Kërkesën e faktorëve ndërkombëtarë për formimin e “Zajednicës” serbe në Kosovë, duhet refuzuar në mënyrë të prerë..!

Opinione

Kërkesën e faktorëve ndërkombëtarë për formimin e “Zajednicës” serbe në Kosovë, duhet refuzuar në mënyrë të prerë..!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 30 nëntor 2021 Në ora: 21:07
Presidenti slloven, Borut Pahor

Vizita e presidentit të Sllovenisë, z. Borut Pahor para dy ditësh në Kosovë, gjatë të cilës nga udhëheqësit shtetëror të Kosovës kërkoi që t’i respektojnë dhe përmbushin obligimet që dalin nga të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel me Serbinë, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, nuk ka asnjë mëdyshje, se një kërkesë e tillë paraqet presion të hapur ndaj institucioneve shtetërore të Kosovës.

Në kontekst të kësaj vizite, presidenti slloven deklaroi para mediave, se; “Çështjet më të rëndësishme mund të zgjidhen me dialog, por kushti i parë është që të respektohen marrëveshjet, përfshirë edhe atë për asociacionin e komunave me shumicë serbe, derisa të mos merreni vesh ndryshe, kjo marrëveshje duhet respektuar”..!?

Se cilat janë shkaqet, kërkesat, prapavijat dhe aktorët të cilët e kanë dërguar me urgjencë presidentin slloven në Beograd dhe Prishtinë, në vend të ndërmjetësuesit zyrtar të saj në dialogun Kosovë-Serbi, M. Lajçakut, është kjo një çështje të cilën udhëheqësit më të lartë shtetëror të Kosovës, duhet ta analizojnë urgjentisht, ngase duket shumë qartë se dikujt brenda BE-së po i ngutet shumë që Serbisë t’ia kompensojë humbjen në Bosnje, pas vizitës së z. Escobar, emisarit amerikan për Ballkanin perëndimor, i cili në mënyrë të prerë ua bëri të qartë udhëheqësve serbë atje, se nuk do ketë ndarje të Bosnjës, gjegjësisht bashkim të “Republika Srpska” me Serbinë.

Nisur nga ky fat, se në Ballkanin perëndimor nuk do ketë ndryshim të kufijve, falë qëndrimit të prerë amerikan, dy liderëve kriminelë serb, M. Dodikut dhe Aleksandar Vuçiqit, duket se nuk iu mbeti tjetër, veçse t’i aktivizojnë lobistët pro-serbë brenda BE-së, që të “shpëtojnë atë që mund të shpëtohet”, duke dërguar emisarin e tyre në Prishtinë, për fat të keq, mikun e shqiptarëve, presidentin slloven, B. Pahor, që të ushtron presion ndaj udhëheqësve shtetëror të Kosovës, në mënyrë që të pranojnë formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do ishte kompensim sado i vogël për dështimin e planit të tyre hegjemonist për krijimin e Serbisë së madhe..!?

Dhe, po qese udhëheqësit serbë në Beograd do ia dilnin që ta detyrojnë Prishtinën ta formojë asociacionin një etnik serb në Kosovë, ky do ishte pa dyshim sukses mjaft i madh i tyre në realizimin e planeve hegjemoniste serbe në Ballkan, sepse duke e bosnjëzuar Kosovën, pra atë që nuk arritën ta bëjnë me Bosnjën, do ta bënin me Kosovën, duke e copëtuar atë si dhe duke ia bashkangjitur Serbisë Veriun e Kosovës. Pra, ky sukses eventual i Vuçiçit dhe Dodikut është me vlerë jetike për planet e tyre destabilizuese, jo vetëm të Ballkanit, por edhe më gjerë në Evropë. Pa harruar këtu synimin hegjemonit të Serbisë për pushtimin e Kosovës, kurdo që do u jepet rasti edhe në 100 vitet e ardhshme, ashtu siç kanë deklaruar me qindra herë udhëheqësit e kishës ortodokse serbe si dhe politikanët çetnik, alla V. Shesheli, A. Vulin, Drecun etj.

Më duhet ta them të vërtetën, se unë jam shumë i zhgënjyer për rolin e “msitit serb” që e ka pranuar nga BE-ja presidenti i popullit mik slloven, B. Pahor, për të ardhur në Prishtinë me qëllim për t’i bërë presion Kosovës që ta pranojë formimin e “Zajednicës” serbe, i cili, presidenti slloven, është dashur gjithsesi ta dinë, se udhëheqësit shtetëror të Kosovës kurrë nuk do ta pranojnë një bombë të kurdisur nga Beogradi zyrtar brenda Kosovës, siç është asociacioni i komunave me shumicë serbe..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat