Halil Matoshi, thotë; se “Në adresimin e saj para kombit, Presidentja Osmani u shfaq përfundimisht në një kurs të rrezikshëm antiamerikan..”, se ajo duke folur për Marrëveshjen (zotimet) e Washingtonit (4 shtator 2020), paskësh thënë; “(...) fatkeqësisht duke e pranuar moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për konsolidimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar, jo vetëm që u dëmtuan interesat tona strategjike, por ato ishin dikur dritat e politikës sonë të jashtme.(...)”, përfundon citati.
Se pse z. H. Matoshi e akuzon pa asnjë fakt presidenten e Kosovës, znj. Osmani, për antiamerikanizëm, kjo mbase vetëkuptohet, kur e dimë se shefi i tij, Ramush Haradinaj, nuk lenë ditë pa gjuajtur gurë dhe dru mbi kryeministrin Kurti, ngase gjithnjë sipas tyre, presidentja na qenka “notere” e tij, andaj nisur nga kjo logjikë hakmarrëse, “sjelli” sa më fort shtagë presidentes që dhimbjen ta ndjen edhe kryeministri Kurti..!?
Siç vërehet qartë në reagimin e tij, H. Matoshi, qëllimisht “antiamerikanizmin” e presidentes Osmani e nxjerr nga konteksti i fjalisë së saj, e thënë sot para deputetëve të Kuvendit në fjalimin vjetor, kur flet lidhur me Marrëveshjen (zotimet) e 4 shtatorit 2020, të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë nga ish kryeministri Avdullah Hoti dhe A. Vuçiqi, para ish presidentit D. Trump, ku në pikën e fundit (16) të këtyre zotimeve, Kosova zotohet që t’i pezullojë për një vit kërkesat e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Serbia ta ndërpres kampanjën për ç’ njohjen e pavarësisë së Kosovës, për çfarë presidentja Osmani, në fjalinë e saj lidhur me këto zotime, në asnjë mënyrë nuk e akuzon Shtëpinë e Bardhë, përveçse tërthorazi flet për dëmin që Kosovës i është shkaktuar nga ai moratorium njëvjeçar, që siç e dimë atë e ka nënshkruar Avdullah Hoti në cilësinë e kryeministrit të Kosovës. Pra, nënkuptohet shumë qartë se kritika e sotme e presidentes Osmani i drejtohet pa ia përmendur emrin, Avdullah Hotit, i cili natyrisht se mban përgjegjësi politike që atë ditë në Shtëpinë e Bardhë nuk ka kërkuar fare që moratoriumi në fjalë të tërhiqet nga teksti i 16 zotimeve të pranuara dhe të nënshkruara atë ditë në Washington.
Se ku e gjen H. Matoshi, antiamerikanizmin tek presidentja Vjosa Osmani, vetëm se thotë se atë zotim pala kosovare nuk është dashur ta pranon, ashtu siç nuk e pranoi pala serbe pikën 10 të atij dokumenti, ku ka shkruar, se Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës, pikë e cila u hoq me insistim të palës serbe. Ndaj, le të na tregon (HM) se nga e ka nxjerr këtë konstatim krejtësisht të paqëndrueshëm, gjegjësisht shpifje të kulluar ndaj presidentes Osmani, sepse nëse znj. Vjosa Osmani na qenka “antiamerikane”, atëherë nuk ka askund në botë asnjë shqiptar të vetëm që është pro-amerikan. Po ashtu, nuk ka shqiptar në botë që beson se në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë na qenka cenuar rendi kushtetues i Kosovës..!?
Ndërsa ish kryeministri, z. Avdullah Hoti, në reagimin e tij në FB thotë, se; “Vetëm politikanë të llojit të caktuar, me orientime joperëndimore, mund të mendojnë dhe thonë gjëra të tilla, kur e vërteta është se vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet, kur cenohen raportet me mikun më të madh të shtetit të Kosovës, SHBA-në..”, duke aluduar se presidentja Osmani po i cenuaka raportet me SHBA-të, vetëm se e paska “thumbuar” tërthorazi z. Hoti në fjalimin e saj, i cili, siç dihet ndaj marrëveshjes (zotimeve) të 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, nuk e ka kundërshtuar asnjë pikë të saj, duke qëndruar si “qengji” para presidentit D. Trump, i cili madje e privilegjoi duke e afruar pranë tryezës së tij, që të fliste në telefon me ish kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahun, i cili i premtoi se shteti i tij do ta njoh pavarësinë e Kosovës, por mjerisht AH këtë privilegj (respekt) nuk pati guxim politik, apo nuk diti fare që ta jetësonte për interesa të Kosovës..!?