë e Jugosllavisë sepse i akaparoi Fronti Nacional Çlirimtar i Jugosllavisë. Konfirmohet kjo edhe me radiogramin e Reis Maliles zv.komisar i Divizionit të V-të ku shkruhet se “Me rastin e zgjedhjeve që do të zhvillohen më 11 nanduer 1945 këtu në Kosovë, bëni konferenca speciale me kosovarët. Ditën e zgjedhjeve nxirrni forca të armatosura... gati para çdo gjëje të papritur. Reaksioni mund të tentojë për t’i sabotuar zgjedhjet. Prandaj të kihet kujdes. Pikë”.

Siç është zbuluar edhe nga dokumentet arkivore, Divizionet i V-të dhe i VI-të të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars, prill dhe maj të vitit 1945, kohë kur u bë edhe mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e në trevat e tjera shqiptare dhe kur u nisën tri kolonat me rekrutët shqiptarë për në Tivar më 24 -27 mars të vitit 1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill po të vitit 1945. Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe dorëzimin e qindra “dezertorëve”, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim te batalionet dhe brigadat partizane të Divizioneve të V-të dhe të VI-të të Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Shqipërisë, e dhanë sipas të gjithë dokumentave arkivore, Komandat e Divizioneve të Shqipërisë. Pra tashmë bashkëpunimi i ngushtë dhe implikimi i divizioneve dhe brigadave të Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Shqipërisë,në mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe në dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave, është evident dhe i dokumentuar.

Disponohen radiogramet e shtabit të Divizioneve V-të dhe VI-të, nënshkruar nga Komisari Politik Ramiz Alia dhe komandantët Gjin Marku, Rrahman Parllaku etj., dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill të vitit 1945 e në vazhdim, si dhe listat emërore e të arratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin në shtabet e Divizioneve tona dhe nga aty nga forcat partizane shqiptare u dorëzoheshin Ushtrisë Jugosllave. Lista e parë përmban 190 vetë, kryesisht vullnetarë shqiptarë të dorëzuar të prefekturavetë Mitrovicës dhe të Pejës. Lista e dytë përmban 104 emra ushtarësh shqiptarë të ikur nga ushtria jugosllave, por edhe vullnetarësh shqiptarë të bashkuar me Divizionin V-të të Shqipërisë. Edhe këta përsëri i u dorzuan Ushtrisë Nacional Çlirimtare Jugosllave. Lista e tretë përmban 131 shqiptarë vullnetarë të dorëzuar e kështu me radhë.

Po kështu ekziston edhe lista e Divizionit VI -të dhe e brigadave, kosovarë që u ishin dorzuar njësive partizane të Shqipërisë, si dhe thirrjet e komandave partizane shqiptare bërë shqiptarëve të Kosovës që të bashkoheshin me ta, por që pabesisht i dorëzonin po te Ushtria Jugosllave. Këto ndodhnin në zbatim të Urdhërit të Titos, i cili u kishte komunikuar prerë komandave të Divizioneve tona që “T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”.

Nga të gjitha faktet del bashkëpërgjegjësia e Enver Hoxhës me Josif Broz Titon si në masakrimi e popullsisë kosovare ashtu edhe për ekzekutimet në Masakrën e Tivarit. Por kjo bashkëpërgjegjësi për Enver Hoxhën është dyfishe, sepse ky të paktën ishte “shqiptar” dhe ajo masakër u bë me dijeninë dhe vendimin e plotë të tij ndaj shqiptarëve. Ja se ç’far konstatonte dhe ç’far shkruante Zekeria Cana për Masakrën e Tivarit: “Shkaktare e Masakrës së parapërgatitur të Tivarit përveç Titos, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë me në krye Enver Hoxhën. Ai lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë përmes territorit shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur Golgota e madhe shqiptare”. Këtë pak a shumë e ka konfirmuar edhe ish - prokurori i përgjithshëm Bedri Spahiu.Ja si është prononcuar me pretencën e tij si ish Prokuror në gjyqin e Koçi Xoxes (ish ministër i brendshëm në Qeverinë e Enver Hoxhës): “Xhelatët e Rankoviçit, që janë shquar për krimet e tyre alla - fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundër kosovarëve nëpërmjet rrugës së kufirit shtetëror në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda tokës shqiptare deri në Ulqin”. Është pretenca e Bedri Spahiut në gjyqin e Koçi Xoxes në vitin 1949. “Enver Hoxha e dinte mirë e qartë çdo gjë për Tivarin”.

Lufta e tij dhe prezenca e forcave partizane të këtejshme shqiptare në Kosovë, me gjithë reprazaljet që bënë ishin për kosovarët një fije shprese se me mbarimin e Luftës gjendja e tij do të ndryshonte rrënjësisht në krahasim me paraluftën. Shpresonte për bashkimin me shtetin amë dhe ëndërronte për lirinë e fituar në luftë e me gjak por, në vend që kosovarët të gëzonin lirinë e fituar, regjimi serb kishte planifikuar dhe po realizonte masakrën më masive mbi to. Pranvera e atij viti për kosovarët kishte ardhur më e zezë se skëterra natë. Numëroheshin njëra pas tjetrës masakrat, vrasjet masive, burgosjet dhe plaçkitjet e një populli të lodhur nga lufta, nga varfëria dhe nga robëria e gjatë. Si të mos kishte ndodhur gjë në dimrin e ftohtë të vitit 1944-1945, “çlirimtarët” jugosllavë i u vërsulën nga të gjitha anët Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare për t’i nënshtruar e persekutuar. Për ta bërë atë nënshtrim më të lehtë, njësitë vendore partizane, si aradhet, çetat, batalionet e brigadat, ishin dërguar në frontet e luftës kudo nëpër Jugosllavi, gjoja për t’i plotësuar njësitet partizane. Për këtë, regjimi i ri jugosllav kishte mobilizuar dhunshëm edhe me dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës për t’i dërguar ata në frontet e luftës në Dalmaci, në Srem e kudo nëpër Jugosllavi. Por, në nisjen e gjatë të udhëtimeve për në vendet e frontet e luftës, gjatë muajit mars të vitit 1945, shovinistët serbë, maqedonas e malazezë, kryen mbi rekrutë ushtarakë shqiptarë, vrasje monstruoze e masakra të papara.

Asgjesim i dyfishtë i kosovarëve, nga forcat partizane shqiptare e jugosllave

Regjimi serbo-jugosllav, më 8 shkurt të vitit 1945, pasi kishte vendosur në Kosovë me “ndihmën vëllazërore” të partizanëve të Enver Hoxhës administratën ushtarake, me urdhër të veçantë të kreut ushtarak jugosllav J.B.Tito, kishte filluar në prezencë e me ndihmën e forcave të dy Divizioneve të Shqipërisë edhe mobilizimin e dhunshëm të shqiptarëve, të cilët në prezencën e komanduesve të partizanëve të dërguar nga udhëheqja e Luftës e Shqipërisë, i ndanë në dy pjesë: Një pjesë,që do dërgoheshin në frontin e Sremit, dhe pjesa tjetër në frontin e Adriatikut që ishin mbi 22 mijë vetë. Pjesën e dytë të mobilizuarve apo të rekrutëve kosovarë, fillimisht i grumbullua në Prizren, ku në kushte mizerabël i mbajtën disa ditë, i çarmatosën dhe po aty i ndanë në toga e njësi të tjera ushtarake dhe pastaj i nisën në rrugën drejt Tivarit, duke kaluar nëpër Kukës, Fush -Arrëz, Pukë e Shkodër. Autorizimin (lejen) për futjen e një ushtrie të tërë dhe kalimin e kolonave me rekrutët e Kosovës në territorin e shtetit shqiptar siç e cilësojnë dokumentet, e ka sigluar ish-Ministri i Brendshëm i Shqipërisë i asaj kohe Haxhi Lleshi, por ia faturuan jo pa të drejtë edhe Koçi Xoxes si një kokë turku, për t’ia ngarkuar atij edhe këtë përgjegjësi të asaj masakre. Brenda territorit të Shqipërisë londineze, në ato ditë të marshimit të kollonës për në Tivar (ku ishte përgaditur kasaphana e fundit për ta), gjithnjë sipas dokumentave, me ndihmën e brigadave partizane të Enver Hoxhës, serbët asgjesuan sipas porosisë së Komandës së tyre eprore qindra kosovarë saqë dëshmitë janë tronditëse dhe për to deri më sot nuk është dhënë asnjë llogari.Në deklaratën e Zoi Themelit, shef i Mbrojtjes së Popullit i Krahinës së III (Shkodër), ai ka pranuar se rekrutët e mobilizuar kosovarë, jugosllavët “i vrisnin në masë rrugës, nëpër Shqipëri, pa pasur faj”. Të mobilizuarit kosovarë, që iknin nga kolonat për të shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit shqiptar, u ktheheshin po nga organet e shtetit shqiptar komandove jugosllave, prej të cilëve ata gjenin vdekjen. Po vetë Zoi Themeli, gjithashtu pohonte se dorëzimi i rekrutëve kosovarë tek autoritetet jugosllave, bëhej me urdhër të krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, pa marrë parasysh faktin se rekrutët ishin shqiptarë dhe nuk kishin bërë asnjë faj.

Se sa të përmasave të mëdha ishin masakrat e jugosllavëve ndaj rekrutëve të mbledhur me dhunën e partizanëve shqiptarë, e tregojnë shifrat e ekzekutimeve në të quajturën masakër e Tivarit. Atë e përshkruan bindshëm i mbijetuari i saj ish rekruti Azem Hajdini: “Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë Shqipërisë dhe se nuk do të përjetonim mizoritë siç i kishim përjetuar vazhdimisht ato ditë në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri. Gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, “përcjellësit” jugosllavë nuk na konsideronin as si kopé bagëtish”. Sipas të dhënave të arkivave jugosllave“në Fushë Arrëz u vranë 126 rekrutë kosovarë kur ishin në gjumë, masakër dinake, jonjerëzore e në kundërshtim me çdo moral, fe dhe ligj. Kur u kalua Puka, nga kolona nxorrën tre të rinj kosovare të veshur me rroba kombëtare dhe i pushkatuan para syve të kolonës si dhe para një skuadre partizanësh të Shqipërisë. Dhe, për çudi ushtarët e skuadrës e përcollën pushkatimin e tyre me duartrokitje. Në Gomsiqe ranë (i hodhën)në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë kosovarë dhe 14 të tjerë u plagosën. E njëjta gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna e mandej në Shkodër, ku gjetën vdekjen qindra rekrutë kosovarë dhe u lëndua një numër i madh të plagosurish. Në kazermat e Shkodrës pushkatuan 11 kosovarë, ndërsa me kalimin e Bunës 18 të tjerë. Në mesditën e datës 31 mars 1945, në qytetin e vogël të Tivarit, ishte ngritur kurthi i madh, sipas një plani të parapërgatitur me saktësi për asgjesimin e të gjithë rekrutëve kosovarë të cilët në pjesën më të madhe ishin nacionalistë, që udhëheqja shqiptare por edhe komanduesit e dy Divizioneve të UNÇShe dinin fare mirë dhe që heshtën për gjysëm shekulli me radhë. Masakrën ndaj nacionalistëve kosovarë, ishte ngarkuar ta kryente brigada X malazeze, kasaphanë qësipas përllogaritjeve, rezulton se u vranë 1.560 kosovarë të kolonës së dytë. Edhe nga kolonat e tjera, gjatë marshimit nëpër Shqipëri, të njëjtin fat patën edhe rekrutët e mobilizuar kryesisht në viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit. Sipas burimeve jugosllave poor edhe shqiptare, rezulton se janë vrarë dhe zhdukur në masakrën e Tivarit 2.947 kosovarë shqiptarë të tjerë të pafajshëm, numër që sipas dëshmive të të mbijetuarvei kalon të 4.500 vetët e vrarë nga jugosllavët me dijeninë dhe ndihmën e partizanëve e të udhëheqjes shqiptare. Nga këta, sipas dokumenteve të arkivave të Shqipërisë, mbi 1.000 shqiptarë të Kosovës u vranë përgjatë rrugës nga Kukësi në Shkodër, ndërsa sipas dëshmitarëve të tjerë, “nëpër territorin e Shqipërisë u vranë dhe u zhdukën rreth 1.500 shqiptarë të Kosovës”. Ja kështu i përdorën jugosllavët njësitë partizane shqiptare, që ua dërgoi peshqesh Enver Hoxha, për të asgjesuar rezistencën e motivuar të kosovarëve

Faktet e dokumentat që përmendëm e qindra të tjerë që “flenë” në dosjet e arkivave, flasin për një histori ndryshe nga ajo që është trumbetuar deri më sot përmbi “marshimin e madh” të partizanëve shqiptarë për çlirimin e Kosovës, tregojnë se heshtja afro gjysëmshekullore e Enver Hoxhës në Shqipëri, por edhe e shumë udhëheqësve të Kosovës, ishte një përpjekje madhore për ta fshehur krimin, për ta mbuluar të vërtetën dhe bashkëfajësinë me këtë inkursion të “ndihmës vllazërore”të brigadave partizane ndaj bashkëkombësve të tyre në Kosovë.Në Kosovë partizanët e Enver Hoxhës luftuan nacionalistët kosovarë dhe ja dorëzuan Kosovën pushtetit jugosllav.Kjo është historia e “ndihmës vllazërore” e anës së këtejme shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat